Kur sheh këtë foto, përpiqesh të kuptosh shumë më shumë, se sa një grua që mban në kurriz një djep më fëmijën e saj në të. Përpiqesh, që duke u kthyer pas në kohë, të kuptosh se kjo sipërmarrje nuk ishte fort e lehtë, madje ishte vetë kuptimi që ajo i jepte jetës, ishte sakrifica që ajo bënte, ishte mundi dhe vuajtja që ajo duhet të sfidonte.
Veç peshës, asaj i duhej të mbante në shpinë barrën e përgjegjësisë së një gruaje, të një nëne, së cilës kudo që i duhej të shkonte, fëmijën duhet ta merrte me vete me patjetër, e mundur ose jo të ishte, shëndosh apo e sëmurë. Për fëmijën nëna ishte gjithçka; streha, kujdesi, ushqyerja, siguria; në dimër dhe në verë, në borë e në shi, në erë e tufan, në arë për të punuar tokën, në mal për të bartur dushk, në kullot më bagëtitë, për shyqyr e për vaki, te ilakaja e në gjini; fëmija, askund nuk mund të ishte veçse me të, pranë saj. Vetë jeta e fëmijës ishte në duart dhe prehrin e saj, sepse nëna ishte nënë në kuptimin e themeltë të ligjësisë së ekzistencës.
Të ishe nënë në kohën e fotografisë, ishte vetë shenjtërimi i misionares. Dhe ishte ky ngadhënjim mbi vështirësitë, ky triumf mbi sfilitjen, ky devocion i shëlbyer me bekim, ai që nënat i lartësoi në altar.
Albert Vataj
Foto huajtur nga postimi në “Albanian Vintage Photography, people, cities, culture and history”