Më pëlqen të jetoj gjithmonë në fillimet e jetës, jo në fund të saj. Ne të gjithë humbasim një pjesë të besimit tonë nën shtypjen e udhëheqësve psikopatë, historisë së çmendur, mizorive patologjike të jetës së përditshme. Unë nga natyra jam gjithmonë duke filluar dhe besuar, dhe kështu e shoh shoqërinë tuaj më të frytshme se ajo e, të themi, Edmund Wilson, i cili pohon opinionet, besimet dhe njohuritë e tij, si vërtetësinë përfundimtare.
Njerëzit e moshuar bien në modele të ngurtë. Kurioziteti, rreziku, eksplorimi, harrohen prej tyre. Nuk e keni zbuluar ende se keni shumë për të dhënë dhe se sa më shumë të jepni, aq më shumë pasuri do të gjeni në veten tuaj. Ndjeje brenda teje, se sa herë që shkruani një histori, ju dhuroni një nga ëndrrat tua dhe ndiheshe më i varfër pa të. Por, atëherë ju nuk keni menduar, që kjo ëndërr është mbjellë tek të tjerët, fillojnë ta jetojnë edhe të tjerët me të. Pra ëndrra juaj ndahet, krijon të tjera përmes farës së vet.
[…]
Ju nuk duhet të keni frikë, të përmbaheni, të numëroni ose të jeni koprrac me mendimet dhe ndjenjat tuaja. Është gjithashtu e vërtetë, që krijimi vjen nga një tejmbushje, kështu që ju duhet të mësoni të merrni, të thithni, të ushqeni veten dhe të mos keni frikë nga plotësia. Plotësia është si një valë e baticës që më pas të mbart, të rrëmben në përvojë dhe në shkrim. Lëreni veten të rrjedhë dhe të vërshojë, lejoni rritjen e temperaturës, të gjitha zgjerimet dhe intensifikimin. Diçka lind gjithmonë nga teprica: arti i madh lindi nga tmerret e mëdha, vetmia e madhe, frenimet e mëdha, paqëndrueshmëritë dhe gjithmonë i balancon ato. Nëse ju duket se unë lëviz në një botë sigurie, ju, par contre, duhet të përfitoni nga privilegji i madh i rinisë, që është, që të lëvizni në një botë me mistere. Por të dyja duhet të udhëhiqen nga besimi.
Kjo është mes të tjerash çfarë ditaristja franko-kubane Anais Nin shkruan në letrën e këshillave një autori aspirues 17-vjeçar, të quajtur Leonard W., mentore krijuese e të cilit ajo ishte.
Përgatiti: Albert Vataj