Në kuadrin e përkujtimoreve, të 25-vjetorit të Masakrës së Reçakut, Komuna Shtime, Kosovë, në mes të aktiviteteve-homazh, ka shpallur një konkurs poezie. Vendosa të marrë pjesë, duke sfiduar një nga rregullat absurde që vendoseshin, që poezitë pjesëmarëse të mos ishin më të gjata se 25 radhë.
Mendova se po bëja më të mirën për të garuar, por mbi të gjitha për të bashkëndarë përjetimin tim për këtë ngjarje, por më rezulton se paskam qenë i gabuar.
Realisht, u nisa të bëj një monument poetik si homazh për viktimat e Masakrës së Reçakut, të thërras shpirtjen dhe fjalën në këtë sublimitet, të ndaloj kohën dhe të kthej zërat që zgjuan ndërgjegjen e botës, për ta parë dhe trajtuar këtë sulm të serbëve ndaj fshatarëve të pafajshëm, si një masakër dhe këtë akt si krim kundër njerëzimit.
Poezia ime homazh për kërë ngjarje, që po e bëj publike për ju sot, ishte më e gjatë se 25 radhë, dhe kështu humba të drejtën të marr pjesë në konkurs, duke u skualifikuar. Por jo mundësinë për të shkruar një poezi që do të jetë një nga më të bukurat në librat e mi të radhës dhe një homazh i vërtetë dhe shumë i ndjerë për një ngjarje kulmore për liri dhe mëvetësi të Kosovës.
Uroj që poezitë e përgjedhura, me më pakm se 25 radhë, të meritojnë të jenë në lartësinë e përkujtimit të kësaj ngjarje, të këtyre jetëve që ju blatuan të sotmes.
Reçak, plis i ngopun me gjak
Nga Albert Vataj
(Poezi kushtuar 25-vjetorit të masakrës së Reçakut)
Me vitet ngarkue me mall e dhimbje,
Vij te ky mermer qi ther n’cingërimë e rënkim,
Te kjo kushtrimore lirie hyjnue, n’be e n’besë t’parve,
Jam tekkëtu, n’kyt ag dite qi dritshëm vezullon,
Krenue te ky mëvetësim flijimi andrrash e andjesh.
Te ky qiell i mrrylët që asht murue,
Vullnesë e epërme jam, qi ngërthen flakërimit si jehonë.
Përulem te kjo heshtje e zashme kushtrimi,
Me bjeshkën përmbi, e gjëmimin e maleve.
M’naltuen n’ndërmendje k’ta shpirtna t’shenjt.
Ky izëm qi doli nga Guarnika e asaj dite, n’nat terrue,
Ashti e cyti n’palc krisjen e njasaj rrase pragu,
Theri thellë rranjve, zani qi briti e dynjan kërdisi.
Asht kremte mbrothsimi n’galdim sod,
Bac e loke, e tanju vllazën e motra qi heshtni potershëm.
Prore kjo ditë kujtese e mëkimi t’yjt kenka.
Baj vash se si dirgjen piskamt thellimit t’kohës,
Mbet n’ne gjama qi m’theri amësht n’shpirt.
N’za mu ngul, si rrufeja shigjetare n’kurmin e natës,
Kjo epje shugurue n’hyjnim lirie.
Mbi prehjen e atij plisi t’ngimun me gjak e lot,
Njatij trolli, mbrumun me bukë e krypë e barot,
Ulet prajshëm njajo mjegull, prej kreshtave t’molisun,
Si baca me barrën e viteve n’shpinë e dhimbjen n’shpirt,
Zdryp reje njatij agut angullimash trazimtare,
Me thirrje t’thekshme e shtron udhën kah shklet zezona,
Ngushtue asht zorit e mohit robnia asaj nahije,
Ai za zjarmi, kijametshëm ngërthen qiellin qi pisket e pëlcet.
Jam te kjo ardhje e pikllimtë, n’dhé gjunjëzue,
Vajshëm i këndon lahuta, t’kujshmes kujtesë qi cek.
E ligshtueme asht fjala, e zehërt gjuha,
Varrue jetët qi ju dorëzanen këtij ngadhënjimi.
Ndër kurme t’gjamshme zani i zemrave, dridhet purtek,
Shtati i ligun lëngimit, zjermet, kërdis e teptis,
Zemra e thyeme, ndër mote e morte,
Copat mbledh e n’coha mjegullash i mbështjell.
