Babai i tregimit të shkurtër, francezi, Guy de Maupassant (Gi Dë Mopasan) u lind më 5 gusht 1850 dhe u shua më 6 korrik 1893. Ai shkroi rreth 300 tregime të shkurtra, gjashtë romane, tre libra udhëtimesh dhe një vëllim poetik. Tregimi i tij i parë i botuar, “Boule de Suif”, 1880, shpesh konsiderohet kryevepra e tij. Guy de Maupassant la të shkruar epitafin e vet: “Unë kam lakmuar gjithçka dhe nuk kam marrë kënaqësi në asgjë”. Ky epitaf është sintezë e gjithë jetës së tij, përfshi dhe atë krijuese. Guy de Maupassant i ka dhënë shpirtin e tij shkëlqimit të agimeve dhe mrrylëtisë së muzgjeve të personazheve që krijoi, duke jetuar çdo jetë të tyren, çdo çast dhe shkas, çdo hidhërim e gazmim, çdo makth e trazim. Për jetën e shkrimtarit, dashuritë e tij dihet shumë pak, por ajo që dihet dhe pranohet është se ai e mori jetën e vet dhe e shndërroi në dhjetëra histori librash, i bindur se vetëm në libra ajo do të ishte e përjetshëm, ashtu siç ai është.
Ai ishte një shkrimtar popullor gjatë jetës së tij dhe pati fatin të shihte që tregimet e tij lexoheshin gjerësisht. Si i ri ai luftoi në Luftën Franko-Prusiane. Ai u tërhoq shumë nga ajo përvojë dhe se lufta ofron mjedisin për shumë prej tregimeve të tij, të cilat shpesh përshkruajnë tragjedinë dhe vuajtjet e civilëve të pafajshëm të kapur në rrugën e luftës. Ai gjeti frymëzim edhe në sjelljen jo dhe aq të admirueshme të borgjezisë dhe i bëri ata shënjestër të pesimizmit të tij thumbues dhe të stilolapsit majëhollë.
Guy de Maupassant ishte një mjeshtër tregimit të shkurtër, dhe një prej përfaqësuesve më të spikatur të shkollës Naturaliste. Ai arriti të përshkroi jetën dhe fatet njerëzore, forcat shoqërore me terma zhgënjyese dhe shpesh pesimiste. Shkrimtari i njohur, Gustave Flaubert e mori atë nën mbrojtje dhe veproi si një lloj kujdestari letrar i tij. Në shtëpinë e Flaubertit ai takua Emile Zolan, me romancierin rus Ivan Turgenievit, si dhe shumë nga ithtarët e shkollave realiste. Në vitet e mëvonshme, Mopasan zhvilloi një dëshirë për vetmi, mani për vetë-ruajtje, frikë vdekjeje dhe maninë e persekutimit shkaktuar nga sifilizi, sëmundje nga e cila ishte prekur që në rininë e tij. Më 2 janar 1892, Guy de Maupassant u përpoq për të kryer vetëvrasje duke prerë fytin, dhe u mbyll në një azil privat në Paris, ku vdiq më 6 korrik 1893.
Albert Vataj