Nga Dr. Ardian Kyçyku
Viktor Eftimiu ndërroi jetë më 27 nëntor 1972. Qivuri me trupin e pajetë, asokohe u vendos në sallën qendrore të Akademisë Rumune. Për shtatë ditë me radhë, flamuri i Akademisë ndenji ulur në gjysmë shtizë. Në dhembje e sipër, miqtë e afërt, ish të dashurat e panumurta që u mblodhën nga të gjitha skajet e Evropës, nuk mund të mendonin se ai vdiq nga ndonjë shkak tjetër veç pleqërisë. Së shpejti do të mbushte 83 vjeç. Pas kaq kohësh, duke njohur hollësira ende jo krejt të shpjegueshme, ka pak gjasa që vdekja e Viktor Eftimiut në Shqipëri të jetë një rastësi e kulluar, të paktën nga pikëpamja metafizike.
I lindur më 24 janar 1889, pat mërguar bashkë me familjen nga Boboshtica në moshën 9 vjeçare, hipur mbi një tren që nuk tregtonte mallra dosido, por gurë, shkëmbinj Shqipërie. Vite më vonë, tek çapitej shkëlqimtar salloneve të aristokracisë rumune e pariziane, i pranuar njëzëri si vigan i poemave dramatike, mbase do të qe joshur kalimthi të gjente thelbin simbolik të atij udhëtimi e sidomos të gurëve që nuk iu ndanë deri në Bukuresht. Me pjesën tjetër të gurëve, atë që nuk e pat shoqëruar, do të çmallej gjashtëdhjetë e ca vjet më pas, pó në Boboshticë, i plakur, i përmallur dhe i pagojë nga afrimi shajnitës i vdekjes. Nuk mund të dihet nëse Eftimiu pat ëndërruar të jepte shpirt në vendin që e lindi apo në Bukureshtin ku kaloi jetën, ku provoi lumturitë dhe zhgënjimet e epërme. Duket se, gjatë pjesës më të madhe të kohës, si qënie tejet evropiane, – diku, në kujtimet e veta, vajton kohërat kur kufijtë ishin ‘aq të shpirtëzuar’ – nuk i vinte ndonjë rëndësi të veçantë vendit ku do të jepte shpirt e ku do ta kishte varrin. E nuk para duket që Vdekja të ketë luajtur në jetën e tij rolin tashmë të njohur që luan në jetën e poetëve në përgjithësi. Me një çiltërsi çarmatosëse, në librin e tij “Kujtime dhe polemika”, mes të tjerash, nuk ngurron të shkruajë: “Shpirt i pavarur, i dashuruar pas qartësisë e dritës, optimist, me besim, i gjallë, i etur për aventura, i saktë, i rregullt, përtej çdo ndjesie të errët, unë s’para kam qenë i krijuar për vegime. Nuk kam pasur kurrë ndonjë jetë të brendshme tepër të dendur. Përveç halleve të jetës dhe realizimit ngadhnjimtar të synimeve të mia, nuk kam njohur ankthe të brendshme, dyshime, obsesione, fanatizma, shembje, trallisje e dorëheqje. Kurse poezia është një përqëndrim mjegullash mbushur me rrufé”.
Nuk janë të shumtë shkrimtarët që, pas një jete blatuar artit, të arrijnë e madje të shprehin haptas mangësitë e tyre ndonjëherë të lindura. Por mbase Eftimiut ia lehtëson shprehjen jeta jashtëzakonisht e pasur që pati. Ai nuk stepet para së vërtetës thelbësore të vetvetes dhe pranon se ka qenë i tejshkuar vetëm nga gjysma rrufesh, me më shumë shkëlqim se përvëlim, dhe se i është dhuruar me përkushtim gjysmës tashmë të zhveshur të shtizës së flamurit, jo asaj ku flamuri akademik e vajton.
