Albert Vataj
Zakonisht për libra që blej nuk shkruaj. Megjithatë po bëj një përjashtim për librin “Tregimi i së dielës”, edhe pse 10 mijë lekë të vjetra që kushtuan 184 faqe me tregime të Gimit, mu desh pak hapa ta merrja veten, që pas daljes nga “Tirana Book” ku një zotëri me një të qeshur të fisme më ofroi librin sikur po më blatonte një shenjtërim, dhe mi rrufiti paratë si një ujk kur bie në stan. Dhe afërmendsh, në ato hapa përmendjeje të atij që shkon dhe vjen me autobus, bëra hesape se çfarë mund të bëja apo blija me aq lekë sa bleva librin. Jo vetëm kaq, si mund ta fusja në shtëpi, duke shmangur mbikqyrjen e rreptë të bashkëshortes, e cila ka shpallur gjendje alarmi, se shtëpinë tonë të vogël po zënë librat. Nejse, kaq deri te shfletimi i atij librit, për të cilin i kisha shkruar Agim Xhafkës në dy-tre komunikimi online, që kemi patur si miq virtual. Pata padurim për ta pasur si libër, sepse ashtu nëpër e çorollepsje në Facebook nuk është se më ngjitnin dhe aq, edhe pse Gimi i sheqeroste me humor e lajkatime dhe begeni zotërie.
“Tregimi i së dielës”, vëllimi i parë, është një rrugëtim narrativ i një pene, e cila edhe pse është e fillimtë në sfidën e letrave shqip, modeste mbetet në pretendime. Padyshim kjo është një mënyrë rrëfimi me një origjinalitet unik, lakonik, të zhdërvjellët, kthjelltësish të thjeshtë dhe thelbësisht të sinqertë.
Agim Xhafka me tregimet e tij, sa satirike aq dhe serioze, rreket të përshkojë realitetin dhe përshkruaj atë duke qenë; sy, zë dhe shpirt i atyre copëzave të realitetit, që vijnë sakaq e bëhen pjesë e asaj kërshërie që të përfshijnë, për të rrëmbyer si në një përjetim dehës, ku atyshmëria lëviz me një larmishmëri që të rrëmben, ku e zakonta e gjërave dhe gjendjeve shpërfaqet si një ceremonial komunikimi ku pjesëmarrja është e kurorëzuar, si e personazhit në skenë ashtu edhe e spektatorit.
Me tregimet e mikut dhe kolegut Xhafka kam rënë në kontakt prej kohësh, siç e njoh kontributin e tij si Kaso Kosta në gazetën “Intervista”, ku loja dhe cytja, fshikulli dhe prekja, fjala dhe mendimi, jokonformizmi dhe guximi, rrekeshin të sillnin në këtë allasoj një diçka të ndryshtë, në gjuhën e qejflive, një meze për gotën e dehjes.
Do të donit të njihnit atë “yjësi” që e ka ngjitur Gimin në galaksinë e “Rrugës së Qumështit”, dhe stacionet e përgjimeve hapësinore janë shtangur, siç astrofizikanët po përpiqen t’i japin një shpjegim logjik, para se t’ia dorëzojnë vullnetit hyjnor. Tani tamam aq larg dhe aq lart jo, “Tregimi i së dielës” së Agim Xhafkës nuk hopi, por diku aty afër, dhe pak anash, po, te universi i atij shpirti që shndrin hyjshëm dhe që përçon emocione drithërueshëm.
Dhe ja nisim e shpalojmë “Tregimi i së dielës”, që janë për gjithë javën, nga e hëna në të shtunë. Sepse vetëm kur përcjellim tregimet e Agim Xhafkës kuptojmë se diçka e jona frymon mes atyre rreshtave, diçka prej gazmendi na grish në të qeshura aty-këtu, si në një lojë shkujdesjeje dhe ç’kontraktimi, si një nevojë e jona për ta parë dhe lexuar realitetin me kërshërinë e një ngulmimi që kërkon të kulmojë në shqipshkrim e shpirtkëndim.
