Kjo frazë i atribuohet Volterit, megjithëse nuk gjendet në asnjë nga veprat e tij. Është një parafrazë e mendimeve të tij, të shprehura nga shkrimtarja Evelyn Beatrice Hall, në librin e saj “Miqtë e Volterit” (1906). Fraza shpërfaq parimin e lirisë së shprehjes dhe mendimit, të cilin Volteri i ka mbrojtur dhe promovuar gjithmonë, duke e patur atë si postulat. Volteri ishte një filozof dhe shkrimtar francez i shekullit të 18-të, i konsideruar si një nga baballarët e Iluminizmit.
Volteri (21 nëntor 1694 – 30 maj 1778) është një nga shkrimtarët më të nderuar dhe më të cituar në historinë e letërsisë. Ai ishte mbështetësi i zëshëm, kujdestari i patundur dhe kryqtari i palodhur për idealet më të larta.
Veprat e tij karakterizohen nga një stil ironik dhe polemik, në të cilin ai kritikon padrejtësitë, bestytnitë dhe fanatizmin. Ndër veprat e tij më të njohura janë “Fjalori filozofik”, “Candide” dhe “Traktat mbi tolerancën”.
Në zemër të demokracive moderne qëndron besimi themelor në lirinë e shprehjes. Është një gur themeli që i lejon njerëzit të shprehin mendimet, besimet dhe ndjenjat e tyre pa frikë nga hakmarrja.
Fraza e Volterit na fton të kuptojmë se në një shoqëri të ndryshme do të ketë gjithmonë mendime të ndryshme. Më shumë se një kërcënim, kjo përfaqëson një pasuri. Perspektivat e ndryshme japin nuancë dhe pasurojnë debatin publik. Të mbrosh të drejtën e dikujt për të shprehur një opinion nuk do të thotë domosdoshmërisht të pajtohesh me të, por të njohësh rëndësinë e pluralitetit në diskursin publik.
Toleranca është një virtyt që kultivohet me kalimin e kohës. Pranimi se të tjerët kanë të drejtë të shprehin mendime të kundërta me tonat, na detyron të reflektojmë mbi vlerat dhe besimet tona. Ky reflektim mund të na shtyjë të riafirmojmë bindjet tona ose t’i rishqyrtojmë ato, por në të dyja rastet na pasuron si individë dhe si shoqëri.
Gjatë historisë, ne kemi parë rreziqet e censurës dhe shtypjes së shprehjes së lirë. Diktaturat dhe regjimet autoritare shpesh fillojnë duke kufizuar fjalën e lirë. Duke mbrojtur të drejtën e secilit për t’u shprehur, ne mbrojmë gjithashtu demokracinë dhe të drejtat e njeriut.
Megjithatë, si me të gjitha të drejtat, liria e shprehjes ka kufijtë e saj. Nuk mund të përdoret për të nxitur dhunë ose për të përhapur urrejtje. Këtu qëndron sfida: Si ta balancojmë të drejtën e shprehjes së lirë me përgjegjësinë për të mbrojtur shoqërinë nga fjalët e dëmshme?
Fraza që i atribuohet Volterit është një kujtesë e vazhdueshme e rëndësisë së lirisë së shprehjes në një shoqëri demokratike. Ai na bën thirrje që të jemi tolerantë, të vlerësojmë diversitetin e opinioneve dhe të jemi gjithnjë vigjilentë ndaj përpjekjeve për të kufizuar këtë të drejtë themelore. Është një thirrje për të mbrojtur jo vetëm zërat tanë, por edhe zërat e atyre me të cilët nuk jemi dakord. Sepse në këtë mbrojtje qëndron thelbi i vërtetë i lirisë.
Po, iluministët duhet të kryesojnë betejat për lirinë e shpirtit, tha Volter, edhe pse nuk ishte i vetëm në këtë sipërmarrje, atij ju desh që i vetëm t’i bënte ballë kërcënimeve dhe pengimeve që ky parim i vuri përballë si prej krejt ndeshjeve, këtë më të vështirën dhe fondamentalen.
Përgatiti: Albert Vataj
Material i shfrytëzuar:
Posti në Facebook: Carmen Margherita Di Giglio
“Traktat mbi tolerancën”
Kalendari Enciklopedik Shqiptar