Sa e sa libra dalin për të mos qenë e mundur për shumë nga ne t’i kemi pjesë e interesit iluminues dhe aftësisë që ofron ky komunikim për të ripozicionuar veten tonë në një botë që gjithnjë ka diçka për të na mëkuar.
Historiani Carlo M. Cipolla e shkroi këtë ese në një përpjekje konstruktive për të zbuluar, njohur dhe ndoshta neutralizuar një nga forcat më të fuqishme e të errëta që pengojnë rritjen e mirëqenies dhe lumturisë njerëzore. Dhe nëse më pas rezulton e pamundur të shpëtojmë veten nga marrëzia, të paktën mund të hakmerremi duke qeshur me të.
Në këtë kurajë ballafaqimi ai propozoi edhe pesë ligjet bazë, që në vetvete janë sentenca e këtij best seller-i.
Ligji i Parë Bazë: Gjithmonë dhe në mënyrë të pashmangshme secili prej nesh nënvlerëson numrin e individëve budallenj përreth.
Ligji i dytë bazë: Probabiliteti që një person i caktuar të jetë budalla është i pavarur nga çdo veçori tjetër e vetë personit.
Ligji themelor i tretë (dhe i artë): Një person budalla është një person që i shkakton dëm një personi tjetër ose grupi njerëzish pa kuptuar në të njëjtën kohë ndonjë avantazh për veten e tij apo edhe duke pësuar një humbje.
Ligji i katërt themelor: Njerëzit jo budallenj gjithmonë nënvlerësojnë potencialin e dëmshëm të njerëzve budallenj. Në veçanti, njerëzit jo budallenj harrojnë vazhdimisht se në çdo kohë dhe vend, dhe në çdo rrethanë, ballafaqimi dhe/ose shoqërimi me individë budallenj dëshmon në mënyrë që të jetë një gabim shumë i kushtueshëm.
Ligji i pestë themelor: Njeriu budalla është lloji më i rrezikshëm i njeriut që ekziston.
Përfundim: Budallai është më i rrezikshëm se banditi.
Carlo Cipolla thotë: “Veprimet e banditit ndjekin një model racionaliteti: racionalitet i keq, nëse doni, por gjithsesi racionalitet.
“Në thelb, njerëzit budallenj janë të rrezikshëm dhe të dëmshëm, sepse njerëzit e arsyeshëm e kanë të vështirë të imagjinojnë dhe kuptojnë sjelljen e paarsyeshme të tyre.
“Problemi me njerëzit budallenj është kur ata marrin poste pushteti. Dhe ata zënë të gjitha pozicionet në shoqëri, nga lart poshtë.
“Në një epokë të mëparshme, ndikimet në organizimin shoqëror vinin nga kisha, klasa dhe kasta.
“Tani kemi parti politike dhe burokraci dhe në vend të fesë kemi demokraci.
“Brenda një sistemi demokratik, zgjedhjet e përgjithshme janë instrumenti më efektiv për të siguruar mbajtjen e qëndrueshme të fraksionit [të njerëzve budallenj] mes të fuqishmëve.”
Prandaj, një person budalla me pushtet mund të jetë më kërcënues.
“Ligjet bazë të marrëzisë njerëzore”, është një libër i shkurtër, ndoshta duhen disa orë për ta lexuar, por që patjetër që kërkon një kohë relativisht të gjatë për të reflektuar dhe ndoshta një gjeneratë e më shumë për ta shndërruar në hallkë të një botkuptimi.
Më shumë se çdo gjë, mund t’u ofrojë njëfarë ngushëllimi njerëzve ‘inteligjent’ – atyre që Z. Cipolla i përcakton se punojnë për të mirën e tyre dhe të të tjerëve – të cilëve, pavarësisht qëllimeve të tyre më të mira, planet dhe institucionet e tyre janë të ndërprera nga sjellja e paparashikueshme dhe shkatërruese e individë të caktuar, të cilët duken të prirur për të marrë të gjithë me vete.
Albert Vataj