Mes gazetarit dhe tregimtarit, te sprova e Gimit fiton qartësia dhe çiltërsia, me të cilën ai përshkon rrëfimtarinë. Një penë majëhollë dhe një dritim përshkues, i qaset këtij komunikimi që nis me “Dashuri e vonë”, “Pronari i fabrikës”, “U rrëzua një yll”, “Kushërira ime, Eli”, për të vijuar me tregimet “Bej gol, bir!”, “Tatjana dhe Onje-Gimi”, “Atë mëngjes dhjetori”, “Meditim te kafja”, “Të gjeta, gjysh”, “Kur dremit babai”, “Furrëtari jani”.
Tregim pas tregimi, rrëfim pas rrëfimi, Agim Xhafka i cek të gjithë cytjet për të krijuar një marrëdhënie, duke mos respektuar ndonjë teori letrare apo kod formal të estetikës. Ai është i drejtpërdrejtë, hokatar dhe komik, jo pak herë ironik dhe cinik, por gjithëherë është i ndjeshëm dhe njerëzor, i ndershëm dhe i tejdukshëm. Shkuan ai “Për Korçë me motor”, “Kinema “ballkoni””, “Valentina dhe Alajdini”, “Sekreti i Ditkës”, “Ngrohtësia quhet nënë”, “Gënjeva veten”, “Kinema “Morava””, “Te cepi i rrugës”, “Gjyshja aktore”, dhe tregon ndoshta gjëra dhe ndodhi që nuk ndryshojnë shumë me tonat, por ka një aftësi të këndshme rrëfimtarie.
Dhe vijon e shpërfaqet gjithnjë e më i plotë ky konstelacion rrëfimtarie që shndrit në shpirtin plot dritë dhe lakon si një melodi nën penën që zgjaton e zgjaton për të përshkruar zakonshmërinë e jetës së tij, që është pak a shumë dhe e secilit prej nesh, pavarësisht se ne jemi mësuar të neglizhojmë, nuk jemi aq sqimatarë sa t’i konsiderojmë çdo shkreptimë të beftë të normalitetit, si një trokitje në portën e interesit tonë që shndërrohet në adhurim, sepse e tillë është e magjishmja e komunikimit të Agim Xhafkës. Udhëpërshkrimi i Xhafkës do të vijojë në gjysmëlibër e poshtë me “Ato mote”, “Mote pa dasma”, “Pastiçeri Agimi”, “Xhaxhai”, “Një ngjarje te stacioni i trenit”, “Rroga e babait”, “Geta dhe xhaketa”, “Prostituta Nina”, “Shpirti i zbutur”.
Dhe vijon “Tregimi i së dielës” me “Irena”, “Vdekja; kapak floriri”, “Fletorka”, “Batanija e dritares”, “Shoqja e klasës”, “Babai rreh drejtorin”, “Shën Tatjana”, “Delja e Razos”, “Dashuri e thyer”. Për të përfunduar me këtë pjesë të parë të tregimtarisë së të dielës me “Gruaja e festave”, “Gjallë, por i vrarë”, “Maraqkat”, “Vila në bulevard”, “Lakrori”, “Te Valbona”, “Vëllai im, fati im”, “Dhuratë për mamanë”, “Galica Picolo grande amore”, “E panjohura”.
Po të endesh mes titujve të tregimeve të Gimit, të ngjajnë më shumë se si dromca muhabetesh, si fragmente që kapim në copëza të grisura librash, po, tamam kësisoj. Por gazetari që guxon të sfidojë si një tregimtarë ka tagër të mëtojë lexuesve se të shkruash bukur, jo domosdoshmërisht duhet të jesh një zejtar, se sa një përjetues i shpirtshëm i gjithçkaje që është reale, asaj që është çdoditshmëri, pse jo dhe ajo gjëja që jeton me ne dhe vdes pa u shënjuar në gjendje që lanë, atë gjasshmëri kontakti komunikues, që për Agim Xhafkën është një tek e një zemre që ka mirësinë të tregojë kur rrahjet zënë dhe rritin ritmin dhe gjërat prej fryme të bëhen si të avullta, si jetësime ku ne prehemi.