Dhe një folës tha: Na trego për Lirinë.
Dhe ai u përgjigj: Në portat e qytetit dhe në vatër të pashë të përuleshe për të adhuruar lirinë tënde, ashtu si skllevërit përulen para një tirani dhe e lavdërojnë atë edhe nëse ai i vret. Po, në korijen e tempullit dhe në hijen e kalasë kam parë më të lirët ndër ju që e kanë veshur lirinë si zgjedhë e zinxhir.
Dhe zemra ime u gjakos brenda meje; sepse mund të jesh i lirë vetëm atëherë kur edhe dëshira për të kërkuar lirinë të bëhet një kurth dhe kur të ndalosh së foluri për lirinë si një qëllim dhe një përmbushje. Ju do të jeni vërtet të lirë jo kur ditët tuaja janë pa shqetësime dhe netët tuaja janë pa mangësi dhe dhimbje. Por, përkundrazi, kur këto gjëra do të rrethojnë jetën tuaj dhe megjithatë ju do të ngriheni përmbi lakuriq dhe të lirë.
Dhe si do të mund të ngrihesh përtej netëve dhe ditëve të tua pa i këputur zinxhirët që lidhën mesditën tënde në agimin e dijes sate? Vërtet, ajo që ju e quani liri është më e forta prej këtyre zinxhirëve, edhe nëse hallkat e saj ju verbojnë ndërsa shkëlqejnë në diell.
Dhe çfarë është nëse jo pjesë e vetes suaj që do të dëshironit ta përjashtoni për të qenë të lirë? Ky është një ligj i padrejtë që ti do ta anuloje, por është shkruar nga dora jote mbi ballin tënd. Nuk mund ta fshish duke djegur librat e tu të ligjit dhe as duke larë ballin e gjyqtarëve të tu, edhe sikur të derdhësh mbi ta gjithë detin.
Dhe nëse është një despot që do të dëshironit ta rrëzoni nga froni: së pari shikoni nëse froni i tij i ngritur brenda jush është shkatërruar. Sepse si mund të mbretërojë një tiran mbi njerëzit e lirë dhe krenarë nëse jo nëpërmjet një tiranie që është në lirinë e tyre dhe përmes një njolle që është në krenarinë e tyre?
Dhe nëse doni të shpëtoni nga një shqetësim, ai shqetësim u zgjodh nga ju në vend që t’ju imponohej. Dhe nëse dëshiron të largosh një frikë, selia e asaj frike është në zemrën tënde dhe jo në dorën e atij që të fut frikën. Në të vërtetë, të gjitha gjërat lëvizin brenda jush sikur në një përqafim të vazhdueshëm dhe të paplotë, si ato të dëshiruara ashtu edhe ato që keni frikë, ato të neveritshme dhe ato që ju tërheqin, ato që ndiqni dhe ato nga të cilat ikni. Këto gjëra lëvizin brenda jush si drita dhe hije të lidhura ngushtë.
Dhe kur hija tretet dhe nuk është më, drita që zgjat bëhet hije për një dritë tjetër.
Dhe kështu liria juaj: në momentin që humbet kufizimet e saj, ajo vetë bëhet një lidhje për një liri më të madhe.
Përgatiti: Albert Vataj