Nga Albert Vataj
Ndre Mjeda ishte nji prej figurave ma t’spikatuna të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, t’njatyne kohnave të stuhishme t’përcaktimit të fatit dhe vendit t’meritum t’Shqypnis si identitet nacional n’goj t’hordhive e orekseve t’pangishme të njatyne që dreshtën diellin e shqiparizmës me shndrit n’agim t’kohës.
Roli dhe kontributi i Mjedës shënon një moment të rëndësishëm t’krejt njasaj plejade fatosash t’idealit t’nalt t’kombit, duke mëtu me të njajtin zell dhe përkushtim, si në devocionin e shërbestarit ku ai mëshoi mqa s’shumi nisun edhe kah arsimimi dhe zashmëria e t’shëlbymit prej dritës qiellore, njashtu edhe të veprimtarit politik, atij gjuhësor, shqiptonjësit dhe mëtimit të krijimit poetik, t’amël mjalt. Mori pjesë tue dhan nji kontribut fort t’çmuem, në Kongresin e Manastirit. Gjithashtu ishte nismëtar për formimin e Komisisë letrare, themelus i shoqërisë kulturore “Agimi”. Punoi me përkushtim t’madh e me pasion për gjuhën shqipe, shkroi poezitë e përmbledhura në “Juvenilja”, ndërmjet të cilave shkëlqejnë poemthat “Andrra e jetës”, “Vaji i bylbylit”, “Liria”, “Lisus”, “Skodra”… Dom Ndre Mjeda, cilësohet si “mjeshtër i fjalës poetike” dhe “poet me një konceptim poetik të mirëfilltë, që solli risi në vargun e poezisë shqipe”.
Prolog i shpirtshëm për Mjedën poet
Ma i bylbylshmi za qi ka lmue kandjen e këndimit e kumtimit shqip asht ai, Ndre Mjeda, mylmimi dhe tamëltimi i vargzimit të të cillit përngjasin te ligjërimi i nji adnje t’shpirtshme qi ai i dha ligjërimit poetik, ndijimit dhe përjetimit. Kangën e zashme të amshtit dhe kandës kurrkush nuk mujti me e ligjëru me atë amë hyjnie ma mirë se Dom Ndre Mjeda, anipse kjen shumë pena e pamenda që e lëruen njat tokë t’begatume n’këmdime. Kurrkush, atëherë e dermsot, nuk ka mujt me e thuar me kaq amëlsi dhe finesë, më një shqipe t’kullueme zanin e shpirtit, kushtrimin e xanun vend thellë në të gjallët e një prej figurave ma t’kandshme të letërsisë shqipe, personaliteteve ma t’venosun të politikës, shërbestarit të devotshëm të fjalës së shenjtë dhe nacionalistit. Tash rrëmojmë në mbamendjen e kandës së shqipes në gjininë e ligjërimit të hyjnive, poezisë, e sandejmi munena me nxjerr shumë emna, shumë skalitës së asaj gegnishtë t’kulluet, të asaj finesse kumtuese, por s’pariherë na yshtena me e vu përpara në këtë piedestal, Ndre Mjedën. Buzëhollin e lirikës shqipe, zanin e patëdytë të kumbimit.
Jeta dhe përpjekjet
I lindun në Shkodër më 20 nandor 1866, ai gjasi me ken e me met nji maj në krenin e shqipes dhe shqiptarëve. Kushtet e vështira ekonomike nuk e zhytën dot në terr shndritjen e këtij ylli, të cilin e pikasën jezuitët, që panë tek ai tharmin e një shërbestari të devotshëm.
Spanjë, Itali dhe Poloni, ishte gjeografia e studimeve dhe formimit teologjike të Mjedës. Në fillim dha mësim në një shkollë të naltë fetare në Kroaci, prej ku u dëbuar nga urdhri jezuit për mosbindje, duke u kthyer në vendlindje. Që në ag të vrulleve, u lidh me lëvizjen patriotike. Më 1901 bashkë me të vëllanë themeloi shoqninë “Agimi”, e cila krijoi një alfabet dhe botoi një varg librash për shkollat mbi bazën e këtij alfabeti. Ai shkroi për mirditorët një memorandum, drejtuar përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha në Shkodër, ku ankoheshin kundër pushtetit osman. Poeti ngriti zërin e kushtrimit pas mbylljes së shkollës së mesme shqipe në Korçë. Kjo veprimtari do ti kushtonte lirinë. Më 1902, Ndre Mjeda, arrestohet, por i shpëton me nji syrgjynosje në Anadoll. Këtë kapërcyell të jetës së tij e himnizon me poemthin, “I tretuni”. Më 1908 në Kongresin e Manastirit u zgjodh anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuem të shqipes, ndërsa më 1916-1917 ishte anëtar i Komisisë Letrare. Në periudhën e zjarmit të lëvizjes demokratike (1920-1924), Ndre Mjeda mori pjesë në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Vitet e fundit shërbeu si mësues i gjuhës shqipe në qytetin e Shkodrës, dhe vdiq në këtë qytet më 1 gusht 1937.