Busti, zogjtë dhe feja e vërtetë e Eftimiut
Kuptohet që Eftimiu nuk ka qenë njëlloj i çiltër me veten e me të tjerët, mbase ngaqë jo gjithmonë e ka njohur thellësisht vetveten dhe vendin që zinte në jetë. Buja që shoqëroi shfaqjet e poemave të tij në rininë e hershme nuk mund ta linte pa kurrfarë dehjeje. Në përputhje me ca ndërkryerje estetike të kohës, pa qenë narcizist, nuk ngurroi të porosiste një bust, të cilin e vendosi buzë Parkut të hershëm Çishmixhiu, para ballkonit të shtëpisë ku banonte. Kur pinte kafenë e mëngjesit, kundronte kokën e vet prej bronzi dhe bënte shakara. Në pjekuri, e shoqja, aktorja e njohur Axhepsina Makrí, e porosiste shpesh shërbyesen: “Merre leckën dhe shko të fshish zotninë, se mos ia kanë mbushur zogjtë kokën me glasa!”. Eftimiu e njihte mirë paanësinë e zogjve dhe nuk mërzitej. Ishte ndër të parët, në mos po i vetmi artist ballkanas, që vlerësonte njëlloj si lëvdatat, ashtu edhe sharjet apo shpifjet e gazetave. Kur njerëzit lexojnë një lëvdatë ndaj meje, binden se nuk më kanë lëvduar kot, thosh. Kurse kur lexojnë shpifje e sharje, e kanë të qartë se është punë smire. Askënd nuk e ka zili kot njeri. Kësisoj, i ngritur në qiell a i përbaltur, fama e artistit vetëm rritet…
Megjithëse nuk ishte gjeni, – e përjetësia e shkrimeve të veta mbetet ende e diskutueshme, – Eftimiu e kaloi një pjesë të jetës nën shenjën e hasmërisë së kolegëve. Mllefi shpesh i pashpjegueshëm ndaj fatit të tij, ndaj dhuntive të shumta, jo rrallë preku gjenetiken. E urrenin ngaqë ishte i kamur, kish sukses të pazakontë në femra, vishej si princ, dëshmonte një zemërgjerësi prej sheiku, kapërcente me një lirshmëri të dyshimtë mbi çikërrimat njerëzore… Në njëfarë mënyre, të robtuar nga paragjykimet e moçme ballkanase, shumë nga sivëllezërit e urrenin vetëm ngaqë ishte gjallë dhe i vërtetë. Me një shtjellë batërdisëse shpifjesh e thashethemesh mëse të rëndomta, në varësi të lojnave politike, e sulmuan herë si grek, herë si sllav, herë si shqiptar, herë si antisemit, herë si proçifut e herë si hafije të hungarezëve. Jeta nuk i linte kohë të përgjigjej. Diku, me gojën e vet dëshmon se nuk kish pasur kohë madje as që t’i lexonte të gjitha shpifjet. E gjen kohën në vitin 1944, mëson ç’është thënë e shkruar për të gjatë tridhjetë vjetëve të shkuar dhe kthen përgjigje. Vëllimi “Kujtime dhe polemika” nis me një rrëfim tronditës:
“Një shqiptar muhamedan, – shkruan Eftimiu, – tek bënte muhabet me një shqiptar të krishterë, i zenë sytë, hipur mbi gomar, një të panjohur.
– Ç’është ky? – pyet muhamedani.
– Një çifut, – i gjegjet i krishteri.
– Po çifutët ç’janë?
– Janë njerëzit që vranë profetin tonë.
– Po ju, ia morët hakun?
– Jo, se profeti ynë na predikoi faljen, dashurinë.
– Mbase, por profeti ynë nuk na ka predikuar kështu!
Dhe, pasi ngre pushkën e shenjon, shqiptari muhamedan qëllon dhe e shemb udhëtarin nga gomari.
– Ç’bëre, more? e pyet i krishteri, i tmerruar.
– Ia mora hakun profetit tuaj!
– Po vdekja e tij ka ndodhur para dy mijë vjetësh!
– Mbase, por unë tani e mora vesh!”
