Fundi dâlt hàjer ka than Gjergj Mullaga! E kush nuk e zotëron në Shkodër këtë eufemizëm dhe kush nuk e ka përdor atë, për të treguar një situatë pa rrugëdalje, të cilën je i detyruar ta presësh si të vijë dhe të përballesh me të ndoshta me “burrërinë” të pamundurës për të bërë diçka.
Shkodra, ndryshe nga qytetet e tjera ka plot eufemizma të tilla në themel të së cilës është shprehja, por edhe episodi, personazhi dhe ndodhia.
Miku im, David Boseta e trajtoi zbërthimin e kësaj enigme përmes një postimi në Facebook (1 tetor 2023) ai shkruan: Rreth viteve 1870 me njerën prej anijeve të tregtarit grosist Gjyl Begu mbërrin në Shkodër doktori francez Georg Mullinó. Zoti Mullinó i sapo diplomuar në fushën e mjekësisë ishte njëri prej organizatorëve lider në një revolucion francez të asaj epoke e për pasojë dënohet në mungesë me varje në litar.
Për ti shpëtuar dënimit doktori rebel arratiset nga Franca në Venedik e prej aty vjen në Shkodër.
Populli i Shkodres u tregua shumë dashamirës me doktorin francez i cili vizitonte, mjekonte e shëronte shkodranët me vullnet e pasion. Çdo të diel dr Mullinó me një shportë të vogël kashte dilte rreth kalasë dhe grumbullonte barëra e erëza me efekte shërues, por edhe të ushqyeshme si mandanoz, mullaga etj.
Kjo është arsyeja që doktori Georg Mullinó në pamundësi të saktë shqiptimi nga shkodranët u pagëzua me emrin shqiptar Gjergj Mullaga.
Ambasada franceze në Shkoder i deklaronte autoriteteve në Paris se shtetasi G. Mullinó nuk ekzistonte në Shqipëri, pasi doktori u pajis me pasaportë shqiptare me emrin Gjergj Mullaga.
Njëherë, në bisedë e sipër atdhetari i famshëm Kupe Danja e pyeti me të qeshur – Po në fund, kur të kapin, çka don me ba?
– Fundi dâlt hàjer – u përgjigj Gjergj Mullaga.
(Dr Georg Mullinó alias Gjergj Mullaga ka jetuar në Shkoder prej 1870 deri në 1905)