Ndihmesa e shqipshkrimit
Ndre Mjeda dha ndihmesën e vueme edhe në fushën e gjuhësisë. Puna e tij u zhvillu në; gramatikë, leksikologji, filologji. Krijoi alfabetin që u zbatua prej shoqnisë “Agimi” me kriterin shkencor, për çdo tingull nji shkronjë, duke përdorur shenjat diakritike. Dha gjithashtu ndihmesë të shënuar në lëvrimin e gjuhës letrare. Në historinë e gramatologjisë shqiptare janë për t’u përmendur “Vërejtje mbi artikuj e përemna pronor të gjuhës shqipe (1934), Mbi shqiptimin e qellzoreve ndër dialektet e ndryshme të gjuhës shqipe (1902).
Ndre Mjeda asht ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që u morën me studimin dhe transkriptimin e veprave të letërsisë sonë të vjetër. Transkriptoi pjesërisht veprën e P. Bogdanit (1930) dhe të P. Budit (1932), shkroi për dialektin shqiptar të Istries (1932) dhe për Perikopenë e ungjillit të shek. XIV-XV (1933).
Mjeda dhe poezia
Me Mjedën kena nji nga mendjet më të mëdha të kohës, njeriu që dinte pothuajse gjithçka për poezinë, për poezin jo vetëm si nji za shpirtit, poezinë si një shpërthim krijues, por për poezinë si shkencë. Me gjithkëtë duhet të kujtojmë se ai nuk qe rob i rregullave të ngurta të vjershërimit, pasi siç shkruan “masa e plotëson poezinë, por nuk asht nji gja e domosdoshme e saj”. Kjo thanie ka vlerë të veçantë kur kena parasysh një poet që ka kultin e formës: duhet kuptuar se, megjithëse mjeshtër i formës, ai nuk e ka kërkuar atë, ka qenë ideja që ia ka organizuar, duke u përftuar kështu katreni katërrrokësh me rimat ABAB, gjashtëvargëshi shtatërrokësh me rimat ABABCC, gjashtëvargëshi shtatërrokësh me rimat ABABCD etj.
Botimi i veprës “Juvenilja” më 1917 pati fatin e veprave të dorës së parë, ato me të cilat mediokriteti i zakonshëm nuk hyn dot në marrdhanje: pra, nuk u shkrua për të. Gjergj Fishta ishte zëdhënës i letërsisë romantike kur do të donte (Hylli i dritës, 1921) që kjo poezi të vinte “më tepër prej zemrës se sa prej mendjes”. Mirëpo s`duhet harruar se në kulmin e postulatit romantik “poezia asht shpërthim spontan i ndjenjave” (Wordsworth), John Keats thoshte se poezia asht diçka “impersonale”, pa dasht të përmendim, Edgar Alan Po e Charles Baudelaire, të cilët sollën shkëputjen e plotë nga kjo atmosferë.
Që në shkulmet e rinisë ai do të hidhte sytë nga poezia, poemthi “Vaji i bylbylit”, i cilli u botua me 1881. “Liria” do të vinte më 1937. Në xherdanin e kangës ai i ka jo më pak shndritëse poemthat me tingëllima “Lissus” dhe “Scodra”, kjo e fundit e papërfundume.
