Që nga viti 2014, ata që shkojnë në Pragë mund të admirojnë, fare pranë stacionit të metrosë Národní, një instalacion në metamorfozë të vazhdueshme të atij që shndërroi shpirtin e tij delikat në një art të madh.
Është një vepër arti kinetike, koka me profilin e njohur, të shkrimtarit Franz Kafka. Skulptura, e bërë prej çeliku inox, peshon afërsisht 45 tonë dhe ka një sipërfaqe reflektuese. Duke parë thelbin e veprës, nuk habitemi që artisti çek David Černý zgjodhi t’i bënte homazhe shkrimtarit të famshëm me një skulpturë kaq të veçantë të vendosur pikërisht në qendër të qytetit.
Për më tepër, lidhja mes Kafkës dhe Pragës është aq e pazgjidhshme saqë nuk mund të ishte ndryshe. Praga është Kafka dhe Kafka është Praga. Ndër të tjera, nuk është rastësi që u vendos pikërisht aty: Franz Kafka punoi në këtë zonë, një qendër e rëndësishme sipërmarrëse dhe kulturore tashmë në fillim të shekullit të njëzetë dhe fryma e këtij shkrimtari të rëndësishëm që la gjurmë të pashlyeshme ende rri pezull si një fenomen në letërsinë botërore, pavarësisht se vdiq i ri.
Shikimi i kokës së Franz Kafkës në Pragë shkakton një efekt tjetërsues Plot 42 blloqet inoksi që përbëjnë skulpturën rrotullohen në mënyrë të pavarur falë një motori të brendshëm.
Objektivi i artistit çek ishte të përfaqësonte, nëpërmjet kësaj mashtreje efektive, personalitetin brilant dhe mundimet e brendshme të shkrimtarit. Instalimi është një kombinim i përsosur i artit dhe teknikës që vetë David Černý e dëshironte fort, duke përdorur bashkëpunimin e inxhinierëve mekanikë, ekspertë në robotikë.
Me këtë skulpturë Černý jo vetëm që i bëri homazhe një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm evropianë të të gjitha kohërave, por donte të përfaqësonte thelbin e psikikës njerëzore dhe tjetërsimin e njeriut modern në shoqëri, deri në atë pikë sa të zbulonte identitetin e vërtetë të Egos, që është vijimisht dhe pambarimisht i brishtë dhe i ndryshueshëm.
PROF. DEB
Përgatiti: Albert Vataj
Për të parë veprën në lëvizje, ju rekomandoj të klikoni lidhjen dhe të hyni në Youtube.