Në 1973, Horhe Luis Borhes (Jorge Luis Borges) vizitoi qytetin e Meksikos. Shkrimtari argjentinas pati atje edhe një takim të shkurtër me presidentin e Meksikës, Luis Eçeveria (Luis Echeverría). Disa muaj më pas, gazetari kolumbian Migel Kantero (Miguel Cantero) e pyet Borhesin për përshtypjet e këtij takimi dhe ai iu përgjigj: «Kurrë nuk e mora seriozisht. Por nëse ai është vërtet president, preferoj të mos imagjinoj qeverinë».
Borhesi i madh, në atë vizitë, u kërkoi të zotëve të shtëpisë një favor: «Dua të takoj shkrimtarin Huan Rulfo (Juan Rulfo)». Ata, të gatshëm për t’ia plotësuar dëshirën, i sugjeruan që të dy shkrimtarët të sëllinin së bashku. «Ju lutem, – u thotë Borhesi, – preferoj mbrëmjet. Mëngjeset më shkatërrojnë. Nuk i kam më as gjallërinë dhe as forcën për t’i dhënë ditës atë që meriton. Tashmë, gjatë muzgjeve ndihem më mirë. Dua vetëm të bisedoj me mikun tim Rulfo».
Të dy gjigantët e realizmit magjik dhe të “bumit latinoamerikan” u takuan dhe darkuan bashkë. Biseda e tyre, pak a shumë, ishte kjo:
RULFO: Mjeshtër, unë jam Rulfo. Sa mirë që erdhët. Ju e dini sa shumë ju admirojmë dhe ju nderojmë.
BORHES: Më në fund, Rulfo. Unë nuk mund ta shikoj një vend* , por mund ta dëgjoj atë. Dhe e dëgjoj me plot përzemërsi. Pothuaj e kisha harruar dimensionin e vërtetë të këtij zakoni të madh. Por mos më thërrisni Borhes, dhe aq më pak “mjeshtër”. Më quani thjesht Horhe Luis.
RULFO: Sa i këndshëm! Atëherë, edhe ju më thërrisni thjesht Huan.
BORHES: Le të jem i sinqertë. Mua më pëlqen më shumë emri Huan se Horhe Luis. Emri juaj me katër shkronja është sa i shkurtër dhe domethënës. Një nga parapëlqimet e mia kanë qenë përherë gjërat lakonike.
RULFO: Jo, jo. Në këtë rast nuk është ashtu. Huan mund të jetë kushdo, por Horhe Luis është vetëm Borhesi.
BORHES: Si gjithmonë, jeni tepër i sjellshëm. Më thoni, si keni qenë kohët e fundit?
RULFO: Unë? Për të vdekur, pothuaj, duke vdekur.
BORHES: Domethënë, gjërat po shkuakan mirë.
RULFO: Si kështu?
BORHES: Imagjinoni, don Huan, ç’fatkeqësi do të ishte po të ishim të pavdekshëm.
RULFO: Po, vërtet. Sepse mund të na kalojë një i vdekur këtu e të bëjë sikur është i gjallë.
BORHES: Do t’ju tregoj një sekret. Gjyshi im, gjenerali, thoshte se nuk quhej Borhes, se mbiemri i tij i vërtetë ishte tjetër, por ishte sekret. Dyshoj se quhej Pedro Páramo*. Atëherë, unë jam një ribotim i asaj që keni shkruar ju për Komalan.
RULFO: Ashtu?! Tani mund të vdes seriozisht.
———————————
*Borhesi atëherë ishte gjysmë i verbër.
*Personazhi kryesor i romanit të Rulfos, “Pedro Paramo”
Përktheu Bajram Karabolli