Besoj se shumica e atyre që kanë marrë përgjigjen e Eftimiut, të paktën për disa ditë, do të kishin ëndërruar të ishin tjetërkush. Ironia sipërore dhe gazmendi i kulluar, shprehur nga Eftimiu ndaj atyre që janë rropatur për vite me radhë ta mposhtin, është i rrallë në letrat rumune. Vetiu hasmët e një jete shndërrohen në një turmë të patrú. Të këtillët s’kanë komb e fé, janë binjakë pavarësisht nga vendi ku jetojnë, nga gjuha që përdorin në shkrime. Mangësitë e tyre njerëzore nuk arrijnë as të fshihen e as të përfitojnë nga vlera e mirëfilltë artistike e veprës së ndonjërit. Eftimiu iu kumton me thjeshtësi se: “… nuk më mposhtët as ju para njëzet vjetësh, as të tjerë para dhjetë vjetësh, as pasardhësit tuaj, njëzet vjet më vonë. Kam ca çelik në rrënjët e eshtrave, ca argjend të gjallë në gjak – jo të shtënë me shiringa. (…) S’kam goditur pas shpine asnjë koleg, s’kam synuar lavdinë a bukën e askujt, nuk jam stepur t’i fitoj me duart e mia, duke i shkulur. (…) Përkundrazi. Ai ‘joben dhe rresht kostumesh anglezë’, ato ‘fotografi që s’linin vend për gjë tjetër nëpër vitrina’, fitimet përrallore, jeta prej nababi që paskam bërë e bëkam tani, e tërë ajo atmosferë legjende, më fort e përfytyruar, se sa e vërtetë, mes së cilës paskam jetuar, egocentrik e mendjemadh, i ka trullosur pak tregtarucët tanë të letrave, ua ka trandur bindjen se poeti është njëfarë shushunje, një gjymtak i brejtur nga oftika apo i dalë mendsh, i rreckosur e lypsar, që dridhet para pragut të tyre, rrjepacak dhe prekës, duke ua mallëngjyer shpirtin gjatë të kremteve të shenjta apo ditëlindjeve”. Të gjithë duhet ta dinë se “nuk para u shkon mbroth me arnautët: kam trashëguar një shëndet trupor dhe një baraspeshë morale, të cilat s’mund të m’i brejnë brumbuzhelët. (…) Njeriu i fortë rrëzohet vetëm nëpërmjet vetvetes”.
Shterja e një malli të gjatë e jo fort të qartë
Njeriu që i qëndroi pranë Eftimiut, përveç sekretarit të përkushtuar Kistian Pançesku dhe së dashurës së fundit, Anka Kendit, ishte i nipi, aktori i njohur i teatrit rumun Kiril Ekonomu (1912-1984). I lindur edhe ai në Boboshticë, i mërguar njësoj si Eftimiu, në moshë të njomë, Ekonomu ruajti për të ungjin një kult të qetë, përtej mjegullës së stisjeve legjendare që e mbështillnin. Ekonomu e shoqëron të ungjin gjatë udhëtimit të parë që kreu në Shqipëri, për t’u çmallur e ndofta për diçka tjetër, në verën e vitit 1971. Mirpo në vjeshtën e tretë të vitit 1972, kur edhe u përball me vdekjen, Eftimiu erdhi sërish në Shqipëri, kësaj here pa të vëllanë e pa të nipin… Këto dy udhëtime zgjojnë kërshërinë jo aq për etjen e Eftimiut për t’u çmallur me tokën që e lindi, se sa për pjesën ende të pazhbiruar të arsyes. Nëse herën e parë Eftimiun e grahte drejt Shqipërisë zëri orakullor i rrënjëve, – zë që magjeps gjithnjë e më fuqishëm, sa më tepër avitet vdekja, – arsyet e udhëtimit të dytë, takimet kokë më kokë me Enver Hoxhën dhe shkarja në banjën e motelit në Pogradec, rënia në komë dhe vdekja, mbeten të paqarta.