Mjeda si veprimtar politik dhe klerik
Për me ken ma i sakt në profilizimin e plotë të figurës së Ndre Mjedës, s’mundet me i’a dal pa e përfshi në këtë dëshmim edhe veprimtarinë e tij politike dhe klerik, siç e cekëm edhe ma nalt. Mjeda, më 1921 u zgjodh deputet i prefekturës së Shkodrës, u rizgjodh në dhjetorin e 1923; në famullinë e tij në Kukël kishte lënë zëvendës Dom Ndre Zadejën. Gjatë veprimtarisë parlamentare, Mjeda në qershor të vitit 1921 u caktu në Komisionin parlamentar të Drejtësisë. Në korrik mbajti nji fjalim të fuqishëm për çështjen e masakrave serbe në Kosovë. Hartoi edhe pjesë nga rregullorja e brendshme e parlamentit të kohës, përkatësisht ligjin për formimin e komisionit për shqyrtimin e zgjedhjeve të deputetëve, si dhe funksionimin e tij. Pas vrasjes së Avni Rustemit, Mjeda bashkë me kolegët e vet përfaqësues të Shkodrës, u kthye në Shkodër dhe në maj të 1924 nxit fshatarët e Kuklit që të përkrahnin revoltimin e njësive të ushtrisë që çuen drejt Lëvizjes së qershorit dhe qe pjesë e shtabit të kryengritjes.
Pas Lëvizjes jetëshkurtër të qershorit dhe rikthimit të Zogut, tek po bëht gadi të shkonte me autobus në Tiranë për me merr pjesë në punimet e Asamblesë, u arrestu dhe u burgos në Prefekturën e qytetit të Shkodrës nga 14 janari deri më 2 mars 1925. U tërhoq nga jeta politike dhe u kthye në Kukël.
Mjeda e kaloi gati gjithë jetën e tij si prift në krahinat e Shkodrës, veçojmë shërbesën 1906-1907 në famullinë e Kuklit.
Mjeda në devocionin e besimit
E ndër veprat fetare të Dom Ndreut mund të përmendim: “Jeta e Shęjtit Shë Njon Berkmansit” që e përshtati prej italishtes më 1888, kur ishte vetëm 22 vjeç; “Të Pergiámit e Zojës së Bekueme”, përshtatur prej spanjishtes më 1892, e ribotuar më 1927; “Lumnít e Zojës” përshtatur prej italishtes, botuar më 1929; “Devocioni i Zemrës së Jezu Krishtit”, përshtatur prej frëngjishtes më 1931; “Katekizmi i Madh” përshtatur prej italishtes. Ribotoi edhe 14 Ligjërata të Imzot Pjetër Bogdanit, të cilat i pajisi me një parathënie të vetën me titull: “Jeta e së Lumes Virgjin Mërí ‘ nxjerrun prej veprës “Cuneus Prophetarum”.
Pas këtyre përkthimeve, shkroi veprën origjinale “Shën Luigj Gonzaga, Projsi i pergjithtë i moshës së rë”. Në XXI kapituj tregohet jeta e vepra e Shenjtit që u shpall nga Papa Pio XI “Pajtor i rinisë”, ndërsa në kapitullin e XXII e të fundit botohet Letra Apostolike që Papa Piu XI i drejtoi Eprorit Gjeneral të Shoqërisë së Jezuitëve, të asaj kohe, me rastin e kremtimeve të dyqind vjetorit të shenjtërimit të Shën Luigjit, përmes së cilës, siç thotë ai vetë, ka për qëllim t’i flasë mbarë moshës së re. Një nga veprat e munguara të Mjedjës, me vlera të mëdha studimore në lëmin e gjuhës shqipe e sidomos të terminologjisë fetare, është oficja “Vizari Shpirtënuer”, punuar nga poeti-meshtar në bashkëpunim me fratin françeskan, Atë Benedikt Dema, pa kujtuar këtu letërshkëmbim tepër të pasur të priftit-poet e gjuhëtar.
