**** Xhorxh Gordon Bajroni dhe bëmat paranojake të xhaxhait të tij
Kur Bajroni ishte fëmijë jetonte në kështjellën e xhaxhait të tij plak. Atij i kishte hipur në kokë që të mos i jepte asgjë trashëgimtarëve. Për këtë kishte vrarë shtatëqind drerë në parkun e tij, kishte prerë pyllin e tij të madh, por nuk ishte mjaftuar me kaq. Xhaxhai bënte lloj-lloj marrëzirash. Ngrihej natën dhe hapte portat e kanaleve të ujit, që të dëfrehej në mëngjes duke parë përmbytjen e gjithë fushës dhe shkatërrimin e kulturave bujqësore. Në një liqen të vogël që ndodhej në pronat e tij, kishte ndërtuar një mur me gurë dhe një flotë të vogël me barka. Kalonte ditë të tëra duke u dëfryer me bombardimet që i bënte flotës, e cila komandohej prej shërbëtorit të tij. Herë të tjera organizonte garat e bulktheve dhe ngacmonte me gjemba ata që nuk ecnin shpejt. Ky xhaxha i marrë ishte titulluar i Par dhe vetëm pas vdekjes së tij Xhorxhi u bë Lord.
Kur Xhaxhai plak vdiq, Xhorxhin e vogël e njoftoi mësuesi i shkollës dhe i shpjegoi se tashmë ishte lord. Pastaj u dha një pritje me verë dhe biskota dhe në këtë ceremoni mësuesi i tij foli me shumë respekt. Kur u kthye në shtëpi shkoi me vrap te pasqyra dhe u pa gjatë. Pastaj shkoi te e ëma dhe e pyeti:
– Unë nuk arrij të gjej në veten time asgjë të ndryshuar. Po ti sheh ndonjë gjë tek unë?
Të nesërmen, kur bëhej apeli, mësuesi nuk e quajti më Xhorxh Bajron por Lord Bajron. Këtë emër të ri ai e shoqëroi me një solemnitet të tillë, saqë Xhorxhi nuk ishte në gjëndre të përgjigjej “këtu” si zakonisht, por nisi të qante.
Profesor Roxheri, që i jepte mësime në latinisht, brengosej shumë kur shihte se si vuante. Bajroni kur mbante mjetin e drunjtë për këmbën e sëmurë.
– My lord, – i tha një ditë, – nuk mund të vazhdoj mësimin duke të parë të vuash kështu.
– Megjithatë ju vazhdoni, – iu përgjigj djali i guximshëm, – mos u shqetësoni për mua. Unë do të mundohem t’i përballoj dhimbjet pa u ndier fare.
**** Një ditë një shok i shkollës, Robert Pel, po grindej me një të ri shumë më të madh se veten. Bajroni u trondit shumë. Edhe pse ai vetë ishte fëmijë dhe i pafuqishëm për të marrë në mbrojtje dikë, e pyeti atë që po i jepte dru shokut të tij:
– Edhe sa goditje doni t’i jepni ende? – Pse, tha ai i nervozuar, – ç’të duhet ty?
– Sepse dua t’i marr unë goditjet e tjera në vend të tij.
**** Qysh në vitet e shkollës Bajroni kishte nisur të shkruante vargje sa për të kaluar kohën dhe pa patur ndonjë ambicje. Qe mikja e tij, Elizabeta Pigot që e nxiti të bëhej poet. Një ditë kur ajo i lexoi disa vjersha të Bërnsit i tha:
– Shkruaj dhe unë vjersha.
– Pastaj nisi të recitojë disa vargje rinore të tij. Elizabeta mbeti shumë e kënaqur dhe i tha se kjo ishte rruga e jetës së tij. Në poezi ai do të bënte emër të madh. Bajronit i lanë mbresa të thella fjalët plot admirim të vajzës.
Qysh atëherë nisi të shkruajë çdo ditë vargje, të cilat ia lexonte admirueses së tij.
**** Një herë njëzetvjeçari Bajron po i ankohej për fatin e tij priftit Beker. Ky kërkoi që ta bindte se përkundrazi qenë të paktë ata, që ishin të favorizuar si ai nga fati qiellor.
