Tek ai duke se gjithçka e kyçur në terr, shpërthen vezullimshëm e shquhet përmes një dielli hyjnor, që i sheh me adhurim portretet dhe i shquan me sqim linjat, duke formësuar trajtën që merr frymë e mëkon shpirtje. Nga asgjëja e ngurtësuar nën një shtresë të trashë terratisjeje, prej një ftohtësie që drithëron ai nxjerr dritën, shpirti i jepet një zëri ligjërues që të shtang. Kumti i tij krijuese bëhet shprehje e ringjalljes nga vdekja. Rrëmon tokën e shkallmon terrin për të lejuar që fara e tij e lajmit të mirë të dalë në sipërfaqe, të harliset përmes një kolori të dritur drojshëm që shpërfaqet vetëtimshëm. Sytë e tij shohin thellë në vështrimin e personazheve, në një përpjekje për të jetësuar çastin në vullnet përjetësimi. Ai, Rembrandt është i lindur për të krijuar, për të mëkuar përmes dritës forcën dhe vitalitetin e shpirtit, për të thirrur me zë qielli nga thellësia e kohës dhe zgjuar dritshmërisht sot tekaty çfarë flet dhe mendon.
Një studim intensiv psikologjik i njerëzve, objekteve dhe rrethanave të tyre, i shoqëruar me një përkushtim të sinqertë të krishterë, kjo e ushqeu jetën dhe veprën e Rembrandt. Shfaq talentin e tij si artist që në moshë të vogël. U bë mjeshtër i portreteve të të gjitha llojeve, i skenave historike, biblike dhe mitologjike, si dhe i peizazheve të thjeshta, simpatike, por dramatike. Ai përdori shumë lloje materialesh dhe teknikash me ndjeshmëri dhe spontanitet të pazakontë për të zhdërvjedhtësuar komunikimin e tij krijues. Qasjet ndaj kompozicionit, përdorimit të ngjyrave dhe hijes, ishin gjithnjë në ndryshim për të prodhuar momentet më të fuqishme, por më të natyrshme të ekzistencës njerëzore. Mjeshtëria e tij supreme e dritës dhe teksturës për të theksuar thellësinë emocionale gërshetoi një temë të përbashkët në të gjitha krijimet e tij, duke çimentuar statusin e tij si një nga mjeshtrit më të mëdhenj dhe novatorë të artit. Këto cilësi janë të dukshme nga madhështia e tij, piktura ambicioze të historisë së hershme në stilin më intim dhe më të shndritshëm të mëvonshëm. Gjeniu ikonë në përgjithësi konsiderohet si artisti më i rëndësishëm në historinë e artit holandez, pasi vepra e tij mishëronte periudhën e madhe të pasurisë dhe arritjeve kulturore të njohur si Epoka e Artë holandeze .
Një artist holandez jashtëzakonisht i gjithanshëm, Rembrandt Harmenszoon Van Rijne krijoi piktura magjepsëse që tregojnë një qasje gjithnjë të re që vizatohet në një gamë të vogël të dominuar nga tone të ndryshme të errëta dhe pika të arta. Mjeshtër i kiaroskuros. Ai përdor me mjeshtëri dritën dhe hijen për të theksuar fytyrat dhe duart e njerëzve që portretizon, pa lënë pas dore mjedisin në të cilin lëvizin. Veçanërisht i interesuar në portretizimin e skenave tradicionale dhe biblike, ai i shpëton shfaqjes estetike të shumë artistëve barok dhe kurrë nuk i trajton veprat e tij në një stil, aq më pak të dëshmojë se i përshtatet çdo lëvizjeje artistike. Ai është kudo ai vetë për të udhëhequr trendet, duke sjell risi dhe ndryshuar vazhdimisht mënyrën e tij të pikturës. Një tjetër nga tiparet dalluese jepet nga aftësia e tij për të përfaqësuar një efekt lëvizjeje tërheqëse dhe sugjestive, duke arritur të përfaqësojë dramën e skenave që portretizoi dhe atë që dëshiron t’ju tregojë më shumë.
Studimi i thellë i shkëlqimit, i marrë falë një peneli paste dhe një ndriçimi misterioz e simbolik, ndërkohë që kujton ndikimin e Caravaggio-s, ngadalë largohet nga ky i fundit, duke i lënë vendin një pikture karakteristike personale dhe dramatike.
