Andja e plakut
O shpirtje e tamëlcume n’andje, n’andrra am t’pata,
Pakun kenke e vyshkun ma e hyjshmja lule,
Petalet tuja prap flakun janë, prushin e djegin.
Ardhun, kah andje aromash kallun n’dehje,
N’mu mbetun ke, njejt si s’pariherë,
Me hirin tand prej egjëlli, bardhue dritimit.
N’synin tand jan thye e ba copash qiejt e dalldisjes,
Buzët t’jan tha e shterrue langzimit.
Gjinjve t’tuj s’ulen ma hana me shue etjen,
N’njat kurm qi heponte dikur mrekullimit.
Mbetun s’ka prej asaj harlisje, veç cytje kujtimesh,
S’vijnë ma pranvera me t’përvlu n’epshe.
Syt qi zdrypin thell me t’nguc vërshimet e gjakut,
Janë thye n’vezullime qi feksin nëpër terr t’vetmimit.
Prekjet e befta qi t’prushin n’epsh, e përpjet t’pupthin,
Kanë sos e shkue kah ma s’kthehen,
Rrxue theqafjeve krahkputun, i’an dhan ikjes.
Hukamt e përpushjeve veshun me gjethe, fikun vjeshtave,
As kanga e degëve nuk t’përkund ma n’dehje.
M’dhimti n’shpirt qi t’pash njaq molis e shterrue,
T’deshta dikur motit, e pasha ty, prap t’due.
Me lot e lava n’çdo hap t’ikjes tande,
Pritja m’përfundi me mungimin, mallshëm ktheve!
A don me dasht sod, me ba ç’ka s’mujtëm dikur,
A mundesh njasaj zemre gjëmimin me i’a ndigju,
E kyt shpirt t’drobitun n’mu, me muj me t’dasht,
Sod, gjithqysh tue u desht, e prap tue u drasht.
Jena zbardh e dritun mbetun kena n’shpirt,
Me u ndez dro s’mujm, por me u djeg qysh jo.
A thu, njajo zemër asht ligun magjepsjes,
E s’guxon ma dallgshëm me rrah shkamive t’dëshirave,
E po hiqesh zvarr si vala tue u struk rans s’përzhitun t’bregut.
Duej me jetu me plagt e zemrës, me vujt e lumnue,
Pikoft ky qiell yjet e andjeve t’mija, n’synin tand.
Dritt n’njat shpirt hana qi patëm mblojë natave t’ndezun n’epshe,
Knoft era pëshpërimën e përgjërimeve tuja e t’mijave lutje.
U baft sodje e shkumja, ardht mrekullimi i qiellit n’ne,
Xaft rranj e harlisjeve fërgëlleft shpengimi i kurmeve tona.
Ç‘ka dashtëm e drashtëm ta duem me tan shpirt,
T’ia marrim ksaj jete ç’ka e jona ish, e t’ikim s’ka dert,
Ani, shkojmë mbushun me përjetësi, shkrepun n’nji yll.
Albert Vataj