– I ke të gjitha, – i tha prifti, – origjinë të shquar, pasuri e mbi të gjitha zgjuarsinë që ju vë mbi gjithë pjesën tjetër të njerëzimit.
– Miku im, – iu përgjigj Bajroni, – në qoftë se mendja më vë mbi gjithë njerëzimin, këmbët e mia më vendosin nën të gjithë njerëzit.
**** Një herë në kohën e pushimeve Bajroni kishte ikur nga Kembrixhi. Tutori ia kishte lëshuar dhomën e tij me qira një studenti tjetër, një farë Mateu, të cilin e porositi të kishte kujdes të madh për mobiljet, “sepse Lord Bajroni”, i tha, është njeri me pasione shpërthyese.” Kjo frazë e beri të qeshë Mateun, i cili çdo miku që vinte në shtëpinë e tij i thoshte që të prekte me kujdesin më të madh dorezën e portës, stolat dhe çdo gjë tjetër.
– Kini kujdes, – u thosh, – sepse Bajrom është njeri me pasione shpërthyese.
Një ditë Bajrom u kthye dhe u paraqit te Mateu.
– Ah, ia bëri tjetëri, – juve jeni personi me pasione kryengritëse?
**** Kur Bajroni ishte njëzet vjeç i ngordhi qeni, të cilin e donte shumë. Këtë qen e kapi tërbimi, kurse Bajrom e kuronte vetë dhe nuk pushoi kurrë së përkëdheluri deri në fund. Qeni ishte shumë besnik dhe nuk kafshoi as Bajronin e as njeri tjetër. Kur ngordhi, Bajroni e varrosi qenin me nderime, i bëri një varr monumental dhe mbi të vendosi këtë epigram. “Këtu pushojnë mbeturinat e një krijese që ishte e bukur e pa sqimë, e fortë, e sjellshme dhe e guximshme, pa egërsi, si edhe – kishte gjithë virtytet njerëzore pa pasur të meta.”
Një ditë kur po shihte varrin, kaloi aty pranë shërbëtori i tij, të cilin Bajroni e donte shumë. Atij i premtoi se kur të vdiste edhe atë do ta varroste, aty pranë. Mëgjithatë, Joe nuk tregoi ndonjë entuziazëm për atë nder.
– Në qoftë se vjen një ditë që edhe zotëria juaj të varroset këtu… atëherë nuk them gjë…, po nuk do të më pëlqente shumë për të ndenjur këtu vetëm me një qen.
**** Sa herë që fliste për dramën, Bajroni mbronte me tërbim tri unitetet dhe nuk linte pa thënë për Shekspirin.
Njëherë, pas një shpërthimi të tillë, Shelli duke qeshur i tha:
Bajron, po ju jeni një njeri i mrekullueshëm.
– Po përse? – Pyeti Bajroni.
– Sepse je ziliqar për Shekspirin.
**** Bajroni ishte letrar për trillet e tij. Në fund të fundit letërsia ishte për të një gjë vetëm për të kaluar kohën. Mbi të gjitha ai donte të ishte njeri i veprimit, të bënte diçka, jo thjesht për të bërë emër për ndonjë varg të shkruar, por për ndonjë gjest heroik?
**** Lord Bajroni thoshte:
– Liria dhe filantropia janë fjalë tingëlluese, por boshe. Unë kam arritur në këtë përfundim politik; paraja është pushteti i skllavërisë dhe i urisë.
**** Vetë Bajroni nuk kishte ndonjë besim për vlerat e poemës së tij të njohur “Çajld Harold”. Në të vërtetë botimi i saj qe një sukses befasues e triumfues. Bajroni, deri atëherë i panjohur, kishte rënë për të fjetur dhe njihej mirë nga tre- katër shokë në gjithë Anglinë. U zgjua të nesërmen, si njeri i shquar e i dëshiruar prej të gjithëve.
Shumë njerëz të shquar donin të paraqiteshin tek ai. Karrocat që ndalonin para portës së tij u bënë aq shumë, saqë po pengohej qarkullimi. Ishte një famë e madhe. Dhe Bajroni kur ishte vetëm rilexonte me zë të lartë poemën e tij për të parë “se ç`gjë të bukur gjenin të tjerët atje”.
Përgatiti: Albert Vataj