Nuk ka asnjë perëndim, i cili të ketë shuar në zgrip të horizontit zjarrin e poetikës së krijimit. Nuk arrin të “fundoset” kurrë ai diell, pa e ndezur tek zjarrin e një ndjenjë përmallimi. Nuk venitet dot ai spektakël, pa na kredhur në një prehje që na përkund dhe magjeps si joshje ngasëse, kujtimesh që zbresin në detet e gjakut që shuan etjen e idilikës së këtij rrëmbimi hutues.
Pa kuptuar, kuqëlimi i çasteve të mbarimit të ditës, ndezin ca drita që shohin thellë, shumë thellë në shpirtjen tonë.
Duar të gjata përjetimesh ngërthehen brenda nesh si rrënjë drite, aty ku një ëndje përpushet, duke na thirrur në joshje, aty ku drithërima na përshkojnë, duke na ngritur pupth.
Është kjo gjendje, janë këto impulse, ato që i bëjnë perëndimet kaq ngasëse dhe kupën e fundit të ditës kaq dehëse. Kjo është ajo vera e kuqe që na marros dhe mrekullon gjithmonë, dhe sërish e sërish na pëlqen të hidhemi të dehur në krahët e muzgut.
Albert Vataj