Ajo ishte jo vetëm një grua e bokur, me sy të xhamtë e me shpirt prej eteri, por ishte edhe një mendje e dritur në njëmijë diej, një ëndje që do ti kumtonte vite më vonë botën krijuese. Ajo befasoi botën e artit, siç do të befasonte Niçe, kohën, pas një harrimi të gjatë. E ku tjetër, veçse atje në Amerikën e ideve novatore, e artit dhe lirisë së shprehjes, atje ku bota ishte gati për gjithçka që mëtonte shpirti.
Një grua që guxon kaq shumë, një grua që tenton të kapërcejë dhe ia arrin të rrëzojë të gjithë muret rrethues të kufizimeve dhe robërimit estetik. Një grua në art që shtegton artin figurativ në një erë të re. Ajo është suedezja, Hilma af Klint, e cila u lind më 26 tetor 1862 dhe u shua në moshën 82-vjeçare më 21 tetor 1944 gjatë një aksidenti. Ajo ishte një artist dhe mistik suedeze. Pikturat e saj cilësohen nga kritika si arti i parë abstrakt perëndimor i njohur për komunitetin e artistëve. Një trup i konsiderueshëm i veprës së saj abstrakte paraprin kompozimet e para thjesht abstrakte nga Kandinsky. Ajo i përkiste një grupi të quajtur “Pesë”, një rreth i grave të frymëzuara nga Theosophy, të cilat kishin një besim në rëndësinë e përpjekjes për të kontaktuar të ashtuquajturit “Mjeshtra të Lartë” – shpesh me anë të sanksioneve. Pikturat e saj, të cilat ndonjëherë i ngjajnë diagrameve, ishin një paraqitje vizuale e ideve komplekse shpirtërore, një filozofim matematike, një ide psikologjike e implementuar përmes një trajtimi tejet të sofistikuar që rreket të mbajë larg vëmendjes së shikuesit kodin e fshehtë të komunikimit, mistikën si shprehje estetike.
Kur Hilma af Klint filloi të krijonte piktura rrënjësisht abstrakte më 1906, ato ishin si ato pak punë që ishin parë më parë: të guximshme, shumëngjyrëshe dhe larg çdo reference të njohur për botën fizike. Ishin shumë vite kur ajo i’u përkushtua këtij arti abstrakt dhe thellësisht mistik, para se të shfaqej Vasily Kandinsky, Kazimir Malevich, Piet Mondrian, dhe të tjerët që do të hidhnin hapa të ngjashëm për të hequr çliruar artin e tyre nga përmbajtja përfaqësuese. Megjithatë, ndërsa shumë nga bashkëkohësit e saj më të njohur, botuan manifeste dhe ekspozuan gjerësisht, Hilma af Klint i mbajti pikturat e saj novatore larg syve dhe vëmëndjes së publikut. Ajo rrallë i ekspozonte ato, e bindur se bota nuk ishte ende gati të kuptonte punën e saj. Përcaktoi vullnetlirë që ajo t’i bëhej e njohur për publikun vetëm 20 vite pas vdekjes. Kjo ndoshta për t’i qëndruar sa më larg çdo keqkuptimi dhe anatemomi. Dhe ajo ndodhi. Puna e saj ishte e gjitha e paparë deri në vitin 1986. Vetëm gjatë tre dekadave të mëvonshme pikturat dhe punimet e saj në letër kishin filluar të marrin vëmendje serioze.
Vetëm në vitin 1986, me ekspozitën “Shpirtërorja e Artit në pikturën abstrakte 1890-1985” në Muzeun e Artit në Los Anxhelos, vetëm sohere vepra e Hilma af Klint u pranua më në fund në historinë e artit edhe nga publiku i gjerë. Pikturat e saj u prezantua krahas atyre të Mondrian, Wassily Kandinsky dhe Kazimir Malevich, por kur shikon datat e punimeve të saj të para abstrakte, duket se piktorja ishte në të vërtetë përpara kohës së saj dhe nuk mund të ishte ndikuar nga artistët e konsideruar si pionierë në fushën e artit abstrakt. Karriera e saj e vetmuar dhe e pazakontë është e lidhur ngushtë me një zhvillim shpirtëror dhe ezoterik. Vetëm një grup i vogël i brendshëm ishte i vetëdijshëm për pikturat e saj “mistike” dhe vetë artistja ishte e bindur se publiku i gjerë, nuk ishte në gjendje t’i kuptonte ato.
Albert Vataj