Ai ishte një artist i pretendimeve modeste, artist rruge, i pa latuar nëpër sprova të trajtimit të formës prej mjeshtrave, por akti i tij krijues është një prekje hyjnore, është ai vullnet i epërm, i cili vjen në tokë me një mision të lartë. Magjia e këtij mjeshtri nuk qëndron vetëm te ansambli tronditës i dekorimeve që ai bëri dhe atyre që erdhën deri në ditët tona, por shkrepëtitës është te detaji, është te loja e zhdërvjellët për të sjellë në jetë vetë vullnetin qiellor që nga Bibla vezullonte në kisha e oratoriume. Çdo detaj, çdo trajtesë, çdo copëz e këtyre mozaikëve skulpturorë është një punë e jashtëzakonshme. Ky shpirt i madh, ishte dhe mbeti i tillë, edhe pse bota e tij ku ai jetoi dhe punoi ishte krejt minimaliste.
Arti i lashtë i stukos ku shkëlqeu dhe gjeti fuqinë të ngulitej në historinë e gjigandëve italian Giacomo Serpotta, shpesh është lënë pas dore sepse konsiderohej ekskluzivisht mjeshtëri në shërbim të arkitekturës ose skenografisë. “Stuc ou marbre factice”, llaçi si zëvendësues i mermerit të bardhë dhe me ngjyrë, për të kursyer kohë dhe para, për të arritur efektet e butësisë dhe lëvizjes, nuk u trajtua si i tillë nga mjeshtri i rrugës, Giacomo Serpotta (10 mars 1656 – 27 shkurt 1732) i cili ishte aktiv në stilin Rokoko.
Punoi me stuko te cilës ai i shtoi pluhur mermeri për ti dhënë asaj gjallëri dhe frymëmarrje. Ndoshta ky sekret e veçon atë nga gjithë të tjerët që punuan me stuko, të cilën duhej ta trajtoje me një ngjyrues për ta ngjitur në lartësinë e një vepre arti.
Serpotta u lindi dhe vdiq në Palermo, dhe mund të mos jetë larguar kurrë nga Siçilia. Shkathtësia dhe aftësia e tij me skulpturën e stukos duket se kanë lindur pa mentorim apo ekspozime të drejtpërdrejta me rrjedhën kryesore të barokut italian. Rudolf Wittkoëer e përshkruan atë si një gabim në një skenë provinciale, një “meteor në qiellin sicilian”.
Siç ishte zakon në ato kohë, Giuseppe dhe Giacomo e përfunduan mësimin e tyre artistik në punishten e babait të tyre, një punëtor mermeri dhe suvatues.
Në vitin 1677, së bashku me Procopio de Ferrari, ai dekoroi kishën e vogël të Madonna dell’Itria në Monreale. Puna e tij e parë e pavarur duhet të jetë ajo e vitit 1682 në lidhje me një statujë kuajsh të hazdisur të Charles II të Spanjës dhe Siçilisë, e cila u derdh në bronz nga Gaspare Romano.
Familja Serpotta, duke përfshirë vëllain e tij Giuseppe (1653-1719) dhe djalin e tij Procopio (1679-1755), ishte jashtëzakonisht pjellore në Palermo, duke dekoruar kisha dhe oratori. Në stil, ai ka një elegancë të mrekullueshme që shpesh kujton Antonio Raggin, një artist pak më i vjetër i cili ishte i aftë në dekorimin e stukos dhe aktiv në Romë.
Për shembull, dekorimi i Oratorisë së San Lorenzos (1690/98-1706) me një bollëk të tillë statujash, të mbushura me putti, saqë muret duket se dridhen nga lëvizja e një turme. Përfundoi punë edhe për Oratorinë e Santa Citas; Oratoria e Rosario di San Domenico (1710–1717); Oratoria e San Mercurio ; Oratoria e Santa Caterina, ngjitur me kishën e Olivella; dhe kapelën për Ospedale di Palermo. Puna e tij në oratorinë e Compagna della Carità di San Bartolomeo degli Incurabili në Palermo ka humbur.
Puna e tij me stuko për oratoritë ndjek një formulë të përgjithshme, por çdo përpunim është tour de force e tij individuale. Dy nga oratoritë i kushtohen rruzares dhe muri është i ndarë në një sërë tablosh ose dioramash, secila përputhet me Misterin e Rruzares, sipër tyre janë figura alegorike ose një pjellori kerubinësh në gëzime lozonjare. Tabela zhvillon një program imazhesh lutjesh, si një via crucis për lutjen medituese. Oratoria Santa Cita është e shquar për dioramat e saj, së bashku me figura pothuajse të ngjashme me zhanrin që na tërheqin vëmendjen nga kallëpët mbi të cilët janë vendosur. Midis dyerve që hyjnë në oratori është një përshkrim jashtëzakonisht i detajuar i një beteje detare, duke iu referuar Betejës së Lepantos. Në kornizat sipër dhe poshtë janë një trofe krahësh, duke përfshirë helmeta dhe parzmore, dhe një shqiponjë Hapsburge hap krahët e saj.
I gjithë prodhimi i Serpottos, i cili ka të bëjë me dekorimin e rreth tridhjetë kishave dhe oratorive, është pjesë e lëvizjes së madhe barok të shekullit të shtatëmbëdhjetë që do ta transformojë Palermon brenda dhe jashtë ndërtesave të tij: në sheshet, kishat, shatërvanët, rrugët e tij. Sipas historianëve, dy ishin forcat që e përshpejtuan këtë metamorfozë urbane: shndërrimi i fisnikërisë feudale në aristokraci oborrtare dhe ardhja në Siçili e erërave të Kundërreformimit.
Puna dhe frymëzimi i këtij mjeshtri sublim, i konsideruar si suvatari më i talentuar në Evropë, nuk mund të shterohet në këtë mënyrë. Janë veprat e tij që mund dhe duhen shijuar. Jo thjesht duke e parë si një e tërë, e cila ka ende vlerën e vet, por në detajet e çdo personazhi, të çdo shprehjeje të fytyrës, rrudhës së fytyrës, shprehitë dhe mimikën, plastikën dhe gjstikulacionet, pozës së duarve, palosjes së veshjes.
Përgatiti: Albert Vataj