Ju mund të keni një imagjinatë të tillë të shpenguar sa të arrijë të përfytyrojë gjithçka që mendja juaj arrin të mbruj nën një gjendje të mbarsuer apo reflektimi të atyshëm. Sado trazimtare të jetë situata në të cilën ndodheni, nuk do të mund të arrini të imagjinoni një shtrigë të tillë si kjo skulpturë.
A e dini se në Berlin ka një skulpturë kushtuar një shtrige? Por kjo skulpturë na jep një vizion të ndryshëm dhe pothuajse mitologjik të asaj që është një shtrigë, e kurrsesi jo asaj që kultura popullore dhe supersticiozët e kanë mëtuar vizualisht atë. Kjo shtrigë e bukur, është më shumë se një vepër e përsosur arti, një arsye për të ju shtegtuar në ide dhe mendime, për të kuptuar se një bukuri e errët në mermer të bardhë, krijon një lloj pështjellimi gati pa rrugëdalje. Është njëjt si një goditje pas koke, që të duhet pak kohë të ripozicionohersh në ekuilibër dhe normalitet.
Te kjo skulpturë, bëhet fjalë për një grua, e cila është ulur e qetë në një shkëmb. Shtriga, duket e relaksuar, edhe pse dy gjarpërinj janë të ndërthurur në flokët e saj, si një diademë. Në dorën e majtë mban një gjarpër tjetër që i rrotullohet rreth trupit, dhe pranë tij ka edhe një buf dhe një hardhucë. Mbi kurrizin e saj, dy krahë të mëdhenj lakuriqësh duken se palosen mbrapa për të veshur me një lloj hiri hyjnor këtë ide të artistit.
Kjo është një skulpturë e mrekullueshme që të tërhoqi vëmendjen në Berlin National Galery. Magjia ka qenë një temë e të gjithë njerëzimit tonë që ka krijuar bestytni dhe përralla. Jo të gjitha shtrigat janë të këqija dhe të përqendruara në zotërim dhe kontroll. Disa janë vetëm për ekuilibrin. Të jesh i mirë apo i keq është gjithmonë zgjedhja jonë, ndaj zgjidhni me mençuri. Asgjë nuk shkon në një mënyrë, gjithmonë ka një reagim që vjen drejt teje.
Gjithsesi Hexe (shtriga), “Magjistare”, e Karl Cauer 1874 është një skulpturë me një fuqi të jashtëzakonshme imponimi.
Skulptori i madh klasik krijoi një grua melankolike dhe të dashur, perëndeshën e zhveshur, me kokën e saj plot përulje dhe duke parë anash. Gjithçka në këtë ansambël detajesh dhe këtë krekosje madhështore arti, është një mëtim të thellë shprehije, e cila gjen uniken në personalet e secilit nesh që kridhemi në këtë dehje.
Shtriga e Karl Cauer konsiderohet një shembull tipik i artit të salloneve të Gründerzeit. Mbretëresha dhe poetesha rumune Carmen Sylva (pseudonimi i artistit, 1843-1916) ishte magjepsur nga skulptura e mermerit demonike-sensitive dhe u frymëzua prej saj për të shkruar poemën “Shtriga” (1882) – një “zanë e artë, neo-romantike” përrallë, siç e shprehu Silvia, shkroi Irina Zimmermann në veprën e saj kërkimore “Mbretëresha poetike” (2012) – me Demonën si mishërim të fuqisë demoniake, vetëshkatërruese të dashurisë impulsive. Në vargjet e Silvës, shtriga e Cauer-it merr jetë. Në një fragment lexojmë: “Në shkrepin më të lartë, Stuhi vrumbullon, mbi humnerën e zezë, Rri një grua, me bukuri sublime, trup të mrekullueshëm dhe të lakuar; Si mbështetet në dorën e saj. Duke u lëkundur lehtë në thellësi, njëra këmbë qëndron pa peshë në tjetrën, e cila rrumbullakohet poshtë, në një kthesë të butë. Një gjarpër mban dorën e saj të djathtë, e pakujdesshme ndërsa kafsha përdridhet, përkulet, kafshon dhe spekat me helm, i pafuqishëm për të rrëshqitur nën presionin e fortë të gishtërinjve të saj të bukur. Të kuqëluara flokët; fryn fuqishëm, si flakë, në furtunë, i afrohet reve, kap vetëtimën, që gjarpëron nëpër fije, rrëshqet mbi gruan, (…) Dhe në zjarrin e ndezur flakërues, (…) që sytë e gruas shkëlqejnë jeshile, nga një hije më e errët e një vetulle. Qerpikët e saj duken si gjarpërinj të vegjël, Shkëlqimi i syve spërkat më tej nëpër fuqitë shkëmbore. (…) atje nëpër re, Hëna shikon me kujdes. Për ta përmbytur gruan me dritën e tij, duke luajtur me butësi, për t’u fshehur në valët e flokëve të saj, për t’u zhytur në gropën e qafës së saj, (…) Tani krahët e zambakëve ngrihen për t’i përkëdhelur flokët, por një dush shkëndijat ende spërkasin poshtë – kërcitin, dhe ajo buzëqesh, tund veten dhe nga supet e saj mbijnë krahë, gri, krahë pa pendë, skajet me kthetra, si një vela e errët i shtrin….
Një shtrigë si kjo, një trill që del nga imagjinata, na trazon me një emërtim që ngjeth dhe në të njëten kohë në thërret në përcjellje përjetuese të kontraktuar emocionale. Je i kapur nga ky moment, nga kjo qasje për të thënë më shumë se sa për të treguar, për të realizuar mjeshtërisht më shumë se sa për të na hedhur në një përdredhim ideomi të kësaj shtrige, e cila mund të jetë një shtrigë sipas asaj që artisti kupton, siç mund të jetë e tillë edhe për një mëndje të bukur, tën bardhë, të hirshme, siç ajo shpërfaqet.
Zgjidhe vetë se çfarë shtrige doni të jetë kjo mbretëreshë e vetëkurorëzuar e hirit, tridhit dhe misticizmit.
Albert Vataj