Po dom Ndre Mjeda kje i madh në të gjitha fushat e dijes
Për me konturu përmasat e njëmendta të Mjedës, në fushën e dijes, posaçërisht në fushën e gjuhës shqipe, sjellim ç’ka Prof. Ernest Koliqi shkruen:
“Po t’ishte qénë Dom Ndreu vetëm nji erudit mbledhës citatash klasike apo vetëm nji ligjerues i hollë mbi systemet e ndryshme filozofike, vepra e tij sigurisht do të kishte humbun me tê. Nji tjetër gjâ e bâni të Madh e të padekëshëm: dashunija e stërfuqishme për gjuhë shqipe. Ai njoftës i rrallë i gjuhve të vjetra, ai qi shkruente mjeshtrisht pesë gjuhë të mëdhaja europjane dhe lexonte e kuptonte njâ tri a katër tjera, dashunonte me nji dashuní të njomë e luftarake kët gjuhë të palavrueme t’onë. E dashunonte si Dijetar e si Atdhetar, e dashunonte edhe si Poet. Shkrimtarët e moçem gegë e toskë dhe italo-shqiptarë i studjonte pajadá dhe dinte këthelltas historín e çdo fjale të shqipes. Ai i vetmi ndër ne, po të kishte dashun, mund të përpilonte nji fjaluer historik të gjuhës, sepse përveç përdorimit të saj në popull dhe ndër tekste letrare njifte mirfilli edhe burimin ethimologjik. Ndoq përherë me vërejtje studjimet e albanologve dhe mbajti letër-shkembim të vazhdueshëm me Pedersenin, Joklin, Tagliavinin. Qe në riní dishepull i Gustav Mayerit. Mjerisht shum pak prej vërejtjeve të shumta, qi ai përmblodhi në këto studjime të parreshtuna, Dom Ndreu botoi. Ai shpërndante dijen e vet në gjuhësí ndër këshille miqve, nxânësvet, kujdo qi i siellej. Auktorë fjalorësh e shkrimtarë të vjetër e të rij (ndër të cilët edhe unë) i detyrohen ndihmës së tij zêmër-bardhë për spjegime, ndriçime, qortime e shllime. Ai epte landen e vet të grumbullueme me vishtirsí, i knaqun kur dikuj i hinte në punë për naltësim të shqipes e të Shqipnís”.
Letërkëmbimi
Ajo që e tregon si nji ndihmes n’rrugtimin e Mjedës, në krejt lëmet ku ai dha ma t’mirën e ma t’zedhshmen e vullnetit të tij asht edhe te letërkëmbimet ai ai ka pat. Ndër bashkëkohësit e Rilindjes, Mjeda kishte letërkëmbim me Nikolla Naçon, të cilit i shprehte dëshirën që ta ndihte të lidhej me rilindas të tjerë.
Mjeda u interesua që herët për veprën e albanologëve që bënë studime e botime mbi gjuhën, kulturën dhe historinë shqiptare. Kësodore pati një letërkëmbim të rëndësishëm me Meyer, Pedersen, Thomsen, Thurneysen, Krymbacher, Kretschmer, Bloomfield, Brugmann, Tagliavini, Patsch, Jagiq, Nachtigal, Skok, Jokl, Reinisch, Karabacek, Mueller, Schroeder, Jarnik, Lambertz, Meillet, Viezzoli, Valentini, Cordignano, Teza, Nopça, Thalloczy dhe Weigand.
Letrat që Ndre Mjeda ia dërgoi Gustav Mayer
Një prej letërkëmbimeve ma të randsishme mbetet komunikimi që mjeda pat me Gustav Mayer. Për me na pru nji panoramë ma të kjart të këtij ngulmi epistolar, ndalena te çka shkruan i madhi Martin Camaj.
Në faqet e Shejzat – v.j., vjeti X – 5-6 (1966) 180-189 – patëm pru dymbëdhetë letra të Ndre Mjedjes, dërgue nga Polonia albanologut Gustav Meyer në Graz. Aty Poeti ynë na del në nji dritë të re, sepse na paraqitet për të parën herë si letërshkrues me nji stil elegant në gjuhën italishte, ku flet për vete, për gjuhën shqipe e vendin e vet me nji dashuni të flakët të nji Rilindasi së vërtetë. Ky stil i natyrshëm na zbulon Mjedjen në nji prizëm real të karakterit të tij të pjekun dhe të matun.
Adhurimi që ka për Meyer-in si mjeshtër nuk e pengon që me nji ton nderues t’i shprehë anët e dobta dhe lajthimet, në të cilat kishte ra albanologu i përmendun. Qëllimi i Mjedjes asht që Meyer-i të mbështetej në gjurmimet e veta në landë të sigurtë të shqipes, prandej e dënon fjalorin e Rossi-t, që Meyer-i kishte shfrytzue. Mjerisht nuk i kemi letrat e Meyer-it: kushdi ku kanë mbarue gjatë udhëtimeve të shumta të Mjedjes jashtë dhe mbrenda Shqipnisë.
