Pavarësisht se janë shkruar libra pafund, krijuar vepra arti të të gjitha zhanreve dhe gjinive, endur histori dhe fabrikuar modelime të sjelljes, gjithçka e thënë dhe e bërë rezulton e pamjaftueshme, sepse nuk ka një formulë perfekte, se si të rritësh dhe të edukosh një fëmijë dhe si të jesh një prind model. Gjithsesi mësuesi më i pagabueshëm është përvoja, saktësisht fëmijëria jonë, ajo që na mësoi se si prindërojmë ndoshta jo tamam si duhet, por në një mënyrë që e vendos rolin tonë në atë të misionarit.
Ajo çfarë ne si prindër na mësoi fëmijëria jonë është se ata, janë fëmijët tanë, por jo fëmijëria jonë. Shumë nga ne, kaluam një fëmijëri të ndrydhur nga pamundësitë, të lënduar nga mospërfillja, traumatikë nga prindërimi i rreptë, fëmija pa fëmijëri. Por në fund të fundit kjo ishte fëmijëria jonë, atë që dot nuk mundëm ta zgjidhnim, as ta ndryshonim, pavarësisht kushteve nëpër të cilat kaloi ajo, pamundësive apo padëshirave e atyre që na dhanë një fëmijëri që duhet të ishte ndryshe, por ishte e jona, rreptësishtë e pandryshueshme. Le të themi fati i mirë i një fëmijërie të keqe, por që na mëkoi dhe na mësoi të jemi prindër, ndoshta jo më të mirë se tanët, por ndryshe, shumë ndryshe prej tyre.
Por çfarë ne si prindër mësuam nga fëmijëria jonë?
Ndoshta mësuam, se si duke mbetur ende fëmijë të arrijmë të kuptojmë fëmijët tanë, jo plotësisht por në një shumësi prindërimi që plotëson portretin tonë, prej të cilit nuk do të ketë se pse të këmi frikë, të shihemi me të kur të bëhemi gjyshër.
Po, diçka nga gjërat që fëmijëria na ka mësuar që të mund të prindërojmë më mirë është pikë së pari se fëmija ka nevojë jo vetëm të mirëushqehet dhe të mirëvishet, por të dëgjohet më vëmendje, në mënyrë që ai të mos ndihet i tepërt, as i përjashtuar. Të ndihet i vlerësuar në mënyrë që vetëbesimi i tij të mos jetë një pengesë me barrierat e pamundësive dhe paaftësive, me të cilat ne u rrethuam.
Fëmija nuk ka nevojë për tutor, por për prindër që nuk duhet ta teprojnë me asgjë, madje as edhe me dashuri, me puthje as me përqafime, e të tjera kësish.
Pësuam dhe mësuam gjithashtu se fëmija duhet të mbrohet, duke e këshilluar se si të veprojë në rrethana dhe situata të vështira, përmes garancisë, se prindi do të jetë gjithmonë aty me të, kur ka nevojë, por jo duke i ngujuar atë brenda mureve të përkujdesjes dhe mbikëqyrjes.
Ata duhet të pranohen në jetën tonë si një motiv për të sfiduar, por jo si një barrë, edhe pse mundësitë jo pak herë e ka vënë në sprovë tw vwshtirw idolin e prindit.
Vlera jonë si prindër nuk ka pse të matet më plotësimi e çdo teke të fëmijëve, por me sakrificat që ne bëjmë, që ata të kenë një fëmijëri prej së cilws nuk duhet të nxitojnë të dalin, apo ta flakin tej si një kujtim të hidhur, por ta jetojnë dhe ta ruajnë si ditaret.
Pak e vështirë për karakterin dhe personalitetin, me të cilin jemi brymosur është që ne t’i lejojmë fëmijët tanë të ketë të drejtë, ta maritojnë atë dhe të përpiqen ta konsiderojnë si një vlerë, e cila do t’i udhëprijë në jetë me dinjitet.
A i kemi pyetur ndonjëherë fëmijët tanë, se çfarë mendojnë ata për mënyrën se si ne i trajtojmë, për diçka që sipas tyre duhet të ndryshojë në marrëdhënien mes nesh, për problemet e tyre, për pasionet dhe dëshirimet e tyre. Ndoshta ata do të kenë diçka më konkrete për të na thënë, një orientim më të saktë të busullës së raporteve prindër-fëmijë. Mbase ëndrrat tona nuk kanë pse të jenë edhe të tyret. As prirjet dhe ambiciet që patëm ne dhe mbeten fletë të grisura të fëmijërisë, nuk duhet të jenë këmbëngulje kokëfortë e jona, që të jenë aspiratat e tyre, si korrigjim i fëmijërisë sonë.
Ata mund të mos dinë shumë gjëra për jetën, por edhe ne në moshën e tyre dinim ndoshta shumë më pak se ç’dinë ata sot. Më mirë se ata, nuk mund ta dimë ne se çfarë ata duan nga ne. Përplasja ndërmjet brezash është një papajtueshmëri, me të cilën e kemi ne më të lehtë që të dakordësohemi, se sa ata me mënyrën se si duhet t’i kuptojmë gjërat dhe t’i trajtojmë zhvillimet.
