Mes reporterit e gazetarit me orientim politik dhe fotografit; njeriut të propogandës dhe vëzhguesit të paanshëm, një hendek mbetej i diskutueshëm në punën dhe panoramimin fotografik që Giuseppe Massani i bëri Shqipërisë së vitit 1940.
Ai ndoshta kishte ardhur për të dokumentuar sukseset e qeverisjes fashiste në Shqipërinë e çliruar nga Mbreti i “urryer” dhe këtë më mirë se fotografitë asgjë nuk mund ta kryente këtë mision. Dhe kjo kishte ndodhur dhe ishte e lexueshme në disa fotografi më shumë se në disa të tjera. Kësisoj lind pyetja ç’punë kishte fotografitë e Viktor Emanuelit të III dhe Duçes në një shtëpi në Theth, apo si të kuptohej takimet e përzemërta të banorëve të kryeqytetit më ushtarakët italianë, apo biseda e ngrohtë e një zonjë veshur me kostum kombëtar shqiptarë me Benito Muzolinin, etj., etj..
Albanologu kanadezo-gjerman, Robert Elsie në një prezantim të kolanës së fotove të Giuseppe Massani, ndalet në këtë prizëm, kur shton se “Massani u bë ithtar i flakët i lëvizjes fashiste dhe doli në pah me një album fotografik për Musolinin dhe fashizmin: La suaterra [Toka e tij], Bergamo 1936. Pas kësaj, botoi një sërë albumesh për rajonet e Italisë: Sicilia në vitin 1938 dhe Liguria në vitin 1939. Në prill 1939, Shqipëria u pushtua nga forcat italiane dhe pak kohë më pas iu aneksua perandorisë së re romake të Musolinit. Ishte momenti i duhur për fotografin që t’i prezantonte publikut italian trevat e reja të Italisë përtej Adriatikut.
Sigurisht me mbështetjen zyrtare, Masani udhëtoi gjerësisht në Shqipërinë ‘italiane’ dhe bëri fotografi të mrekullueshme. Fotot u botuan në vëllimin Albania: testo e foto di Giuseppe Massani [Shqipëria: teksti dhe fotot nga Xhuzepe Masani], Romë 1940, me një kapitull të fundit të propagandës fashiste ‘Bashkimi Italoshqiptar.’ Të gjitha pamjet e këtij koleksioni janë marrë nga ky libër. Në vitet 1960 dhe 1970 Masani botoi disa albume të tjera, shumica e të cilave tashmë janë lënë në harresë. Albumi i Shqipërisë i vitit 1940, i harruar edhe ai, mbetet i mahnitshëm si pasqyrë e Shqipërisë së vjetër para komunizmit.
Gjithsesi pjesa më e madhe e fotove të tij dalin edhe nga kuadri propagandistik, duke evidentuar veprimtarinë jetësore të banorëve, por edhe duke nxjerrë në pah më një kontekst të theksuar promovimin e traditës dhe etnografisë shqiptare.
Përgjithësisht albumi i Giuseppe Massanit është një komunikim i vlershëm dhe një pasqyrë cilësore i fokusit të fotografit, pavarësisht orientimit që udhëpriu atë në këtë tur në Shqipëri. Fotot e Giuseppe Massani janë ajo çfarë vlen dhe përcjell, ajo që tregon dhe argumenton. Larmia e tematikave dhe harta e shtrirjes së veprimtarisë së tij është shteruese. Në albumin e këtij fotografi mund të gjejmë gjithçka që i duhet një interesimi për të kuptuar në planin e përgjithshëm rreth gjendjes dhe zhvillimeve në Shqipërinë e vitit 1940.
Albert Vataj
http://www.albanianphotography.net/massani/