“Në verën e vitit 1971, më 21 qershor, – shkruan Ekonomu në vëllimin e vet me kujtime, – bashkë me Viktor Eftimiun dhe me vëllain e tij, Stelianin, merrnim udhën me tren drejt Shqipërisë, si të ftuar zyrtarë të qeverisë. Ka qenë një çast emocionesh turbulluese, sepse, në fakt, ëndrra jonë ishte të shihnim sa vendin e shqiptarëve, aq edhe fshatin e lindjes, Boboshticën, ku patëm parë të tre dritën e diellit. (…) Pra, pas më shumë se një gjysme shekulli, po ecja drejt shtëpisë, lumenjve dhe maleve të fëminisë sime, të gjitha të ngulitura fuqishëm në kujtesë. Pas një dite qëndrimi në Beograd, ku nëpunësit e Ambasadës Shqiptare na bënë një pritje plot përzemërsi, udhëtuam drejt Manastirit. Atje na prisnin tri “Fiat”-e dhe dy mjekë që patën ndjekur studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Bukuresht. E që atje, pas një mëngjesi të bollshëm në njërin prej restauranteve të qytetit të njohur maqedonas, u nisëm drejt pikës kufitare të Pogradecit, qytet që ndodhet anës liqenit të mrekullueshëm të Ohrit. Nuk u habita pak, kur vura re se, tek kalonim kufirin jugosllav, e tërë rruga që çonte në Pogradec ishte mbushur me nxënës, njerëz moshash të ndryshme, me flamuj e parrulla në duar. Diku, përskaj rrugës, varej një beze katërkëndëshe, ku shkruhej: “Mirë se erdhët!” Zbritëm nga “Fiat”-et e reja fringo dhe u pritëm nga zyrtarët e zonës, si edhe nga tre ministra të ardhur nga Tirana. Televizioni dhe përfaqësuesit e medias ishin edhe ata të pranishëm. Pranë rrugës ngrihej një monument kushtuar partizanëve shqiptarë, para të cilit ramë në gjunjë dhe mbajtëm një minutë heshtje. (…) Na patën rezervuar për ditën e mbërritjes një motel disa hapa larg liqenit. Mjedisi ishte i këndshëm, sidomos pas lodhjes së udhëtimit që pat zgjatur, me tren e me vetura, pothuajse një ditë të tërë. Pasi mblodhëm pak veten dhe kulluam vështrimet në kaltërsinë e liqenit, na ftuan në një sallë të zbukuruar me shije, ku do të jepej pritja e parë, mes aq pritjesh që pasuan gjatë gjithë vizitave tona. Të tre ministrat që përmenda, përfaqësues të partisë dhe të pushtetit vendor, profesorë, gazetarë, të tjerë intelektualë, të gjithë qenë ulur rreth tryezës, në pritje të ‘miqve’. Një shpërthim duartrokitjesh dhe brohoritjesh shoqëruan hyrjen tonë në sallë. Tryeza ishte tejet e pasur dhe sundohej nga ushqimet e shkëlqyera gatuar me peshk nga ujrat e Ohrit. (…) Ndonëse Viktor Eftimiu ishte tetëdhjetëvjeçar, shfaqte një gjallëri që i mahniti të gjithë të pranishmit, duke e gazmendur tryezën me shprehjet e tij të goditura.
Të thëna e vetëm aq…
Paranoja shtetërore e Shqipërisë së asaj kohe kish nevojë, në radhë të parë, për shembuj. I duhej dëshmuar pjesës tjetër të kontinentit, asaj ‘ende’ të papushtuarës nga komunizmi, se historia kish filluar njëheresh me ngadhnjimin e komunizmit dhe se këtë të vërtetë e pohonin edhe artistë e intelektualë të shquar që patën bërë emër në kultura të tjera, tek ktheheshin e mrekulloheshin me arritjet e epokës së artë, vënë në jetë falë gjenisë së papërsëritshme të Hoxhës. Tre pleqtë e përmallur faniten në restaurantin e këndshëm në të dalë të Pogradecit.
“Disa trokitje në një gotë kristali i ftuan të pranishmit të heshtnin, – dëshmon Ekonomu. – Ministri i Informacionit dhe Propagandës u ngrit në këmbë për të ngritur dollinë e mirseardhjes në tokën e Shqipërisë Socialiste të ‘shkrimtarit më të madh shqiptar’, që kthehej në atdhe pas shumë dhjetëvjetshash. Duke e njohur mirë veprën e Eftimiut, citoi mjaft tituj dhe ngulmoi veçanërisht mbi disa rrëfime të Eftimiut, të frymëzuara nga ca legjenda të dëgjuara qysh në fëmini nga goja e të gjyshit, prifti i Boboshticës, rrëfime orientale, të cilat Eftimiu i pat përqëndruar në një hapësirë gjeografike krejt ilire. Foli pastaj një profesor, në një rumanishte të kulluar, dhe e cilësoi autorin e “Renditu, luleshqerrë” (Viktor Eftimiun – sh. im) si më të madhin shkrimtar shqiptar. (…) E këqyrja gjatë kësaj kohe Eftimiun me vëmendje dhe kuptoja se diçka e shqetësonte dukshëm. Synonte të gjente formulën më të përshtatshme që t’u përgjigjej zyrtarëve. U ngrit me vështirësi dhe si me njëfarë ashpërsie në zë, por me një vështrim buzëqeshës, ngriti një dolli.