Risia e temave gjendet kryesisht në paraqitjen e skenave fetare, në të cilat ai arrin të kontribuojë me një vizion intim personal. Megjithëse skenat e ilustruara nga Bibla dhe pikturat e historisë në shkallë të gjerë po dilnin jashtë modës, Rembrandt mbeti i përkushtuar ndaj zhanrit të detyruar nga një përkushtim i thellë fetar dhe ndjeshmëri për gjendjen njerëzore. Ai është quajtur një nga profetët e mëdhenj të qytetërimit për shkak të interpretimit human të këtyre rrëfimeve shekullore.
Gjenia e tij duket qartë, jo vetëm me risinë e portretit kolektiv, por mbi të gjitha në autoportretet e tij, të cilat tregojnë me mjeshtëri kalimi i paepur i kohës. Me penelin e tij arrin të rrëmbejë shpirtin e personazheve të portretizuara, duke pasqyruar me forcë botën e tyre të brendshme. Personazhet e tij janë të gjallë me emocione jashtëzakonisht të prekshme. Ata ndjejnë dhe shprehin atë thellësi të përjetimit si në një akt solemn. Ai besonte se emocionet njerëzore ishin më të rëndësishme se çdo aspekt tjetër i jetës dhe ndjenjat dhe përvojat e subjekteve të tij janë ato që ai donte të transmetonte edhe kur i pikturonte ato brenda kontekstit të historisë, fesë ose shoqërisë.
Për Ernst Gombrich, Rembrandt ishte po aq mjeshtër sa Rubens apo Velázquez në përkthimin e çmimit të shkëlqyer të sipërfaqeve. Ai përdorte më pak ngjyra të ndezura se ato: në shikim të parë shumë nga pikturat e tij duken të gjitha me një ton kafe të errët, por janë pikërisht tonet e errëta ato që bëjnë që disa ngjyra të ndritshme dhe të shndritshme të dallohen më fort, në kontrast.
Ata që janë mësuar me figurat e bukura të artit italian mund të ndihen të tronditur kur shohin për herë të parë veprat e Rembrandt, në të cilat artisti duket se nuk kujdeset aspak për bukurinë dhe, në të vërtetë, as që i shmanget shëmtisë së fortë. Në njëfarë kuptimi është kështu. Ashtu si artistë të tjerë të kohës së tij, Rembrandt kishte përvetësuar mesazhin e Caravaggio-s, punën e të cilit e kishte njohur përmes imituesve holandezë. Ashtu si Caravaggio, ai vlerësoi të vërtetën dhe sinqeritetin më shumë se bukurinë dhe harmoninë.
Ndwrsa poetika e Charles Baudelaire, e kumton:
“Rembrandt, çfarë spitali trishtimesh e plot murmuritje,
stolisur vetëm me një kryq të madh,
ku mes ngashërimit dhe tmerrit ngrihet një lutje
në rrezen e dimrit që e përshkon befas.”
Sipas André Féliben, Rembrandt […] Shpesh, në fakt, ai kufizohej vetëm në gjurmimin e penelave të mëdha, duke i aplikuar ngjyrat njëra pranë tjetrës, pa u shqetësuar se mos i depërtonin ato dhe nuk i shuanin së bashku. Megjithatë, duke qenë se shijet janë të ndryshme, mjaft njerëz i vlerësojnë veprat e tij. Është e vërtetë, megjithatë, se ai zotëron një art të madh dhe se ka pikturuar disa koka shumë të bukura: megjithëse nuk favorizohen nga hiri i penelit, ato kanë shumë forcë dhe kur vëzhgohen nga distanca e duhur bëjnë një efekt të shkëlqyer. dhe duken shumë plastike. […]
Megjithatë, I konsideruar si një nga mjeshtrit më të mëdhenj barok të pikturës dhe gravurës, ai është padyshim artisti më i rëndësishëm në historinë e Holandës dhe kontributi i tij në pikturë përkon me atë që historianët e kanë quajtur Epoka e Artë Hollandeze, e konsideruar si kulmi i kulturës, shkencës, tregtisë së saj, pushteti dhe ndikimi politik.
Përgatiti: Albert Vataj