Letra e fundit e Mjedjes nga Krakovia mban datën e 16 marcit 1893. Pata mendue (shif Shejzat 5-6, 1966, fq. 181, 189) se ky letërshkëmbim muer fund me këtë rasë. Tue pasë përduersh tashti të gjitha letrat, dërgue Gustav Meyer-it nga gjuhëtarët e kohës, sidomos shum me randësi ato të albanologut Holger Pedersen dhe të Rilindasve shqiptarë, si të K. Kristoforidhit, të Mitkos, etj., që do të dalin veçmas për shpejti si landë historie shkencore pranë “Südost Institut” të München-it, gjej tash edhe tri letra tjera të Mjedjes, nji nisë nga Görz dhe dy: nga Portorè afër Fiume-s.
Në letrën e parë Poeti i lyp të falun dijetarit për heshtjen e gjatë dyvjeçare. Poeti nuk tregon se për ç’arësye nuk ka shkrue tash dy vjet. Ngjan se gjatë kësaj kohe Mjedja nuk ka pasë kohë të mirret me çashtjen e shqipes. Natyrisht ai nuk përmend gja nëse ka pasë vështirsi në rrugën e jetës që kishte marrë. I kënaqun asht Poeti se i dërgon Meyer-it si dhunti kopjen e parë të fjalorit të Jungg-ut, dërgue nga Shkodra në fashikuj e që ende nuk gjindej në shitje. E siguron se asht i saktë në dhanjen e trajtës së vërtetë të fjalëve shqipe si dhe kuptimit e se nuk mund të krahasohej me fjalorin e Rossi-t, që Poeti e mban të pasigurtë. Ankohet se “ata zotnitë” atje në Shkodër mbështeteshin gjithnji në tradicion e se nuk doshin të pranoshin disa shenja të grafisë së Meyer-it. Mjedja, si dihet dhe nga aktet e Kongresit të Monastirit, asht kundra përdorimit të dy shkrojave për nji tingull: ai ndjek parimin, që sot kanë disa gjuhëtarë modernë, se çdo shenj grafik duhet të përfaqsojë nji tingull ase si thohet sot nji fonem. Asht kundra prandej që š të shkruhet me dy germa sh si dhe zh në vend të ž etj.
Poeti nuk din se çka ka dalë mbi gjuhën shqipe ndër rrethet e gjuhëtarëvet të huej qysh prej korrikut të 1893. Lajmron se posë librave dërgue dy vjet përpara as në Romë dhe në Shkodër nuk ka dalë ndonji gja e re. A mund ta ketë këputë letërshkëmbimin me Meyer-in sepse nuk ka pasë t’i komunikojë ndoj gja të re?
Në letrën e dytë Mjedja lajmon se ka ndrrue prap vend: prej Görz (Gorizia) asht transferue në Portorè, në kështjellin e Frangipane ku jezuitët kishin nji shkollë dhe nji kuvend. Në këtë kolegjë Mjedja asht profesor i filozofisë. Ngjan se asht i kënaqun dhe i impresionuem prej bukurisë së këtij vendi. Bora që Poeti e quen Buro, sigurisht si alusion i etimologjisë së Meyer-it (EW. fq. 55), shkruen se asht i tëmerrshëm, kur ai fryn. Ka shpresë se vjetin e ardhshëm do të botojë diçka në gjuhën shqipe “natyrisht, thotë, tash për tash gjithnji sende të divotshme”. Sigurisht Mjedja në këtë kohë rrekej të shkruente poezi mbi historinë e lashtë të Shqipnisë dhe popullin ilir, në trajtën e Lissus. Lajmron se në Shkodër ipeshkvijt shqiptarë doshin të themeloshin nji akademi studimesh shqiptare e se propozimi kishte ra mbi tê që ta drejtonte. Nuk e ep arësyen pse ky projekt ishte shkue “tutto a fumo”. Sigurisht fjala asht për nji shoqni si ajo e Bashkimit, në të cilën Mjedja ma vonë pat nji rol me randësi.
Letra e tretë e dërgueme gjithnji nga Portorè përmban nji falnderim të përzemërt për dërgesën e Meyer-it të vëllimit të IV të Albanesische Studien. Shkruen se e ka këndue veprën disa herë. Me mendësinë e nji dijetari të vërtetë nuk rrin tue lëvdue auktorin, por në nji mënyrë të njerzishme ven në dukje se në Shkodër nuk thonë dretš (dreç), por dreq. Mjedja mendon se ç e q ortografikisht ngatrrohen në Shkodër, por e vërteta asht se ç e q në shum të folme të kësaj krahine janë shkri ase kanë ra në nji fonem (q ase ç), prandej nga kjo rrjedh se dhe në shkrim ngatrrohen germat në fjalë.