– Të dashurit e mi, – filloi ai, – ju falenderoj nga zemra për fjalët e pamerituara që më blatuat. Falenderoj qeverinë që më ftoi, ju falenderoj të gjithëve për pritjen që na bëni këtu, në Pogradec. Do të doja veç, që në fillim të vizitës sime në Shqipëri, të saktësojmë një gjë. Unë nuk e cilësoj veten shkrimtar shqiptar, po rumun. Sepse në Rumani, ku mbërrita qysh në vegjëli (isha tetë vjeç) u formova nga të gjitha pikëpamjet. Atje studiova, atje më nxitën të shkruaj, atje kam njohur suksesin dhe famën. Por gjatë gjithë jetës sime nuk e kam harruar për asnjë çast vendlindjen, fshatin ku jam lindur, dhe kam ruajtur një admirim të pandryshueshëm ndaj popullit shqiptar, një popull kaq trim, i ndershëm, dhe që ka shkruar faqe epopesh përgjatë gjithë historisë së vet, sidomos në luftën partizane kundër fashizmit që ju pat pushtuar atdheun”.
Dhe e mbylli fjalimin në shqip: ‘Rroftë Shqipëria! Rroftë Enver Hoxha!’ Dushi i ftohtë që u hoqi zyrtarëve u harrua krejt, dhe një entusiazëm i papërshkrueshëm shpërtheu pas fjalimit të tij. E qartë është se, gjatë ditëve që pasuan, pllaka (e gramafonit – shprehje ironike. n. y.) me ‘shkrimtarin e madh shqiptar’ nuk u përsërit dhe u zëvendësua me një pllakë të re: ‘shkrimtari i madh rumun, lindur në Shqipëri, në… afërsi të Korçës'”. (…)
Një nga sirenat leshverdha. E fundit.
“Lashë pa thënë se, bashkë me ne, – shton Ekonomu, – në delegacion bënte pjesë edhe një mbesë e Ilarie Kendit (kritik i shquar rumun i viteve ’20-’30), – Anka, – e cila ishte sekretare dhe mjeke e Eftimiut dhe e cila pat marrë me vete nga Rumania gjërat që ishin në modë atë vit, fundin e shkurtër, por tashmë paksa të zgjatur, që të mos fyente puritanizmin shqiptar. Meqë vajtja jonë në Tiranë ish caktuar për një ditë më vonë, dola bashkë me Ankuca Kendin të bënim një shëtitje buzë liqenit. Në plazh – grumbuj njerëzish ardhur me pushime. Gratë, të reja e të moshuara, mbanin kostume banje të qepur si për ca murgesha që rrekeshin të ishin njëra më e përkushtuar se tjetra. Fanitja e Ankucës… shkaktoi një rrënqethje të përgjithshme. Veshja e saj verore, në mjedisin e atij plazhi, dukej pothuajse e pahijshme. U gjendëm menjëherë të rrethuar nga një grup kurreshtarësh. Për fat të mirë, doli syresh një i ri që pat studiuar në Institutin Politeknik në Bukuresht. Nëpërmjet tij arritëm të shkëmbenim mendime me kurreshtarët, të cilët nisën të na silleshin me një ngrohtësi të paharrueshme”.
