Luna, (macja në foto) është një nga dy macet e familjes. Ajo nuk di të lexojë edhe pse i pëlqen të jetë pjesë e një dekori magjepsës librash dhe rri gjithnjë mbi tavolinën time të punës, ndërsa motrës së saj, Gjalpit, i pëlqen të shohë televizor dhe të shprehi interesim të dëgjojë muzikë klasike (harmonika e marros fare).
Vështrimi i tyre është ai ligjërim magjepsës që na rrëmben, të cilit përpiqemi t’i japim kuptimsinë e një marrëdhënie afrie, në themel të së cilës qëndron reciprociteti i shkëmbimit të përjetimeve që na bëjnë të ndihemi bashkë.
Ata janë gjithnjë aty kur një gjë e butë ju përshkon si një prekje dhe një vështrim ngasës ju thërret në dëshirim për ta lejuar atë të bëhet prehje e çasteve tuaja. Natyra flet përmes tyre me një gjuhë delikate, e cila miklon dhe rrëmben vëmendje. Macet depërtojnë në gjithçka, duke përfshirë edhe brishtësinë tuaj, atë që kishit harruar se jeton ende me ju.
Macja duket se është mishërimi i çdo gjëje të butë, të mëndafshtë, pa ndonjë ashpërsi në përbërjen e saj: një ëndërrimtare, filozofia e të cilit është “Fli dhe lëre të fle”, ose “Lajkatohu të të japin gjëra të mira të hash”.
Macja është shpirt vërtetë i lirë që mbështet butësisht putrat e saj edhe atje ku ka ashpërsia dhe vrashtësia zënë vend. Sytë e saj joshin kur bebëzat magjepsëse ovale ngushtohen. Bishti i tyre leshator përdredhon pas çdo lëmimi të trupit plot qime dhe fjale lajkatare.
Një mace është një dikush në shtëpi që nuk lejon të ndihesh vetëm. Ajo na bën të ndihemi ende fëmijë. Na lejon ta ledhatojmë, ta mbajmë në prehër, të kujdesemi për të, ndoshta duke mos lejuar që të harrojmë se në ne ka ende dëshirime dhe përkujdesje. Duhet të vijë një mace në jëtën tuaj që t’ua kujtojë se dini ende të dëshironi dhe të dashuroni, të jepeni tërësisht pas një palë syve që ju vështojnë me ëndje, të ndjeni ngrohtësi dhe paqe kur gërrhitja e saj ritmike ju përkund dhe ju kllapit.
Ju mund ta keni të vështirë të pranoni në çdoditshmërinë tuaj një mace, ndoshta më pak të pamundur sa të lejoni dikën të jetë pjesë e çasteve tuaja. Por lejojeni një mace të çeli atë portë dhe të hyjë brenda, aty ku ju keni burgosur veten. Ndoshta do tu mësojë se si mund të jeni të lirë, madje edhe në praninë e dikujt që kërkon vëmendjen dhe përkujdesjen tuaj. Dhe ju të ndiheni ndoshta për një çast të vetëm, se nuk jeni vetëm, se prania juaj është gjithçka për dikë që vjen t’i bëjë shoqëri vetmisë suaj.