Edhe te predispozita e tyre për dije dhe shkollim, ka një ngërç që krijon jo pak mosdakordësime dhe papajtueshmëri. Duke mos injoruar rëndësinë prioritare që ka shkollimi për perspektivën e tyre, ne duhet të mos kërkojmë tek ata fëmijërinë tonë të nënshtruar, ai që tulatej pas çdo ngritje zëri dhe dëshironte dhe bënte gjithmonë çfarë urdhëronte autoriteti strikt shkollor dhe prindi “xhelat”. Gjithëkjo strukturë diktati na nënshtroi, por pa mundur të na bindte, na futi në tufë për të na vënë përpara më lehtë, por jo të na linte të lirë t’u shkonim pas atyre që patën mision edukimin tonë, rritjen në ne të një qytetari të aftë dhe të zot, të moralshëm dhe të dinjitetshëm, një qytetari që duhet të shihte te organet ligjzbatuese jo frikën e fajtorit por respektin e autoritetit, etj.
Edhe pse sot shumë gjëra në arsimi nuk shkojnë si duhet, fëmijët e një prindërimi cilësor, do të bëjnë që përmirësimi të fillojë të shfaqë vlerat e cilësisë së produktit arsimues. Duhet pranojmë se metodologjia e shkollimit të fëmijëve tanë ka ndryshuar dhe shumë nga traditat e mësimeve kanë pësuar transformim. Dhe nuk ka arsye se pse në të stresohemi, se atyre edhe u shkrep të mos shkojnë një ditë në shkollë, edhe të bëjnë ndonjë prapsi, edhe të marrin ndonjë notë që nuk kap pritshmërinë e objektivave tona.
Të mbeturit në kohën e fëmijërisë sonë, e sotmja e fëmijëve tanë atakon, shpesh përplaset. Nxitojmë të ndryshojmë gjërat duke hequr paralele dhe ngulur pingule, ngremë zërin, gjindosemi, vëmë dorë, për ta përkeqësuar më tej situatën. Pak ose aspak nuk na hyn në hesap personaliteti dhe integriteti i tyre. Shumë nga ne, në një tentativë prindërimi autoritar, as se e vrasim mendjen se ata lëndohen më shpejt se ne dikur, sepse ata munden ta bëjnë këtë, ndërkohë që ne nuk guxuam.
Ndoshta ne kemi të drejtë të kërkojmë prej tyre shumë më shumë se ata ofrojnë në performancë, të legjitimuar në kërkesën e llogarisë deri më një, pasi u kemi krijuar kushte dhe asgjë nuk u mungon. Gjithsesi ata janë më të avancuar se ç’ishim ne në moshën e tyre, më efikas dhe më të vetëdijshëm për të sotmen që i përkasin dhe të ardhmen që i pret. Kanë shansin e mundësive të shumëfishta për të ndjekur ëndrrat dhe për të përmbushur ambiciet, të favorizuar nga epoka e teknologjisë, informacionit dhe shpejtësisë së komunikimit. Naiviteti ynë s’ka pse të na bëjë inferior, përballë gjenialitetit të tyre, syçelësisë dhe mendjekthjellësisë që i përfaqëson.
Fëmijëria jonë, patjetër që na mësoi në misionin e prindërimit edhe të dorëzohemi në epokën e teknologjisë. Fëmijët tanë, janë në kohën e tyre, pjesë e natyrshme e këtij progresi të pagjasë në arsyetimin tonë racional. Avancimi i hovshëm teknologjik, e cila për ne do të thotë jashtëzakonisht shumë, është për ta një zakonshmëri dhe një aftësim për t’u ndjerë natyrshëm pjesë e kësaj bote strikte algoritmike.
Ne duke u përshtatur, jo domosdo duhet ta kuptojmë si dorëzim të kredos prindërore. Të ruajturit të distancës fëmijë-prind nuk solli në fëmijërinë tonë ndonjë përfitim, përveçse koracimi me një pushtet autoritar të babait, i cili kishte gjithmonë të drejtë, madje edhe kur zemëratën e një jete të vështirë dhe problematikave të sfidave, i shfrente në dhunë të paprecedent, mjafton një zebep sado i vogël. Fëmijët tanë janë fëmijët tanë dhe prindërimi ka një domethënie përcaktuese që ofrohet në një marrëdhënie të shtendosur më fëmijën, në një komunikim pa barriera dhe paragjykime.
Padyshim që shumë gjëra kanë ndryshuar, dhe pafund janë përvojat nëpër të cilat ne përftuam shumë mësime, të cilat s’kanë pse të jenë caqe përkufizuese, se si e tashmja e tyre të garantojë të ardhmen. Ndoshta realiteti, të cilit ata i përkasin ka një ritëm më të vrullshëm se pulsoi çdoditshmëria jonë.
Përmes komunikimit pa konvencione pozitash dhe autoriteti, ne ballafaqohemi me të vërtetë e madhe të prindërimit, atë që do të na mundësojë të jetojmë fëmijërinë tonë tek fëmija ynë dhe përmes këtij mëkimi të shpirtshëm të kuptojmë se ne jemi shokë, pavarësisht moshës dhe pozitës ku na vendos detyra e shenjtë prindit.
Albert Vataj