Kjo është skulptura “Veil of Modesty” nga Antonio Corradini (1688 -1752), një kryevepër e stlit dhe shprehjes, vërtetësisë dhe forcës për të dalë nga fara e shpirtit dhe për t’u harlusur në eterin e adhurimit. Një grua, një Evë, një Mari Magdalena, një ëndje, një epje, një shëmbëllim i bukurisë në caqet e përsosmërisë.
Nuk mund ta imagjinosh botën pa fuqinë dhe magjepsjen e imagjinatës së artit, pa atë sublimitet krijues, delikatesa dhe hiri i së cilës, ka përshkuar me një drithërimë ngjethëse shpirtin e njeriut gjeneratave.
Përmes idealizmit, arti ka arritur të ndërtojë një botë ideale, ndoshta nga asgjëja kah një gjithçka qiellore. Udhëtoi nëpër shpalime kohërendjesh ky idil estetik, kjo ngasje e së bukurës, në një përpjekje për të sfiduar atëhershmërinë dhe për trokitur në dyert e rënda të ëndjes dhe adhurimit, si një kulmim i betejës së njeriut për të nënshtruar të keqen, duke i kundërvënë të bukurën, idealen, kandjendjellësen, lirikën e një shpirtjeje që cfilitshëm ndeshej me mbijetesën, në një të atyshme privacionesh dhe pamundësishë.
Arti në një luftë titane ia ka rritur të groposë në harrim të shkuarën e mundimeve dhe fuqisë së ethshme të besimit, për të ardhur duke dalë nga thellësia e kohës si një shpërthim drite.
Erdhi kokulur kjo e perëndishme arti për të treguar se e bukura, dashuria, e virtytshmja, besimi, njerëzorja dhe shpirti krijues, do të mbretërojnë botën.
Arti lindi për të mbajtur në jetë të pacenuar nga erozioni i kohës dhe nga shtërngatat trazimtare, shpirtin e purifikuar, zemrën që u gatua në diellin idilik të dëshirimit për shastisje dhe mrekullim.
Sot, pas kaq qindvjeçarësh, teksa i kundron këto statuja, vëren se vetëm në frymëzimin krijues mund të lindte një femër që atribuonte shembëllimin e vetë krijuesit. E përsosura, feminiliteti, bukuria, epshi, e magjishmja e zëshmërisë së shpirtit të jetësuar në gur, janë një ansambël vlerash, përmes të cilave ne takohemi me njerëz prej zjarri dhe drite, me talente që kishin fuqi hyjnore për ta shndërruar botë nga një ferr në një parajsë të perëndishme.
Më mirë se arti, më denjësisht se kjo mënyrë shprehjeje estetike e forcës së imponimit dhe grishjes së ndijimeve përjetuese, nën një qiell të kredhur adhurimit, asnjë vullnet i së njerëzishmes tokësore nuk do të mund ta ngrinte adhurimin e krijuesit më lart se shpirti, dalta, ngulmi dhe sakrifica.
Njerëzimi kurrë nuk ka qenë më i privilegjuar se sa ne, të mund ta përjetojë me një bujari qiellore vetë madhështinë sublime të artit, të hyjshmet prehje të shpirtit që prehri i kohës i përkund.
Askush nuk mund ta imagjinonte një tashmëri të zbrazur nga drita e këtij vullneti qiellor, nga sharmi dhe eleganca, nga hiri dhe e hyjshmja e idealizuar e fuqisë krijuese, nga vetë Zoti që zbret për të treguar me vepër se ne meritojmë të jemi të shpërblyer me këtë magjepsje.
Albert Vataj