Ulërijnë me kujë rrufetë si lukuni ujqish,
Qi zdrypin potershëm kah majmalet ulin kryet.
Te kjo dhembje qi m’shkyen me gulçim krahnorin,
Kjo varrë qi ashtin ligësht ma bren,
Kenka e kahmotshme e gjamtare, farë e tokës s’përzhitun.
Jam plaga e angësht trazimtare qi zgjohet tash.
Qe besa juaj, e t’tan burrave thirrun, n’nji zani zjarrmue.
Kjesh vikamë te ky qiell i thyem n’syt e përlotun,
Fjala amanetçare e këputun në dritën e qirinit,
Buza e mekun e nanës gjishterrun, oh!
Shkuen jetët e u ban theror, asaj dite mesjanari t’99-tës,
M’sosi fjala, n’frymt qi kputi vdekja, n’Grop t’Bebushit,
Njatje ku thonjt zgjati vdekja, e mi nguli n’mish,
Etje pat ai biri i shkinës për gjakun tem.
Erdh varrue viti, na i gjet arat brymun, gjakun kallun,
Shkrumun, ai mot iku me vërtik tue fsha,
N’kamb brofi t’gjall e t’dekun kjo dënesje,
U turrën si përrenjt ngarkue me tërsëllimë, urrejtjet,
Krisi guri i pragut e n’kullë bujti zani kulmshëm.
Bzani me frymë t’kputun Reçaku, rrept briti,
U meruan ç’ka përlanë me sy e kallzuen me idhnim,
Duel prej gurit heshtja e ju zatet kushtrimshëm epjes,
U ba qefin bora e atij janari t’cegëmt,
Mbi vdekje iku nata shalue n’gjog t’bardh resh,
Dita zbardhi gjamshëm, e ju dha angësht dekikut.
Sa e thellë kje terratia e asaj nadje,
Matun me pëllëmbë plagësh e lutje ky trull.
Gurin plasi dhimbja e atij zani t’gjamshëm,
S’ju friget vdekjes zogjtë e shqipes qi shkuet fluturim,
Përjetësia ju driti n’kungim kremtimi.
Zemra juej na udhëprini kah zjarmshëm rrkajt e gjakut kallën,
Ngjeshun shtatit xhamadanin shpuem me plumba,
Gjoksin u’a banën shosh e kullat, s’u shembët,
Shndrini plisi i bardh zhigun me bloz t’barutit,
N’borën e bardhë bilur, e lame dritën qi ndezi shpirtja juej,
N’pikë t’lotit bre, u pamë e u falëm për kyt t’lumenemin cak!
N’teh t’rrufesë zani theri e ju gjegj,
Kanga ju dha buzve t’eshkuna shkrumb.
Nji çerek shekulli iku, turrshëm sa nji dekik,
Ju mbetët kuj ngulun n’qehre t’mrrylët e diham,
Fli i’a lat kësaj lirie jetët tuaja, e plagën teme,
Prej se filluet me dritt n’hyjnim amshimi.
Derikur me xanun vend n’kreni e n’përmendore.
Jam sod te kjo rrasë gurit e djersun hukamësh,
Tekkëtu ku jetët janë emna e amanete,
E gjithmonshmënia asht ç’ka mëkoi ajo shpirtje therori,
Andje mbeti n’ju fryma qi shkimi shpërthimshëm,
Njatij moti t’25-së viteve t’ikun me vërtik,
Njatij zori qi n’gjunj m’hodhi e n’kamb m’prushi.
Ardhur kam s’largu te kjo beden kujtese,
Murue më asht shpirtja si nji Rozafë n’legjendë.
Te çdonjeni qi erdhi krushk n’dasmen teme, jam za e zjerm,
Jam sod njiktu me fjalën e zemrën ngadhënjye,
Se deshta me kuvendu, pa fsha dhimbjet,
Me tanju, me u fal ndershëm t’45-të njipërnji,
Me ken rranjë te harlisja e njiksaj ndërmendjeje,
I përulun n’naltsimit tuej, t’dlirun dritjes ku shoh kjart.
Kjoshi n’përjetësi ç’ka peng i’a lat t’gjallët kësaj toke,
Si tash, n’gjithmonshmëri, mall dhe dhimbje,
Unë jam fjala e pikëllimtë e zemra e thyeme,
Lulja qi bjen pranverën n’ditën tuej t’dimërt,
Plis i ngopun me gjakun tem e palcën e gurëve,
Poezia qi knohet lumnueshëm sod për ju!
© Albert Vataj