Mjedja ven me të drejtë në dukje se prania e o-s në vend të u-s asht nji karakteristikë e të folmeve lindore gege: në Prizrend thohet odhë në vend të udhë si dhe dokem në vend të dukem. Trajta të tilla djalektore kanë shty dhe Jokl-in të bijë përcaktime të gabueshme mbi shtresat e fjalëve latine në shqipe (Balkan-Archiv, IV 196), që Çabej mandej me të drejtë e kundërshton tue pru faktin se kemi të bajmë me varianta djalektore (krh. Zur Charakteristik der lateinischen Lehnwârter im Albanischen, në “Revue de Linguistique”, VII – 1 (1962) fq. 164). Mjedja i propozonte Meyer-it që në rasë se donte të bante nji botim të dytë të fjalorit etimologjik, ishte gadi t’i dërgonte dhe informata tjera mbi të folmet e Shkodrës, sepse trajtat e kësaj ane nuk kanë qenë të riflektueme drejt nëpërmjet të ortografisë së Propagandës në përdorim.
Poeti lyp lajme prej Meyer-it dhe rreth levizjes kulturore të arbreshëve të Kalabrisë me në krye De Radën. I ka ra në vesh se atje ishte themelue nji shoqni për zhvillimin e studimeve rreth gjuhës shqipe. Albanologu Meyer i ndoq kambë për kambë të gjitha levizjet shqiptare të Rilindasve tonë. Mun ai u ba vetë trumbetues i këtyne përpjekjeve tue shkrue dhe në gazeta mbi gjallninë e intelektualëve shqiptarë. Poeti ynë don që dijetari austriak të vejë dorë dhe të mbarojë nji gramatikë krahasuese të shqipes: ai këtë e lyp në shum letra me kryeneçsi, sepse nji vepër të tillë ky e sheh të nevojshme “për lumninë e Shqipnisë” sepse tue i tregue botës randësinë e shqipes në gjuhësinë krahasuese indoeuropiane, Mjedja e din se shkon në të mirë të çlirimit të popullit shqiptar dhe trajtimit të nji shteti në vete. Ky asht piksynimi i Rilindasve dhe për këtë qëllim punojnë e shkruejnë si Mjedja, Mitko, etj.
Memorie dhe mirënjohje
E ku ma mirë se në Kukël ku shërbeu Mjeda, dhe ma denjësisht mundet me u përkujtu, me u nderu e me ken nji dritare kah hyn drita e një njeriu të përkushtum, si në gjitha çështjet, edhe në atë të shërbestarisë fetare. Qendra Muzeore ”Ndre Mjeda” në Kukël, qysh prej vitit 2012 mban statusin monument kulture i kategorisë I.
Kompleksi përbahet nga kisha dhe nga qela (shtëpia ku ka banuar rreth 30 vite Ndre Mjeda) dhe është ideuar dhe projektuar nga vetë Mjeda, sipas stilit neoklasik. Qela është e ndërtuar në vitin 1906 dhe kisha në vitin 1913. Në vitin 1962, banesa u kthye në shtëpi-muze, si degë e Muzeut të Shkodrës, ku pati të ekspozume objekte personale të Mjedës, si materiale fotografike, shkrime studimore, botime librash etj. Në vitin 1991 shtëpia-muze “Ndre Mjeda” u mbyll dhe gjithë materialet e ekspozuara u dërguan në Muzeun Historik të Shkodrës. Në vitin 1993 në kishën e Kuklit shërbyen misionaret e Nënë Terezës, të cilat banën nji shtesë ngjitur me qelën nga ana e pasme e saj, si dhe në hapësirën ndërmjet kishës dhe qelës, duke i lidhur këto dy objekte.
Pjesë e këtij përjetësimi të jetës dhe veprës së Ndre Mjedës asht edhe shtatorja e Ndre Mjedës, vepër e skulptorit Sadik Spahija, e cila u përuru në nëntor të vitit 2017, ku personalitete, njerëz të letrave, politikanë dhe banorë të zonës, pjesmorën në edicionin e 13-të të takimeve kulturore “Ditët e Mjedës”.
Huajt për referim nga:
Elsie, Robert (1997). “Historia e Letërsisë Shqiptare” (PDF). Dukagjini. Marrë më 10 mars 2018.
Dom Ndre Mjedja, Cika, v.2, nr. 28-29, fq. 202, Shkodër, 5 shtator 1937.