Lidhjet e valutës me qetësinë…
Njëfarësoj të tmerruar nga udhëtimi plot kthesa, shpate të thiktë, humnera, të magjepsur nga aftësia e pashoqe e shoferëve shqiptarë, për të cilët mësojnë se janë më të aftët në botë, tre pleqtë mbërrijnë në Hotel Dajti. Në gostinë e mirseardhjes, Eftimiu u ngrit sërish në qiell si “shkrimtari i madh rumun, lindur në Shqipëri, … në afërsi të Korçës”. Më vonë i pret Presidenti Haxhi Lleshi. Ishin të pranishëm të gjithë anëtarët e qeverisë. Gjatë bisedës, Eftimiu thotë: “Po e rishoh Shqipërinë pasi kanë kaluar aq vite, sa nuk është mirë t’i numuroj. Vërej një shndërrim fantastik. Malet e vendit, dikur të zhveshur, tani janë kthyer në ca kopshte të mrekullueshëm, plot gjelbërim. Pashë gjatë rrugës nga Pogradeci batalione të tërë të rinjsh që çanin malet për ndërtimin e një hekurudhe që t’ju lidhë me Evropën. Klima e Shqipërisë është ideale. Pse nuk ndërtoni kampe pushimi, hotele në të cilët do të vinin shumë turistë të huaj me valutë?!”.
Përgjigja i vjen shpejt dhe njëfarësoj ngurosëse: “Vëlla Eftimiu, sa më pak valutë, aq më shumë qetësi në atdhe!”. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë së atëhershme, Nesti Nase, ai që dha përgjigje, vijoi: “Vendi ynë është i kërcënuar nga të gjitha anët, sidomos nga fuqitë e mëdha. Kemi një pozitë strategjike në Evropë. Që nga ne hapen rrugë drejt Azisë, Afrikës, drejt të gjitha meridianeve të botës. Malet tanë janë të fortë e të papërkulur. Çdo fuqie ushtarake do t’ia kish ënda t’i shtinte në dorë”.
Kurse Eftimiu, duke ngritur gotën me shampanjë, ia pret: “Shkëlqesi, zotërinj ministra, do të jenë zotër në tokën tuaj vetëm ata që do të arrijnë t’i shkulin malet me rrënjë e të ikin me ta mbi shpinë”.
Kohërat dëshmuan se nuk qe nevoja të lodheshin aq peshëngritës.
Rreth kombësisë së diplomatëve
Ekonomu na bën të njohur se: “Metafora e magjepsi mjedisin. Radioja, gazetat, e botuan të nesërmen me gërma të mëdha, e jam i bindur se ajo shprehje do të mbetet e gdhendur si një citat antologjik në faqet e historisë së vendit të Skënderbeut”. Pak kohë më vonë, domethënë pas disa ditësh, një tjetër vizitë tek Enver Hoxha (duket se është kryer edhe të paktën një takim më parë, ku Ekonomu nuk ka qenë i pranishëm). Ky i doli përpara Eftimiut, e përqafoi dhe i uroi nxehtësisht, me një frëngjishte pa të sharë, mirëseardhjen.
– Si ndihesh, vëlla Eftimiu, – e pyeti kryetari i Partisë.
– Me pleqërinë, Shkëlqesi.
– Ç’është ajo pleqëri, – ia ktheu Enver Hoxha. Zotrote thua në njërin nga aforizmat e tua të shkëlqyera se pleqëria është rinia e mbrame.
Kuptohet, Eftimiut i erdhi shumë mirë që ‘shkëlqesia e tij’ ia pat lexuar veprat, mirpo u gjend ngushtë kur Hoxha, pa ligësi, i kujtoi një tjetër aforizëm. “Më mirë të lindesh diplomat shqiptar, se sa francez. Si shqiptar, mund të arrish në Paris, kurse si francez – në Tiranë”. Të gjithë u zbavitën, teksa Eftimiu këmbënguli të sqaronte se aforizmi qe shkruar në kohën e Ahmet Zogut, ish mbret i shqiptarëve”.
Varret e të parëve dhe gjedhët
Më në fund, pleqtë mbërrijnë në fshatin e lindjes. “Shtëpia e Eftimiut, ku bëmë nga një fotografi në fund të vizitës, – thotë Ekonomu, – qe djegur nga themelet prej hordhive të Hitlerit. Mbi rrënojat e saj veç, gjendej një pllakë përkujtimore që bënte të njohur se aty ish lindur Viktor Eftimiu. Pranë saj, në një shtëpizë të pastër, të hijshme, ndodhej një muze i vogël “Viktor Eftimiu” me librat e tij të botuar sa në rumanisht, aq edhe në shqip. Muret e muzeut ishin mbushur me fotografi të ndryshme, qysh nga fëminia e Eftimiut e deri në ditën kur ne sosëm aty. Në afërsi: varreza e kishës së Shënkollit. Kisha qe shndërruar në depo drithërash. Në varrezë: varret e gjyshërve tanë, mbuluar me bajga të thara, me kryqet e paprekur, kryqe mbi të cilët Eftimiu u përkul, i puthi dhe bëri kryqin me përkushtim të çiltër, si një besimtar i flaktë”.
