Ato janë puthjet më të ftohta që mund të kenë “kafshuar” dehjen tonë dalldisëse të mëkimit qiellor. Megjithatë ato udhëtuan në kohë të ngujuara në shkëmb për ta çliruar përgjithmonë drojen tonë nga kufizimet dhe për ta hedhur ashtu vullnetlirë në zjarrin e një ferri shndërrues.
Këto janë kryevepra të kryemjeshtrave të skulpturës, janë puthjet e gurta që i vunë zjarrin pasionit të shpirtit njerëzor, dhe i mëkuan botës aktin sublimit të dashurisë, i dëshmuan asaj përmes zhdërvjelltësisë së krijimit dhe fuqisë eterne të përfshirjes në këtë solemnitet, se buzët janë portat prejnga hyn brenda nesh magjia e shndërrimit nga një qenie tokësore në një krijesë e frytshme, tejet e avullt qiellore.
Ndoshta arti, përmes magjisë së krijimit, jo vetëm na tregon udhën e përjetësisë së përjetimit, por na mëkon prej këtyre buzëve të gurta dhe pulitjeve prej mermeri, atë ngrohtësi dhe tëmbëltim që shenjtëron çastin tonë të komunikimit ndjesor, dhe i jep dëshirimit dimensionet e përjetësisë, të gjithësishmes në vetëm një puthje.