Edhe pse vdekja nuk e la gjatë me jetue, tue e marr në vjetin e 26-të, tue ndalue hovin runuer, e zjarrin e dishrimeve, tue mos e lan me kriju dhe me andrru. Ai njaq vjet sa pati frymë e rrahje zemre, jetoi t’amëltat çaste n’Shkodrën qi deshti andshëm, ngjizi kang e i dha za shpirtit, t’nezun dashnish e t’amëlcuem gazmimi. Andrrimit ju dha me kandje e adhurim, tue e meku me mish e me shpirt, tançkaje e ndez n’za e n’zemër, për me ken e me mbet, njaj qi sod e kujtojmë e përgjithmonshmërisë i’a lam amanet.
Gaspër Pali u lind në Shkodër, n’lagjen Sarreq, më 14 gusht 1916. Kreu shkëlqyeshëm filloren e pesë klasat e gjimnazit françeskan në qytetin e lindjes. U dashunu që herët si me leximin, krjimin edhe me muzikën, duke ndigjue s’bashku me mikun e tij, Prenkë Jakov, muzikën e gjenive, si Shubert, Puçini, Hajden, Moxartit, etj., frym e cilla gjallonte n’Shkodrën e traditave dhe kulturës, n’Shkodrën e adhurimit t’kahershëm të njatyne aspiratave qytetnuese, qi kjen fryma dhe andrra e tan’njatij brezi, n’themelet e t’cillës u naltue emni i qytetit, u hyjnizua bekimi i çdo vullneti rinuer, për me i ken dorzan këtij mëkimi t’hyjt.
Në vjetin 1940, Gaspër Pali kreu studimet për letërsi në Firence, për me u kthy masandej në Shkodër, ku punoi si mësues në gjimnazin e shtetit në periudhën, 1941-1942. Mbas dy vjetësh u mposht nga tuberkulozi, mjaft i përhapur në Shqipërinë e Veriut në atë kohë. Lufta me smundjen s’mujti me pas tjetër fitues veç vdekjen, e cila e ndali s’gjalli, por s’mujti me e ba zap në zanin qi la e fjalën që shkroi, shpritin, qi gdhendi n’këndim e mall, e emnin që ndezi n’andje e adhurim.
Gaspër Pali hyn heret në këndimin e shpirtshëm krijues. Ai e filloi shtegtimin e tij poetik që në moshën 15-vjeçare, me dy sonete, si dhe me vjershën, “Djepi i vorfën”, me ndikim zashmëria krijuese që kumboi n’Shkodrën e atyne viteve. Shkroi në gazetën “Java”, “Cirka”, “Hylli i Dritës”, kryesisht poezi lirike, ku spikat ndjenja e melankolisë dhe ai tingulli i amël i një shpirti t’ndishëm. Pali gjithashtu publikoi poezi shqip edhe në revistën e Firences, “Numero unico degli universitari albanesi”… etj.
Nëntëmbëdhjetë vjershat e poezi shqip u botuan në vëllimin “Hyjt mbi greminë”, Tiranë 1959, 7 vjet mbasi ishte nda këso jete. Ndër to gjenden vjersha meditative e intime të mallit për Shkodrën, Shkodrën që e deshti njaq fort, dreshti e u nda prej saj n’turr t’hovit rinuer.
Poezia e Gaspër Palit ndryshon në thelb nga shfrimet sentimentale për kombin të epokës së Rilindjes. Pali ishte poet i kohës së vet dhe një poet në zhvillim, nji za që mbruhej në shpirtjen e andes me i dhan Shkodrës, njajt me plejadën e emnave dhe korifenjve që banen za, zjarr e letërsi t’kulmueme n’qiellin e famës. Karriera e tij e shkurtër si mësues e si poet, u mbyll shumë shpejt, saktësisht më 21 korrik 1942, njasi faktji kur ai la gjithçka me ju dhan përjetësisë n’shoshën 26-vjeçare. Njaq shpejt e njaq papritur iku, prej jetet e prej gjithëçfarë qi ai deshtin me tan shpirt, qi pati t’shtrenjt me andërr e dëshirë. U kput ky fill, tue mbet nji grim vjerrun në “Hyjt mbi greminë”, njaty ku ai endi e mëlmeu me zjarm e dritë eteri, t’përmallshmen kang për Shkodrën, t’tamëltat lirika t’zashme t’zemrës.
Vargjet e tij janë ama e nji shpirti qi u rrek me lan gjurm drite, gjithkah ku ai deshti me mish e me shpirt, në njaq pak vite, në njaq përngut, mbasi vdekja i kishte xan prit, tue ndal me përdhuni.
Shkodra e mbushi me kangë e andrrim, me dashni e lumturim, njejt siç i theri në plagë dhe në shpirt. Kontributi i tij si mëkues i dijes, por ma s’shumti poezia e vendosën kontributin e Palit në një rend me bashkohësit e tij, me ata qi sakrifikune tançka patën për një qëllim t’shenjt, vendlindjen e tyne, atdheun, dijen, qytetnimin, andjen me e përtri edhe votrën e tyne, njëjt me vendet ku ata u arsimuen dhe u ngjizën me virtyt e civilizim.
Ishte vepra e tyne shpirtnore, ishte delikatesa e një shpirti t’ndezun n’dashtuni e n’gazmim qi i priu. Ishte sakrifica e shenjtnueme në qëllim dhe detyrë, qi ata hodhën n’themelet t’naltësores qi hoven përpjet me ambiciet e tyne.
Kësisoj e deshti arsimin dhe poezinë, Shkodrën e tançka pati dhe deshti me t’madhen dashni, Gaspër Pali. Njaq sa jetoi, e mbushi me pasion e përkushtim, dhe… tue ik, mëkoi hyjt me dritë, edhe pse mbi greminë, tue mbet n’kujtes nji za i amël dhe nji shpirt i madhnuem n’krijim.
Albert Vataj