Me kaq, kujtimet e Ekonomut mbyllen. E ndonëse shënimet e tij firmosen pas vdekjes së Eftimiut, në to nuk gjejmë asnjë të dhënë, asnjë mendim rreth asaj vdekjeje.
Shkoni e i mblidhni ata që kanë bërë emër jashtë shtetit.
Duhet të vdesin në atdhe!
Për udhëtimin e dytë të Eftimiut në Shqipëri dihet shumë pak. Mjeshtra të fshehjes e të shndërrimit të ngjarjeve, shërbëtorët e regjimit të asaj kohe janë kujdesur që pothuajse asnjë detaj të mos tingëllojë rrejshëm. E qartë është vetëm se, herën e dytë, Eftimiu kuvendoi mjaft gjatë me Stalinin shqiptar, dhe bisedat, në disa pika, nuk duket të kenë qenë aq të përzemërta. Hamendjet janë të pakta. Si mason i shquar e me ndikim të ndjeshëm në Evropë, Eftimiu mbase qe dërguar t’i jepte Hoxhës ndonjë këshillë lidhur me të drejtat e shqiptarëve brenda kufijve zyrtarë, ose thjesht t’i bënte të qartë se nuk ishte krejt i pavdekshëm, siç do të shpallte vite më pas, gjatë ditëlindjes së tij të fundit, diktatori, në prani të një grupi të përbetuarish. Fjalët e panjohura të Eftimiut duhet të jenë shprehur njëfarësoj edhe gjatë takimeve të vitit 1971 dhe Enver Hoxha, me nuhatjen e vet të pakalueshme saherë i kërcënohej, apo i dukej se i qe kërcënuar froni, duhet të ketë kërkuar ca kohë për meditim, duke e ftuar Eftimiun vitin e ardhshëm, për t’i vënë punët në vijë siç duhet. Ai vit i mjafton Hoxhës për të hartuar një përgjigje të disafishtë ndaj qarqeve të përfaqësuara nga Eftimiu. Në nëntor të 1972-shit, në pikën kufitare të Qafë Thanës, siç dëshmojnë disa pogradecarë që janë gjendur rastësisht aty, dy zyrtarë të lartë të sigurimit të Shtetit, – emrat e tyre dihen, – kur janë pyetur miqësisht nga oficeri i radhës se “për nga kështu?”, janë përgjigjur me mburrje: “Po shkojmë të marrim Viktor Eftimiun, që të vdesë në atdhe!”
Hamendja rreth këshillave të matura dhënë nga Eftimiu mbështetet njëfarësoj edhe nga fushata famëzezë që ushtroi regjimi i Hoxhës mbi artistët dhe intelektualët e Shqipërisë gjatë dhe pas vitit 1973, pas Festivalit të 11-të të Këngës në Radiotelevizion. Mes dy mënyrash për të ruajtur fronin, Hoxha zgjodhi më të mbrapshtën, atë që tashmë e pat bërë zakon të zgjidhte. Pasojat përgjithësisht dihen.
Orët e fundit të kësaj jete…
… Eftimiu i kaloi në qiell, mes Shqipërisë dhe Rumanisë, në helikopterin e posaçëm që pat ardhur për ta çuar në Bukuresht. Pranë i qëndroi dashuria e tij e fundit, Anka Kendi, hyjnia leshverdhë që pat trullosur dikur plazhin e Pogradecit. Si mjaft të dashura të tjera të Eftimiut, edhe ajo u largua nga Rumania dhe u vendos në Perëndim, ose u fundos në njërën nga shumë guvat pa emër të kryeqytetit rumun. Nuk dëshmoi asgjë për çastet e mbramë të Eftimiut. As nëse ai la ndonjë amanet, as në iku nga kjo botë i hidhëruar, apo i qetë – ai që, siç shprehej gjithnjë pa u shtirë: “Nuk iu pat kërkuar asnjëherë, njerëzve dhe jetës, përveçse një buzëqeshje”.