Jam të mbushur me vjeshtë, unë dhe ti. Me gjethe të kuqëluara si faqet që ti ndez epshi, ngarkuar jemi, të larë me hënë e stolisur me vezullim. Mbarsur jemi thellë nesh, me shira që vijnë të shuajnë etjen e stinës dhe epjen e dëshirimeve. Jemi trajta të llojllojshme që marrin retë e përfytyrimet ku ne shihemi.
Vera e shkuar bie nga pemët me krahë të shkruar gjethesh, si petkat që ti rrëzon dalldisja. Një kolovitje që na nguc e na deh në përkundje plot ninulla e ledhatime. Ndjejmë thellë se si na gufon një aromë gjiri, buzëve dhe puthjeve na epet një shije tamli.
Paleti i ngjyrave të vjeshtës është i prushur dhe e flakërues, si ne ndihemi, aq sa nisim të kemi ftohtë dhe të fugojmë pas zjarreve dhe kurmeve. E zëmë të strukemi në përqafime e rrokje plot afsh, me kast për t’u rikthyer dëshirimeve që ndezën së brendshmi, në ne dhe në pemë, edhe kur zhvishemi. Dalim nga harbimi për të hyrë në farën që udhëtoi me ne që nga përplasja e krijimit. E strukemi ku ka prehër dhe prehje kah një gjumë i thellë dhe shndërrim. Gjithëpoaq, “Vjeshta është një pranverë kur çdo gjethe është një lule”. (Albert Kamy) dhe çdo dëshirim është një fryt që zbret nga degët dhe i bëhet ëndje mrekullimit.
Mos harro, ti je shumë vjeshtë e shtrenjta ime, më shumë se çdo stinë tjetër. Je vjeshta e shtegtimit të zogjve dhe braktisjes së foleve, e drithërimave që lë ikja, dhe stolisja e ngjyrshme që hareshëm merr natyra. Po, gjithkah ne jemi e jepemi stinës së epshit dhe vjeshtës që na deh me aroma dhe epje.
Ke kaq shumë vjeshtë brenda teje e bukura ime, aq sa zbret nga pemët, të kllapit kolovitja, era të të ledh, ëndja të ndez, me gjethe vishesh dhe në fole zogjsh kërkon të strukesh.
Pikëllimi i qiellit shquan tek ty të gjitha nuancat e gris dhe ashtu e mermertë del nga legjenda dhe ngjitesh në statujë plot hir, freski dhe mrekullim prej kryevepre.
Jemi plot vjeshtë e dëshirueshmja ime, veshur me gjethe, kallur në ngjyra, dehur në aroma. Jemi fryti i të gjitha stinëve që piqet në vjeshtë, thellësia më e kthjellët e çdo qielli që ngarkohet me shira dhe fluturon në ne me krahë shtegtarësh.
Me vjeshtë ngarkuar zbresim nga pemët dhe retë, e shtrihemi me gjethet, në pritje të një gjurme që na zgjon e shiut që na përtërin.
Albert Vataj