Nga Albert Vataj
Një libër është gjithmonë një ngjarje, por ka prej tyre, si “Labirinteve të fjalës” i Zija Vukaj, që janë një zë që ngrihet, një kambanë që bie, një grusht që shtrëngohet, një gjoks që gjëmon, dhe gjithëpoaq, një kurajë që guxon.
“Labirinteve të fjalës” është një libër me një larmi trajtesash dhe bollshmëri shtjellimesh, kulminacion qëllimi dhe ngadhënjim mendimi. Krejtëkjo me ese, përsiatje dhe fejtone, nga profesor, Zija Vukaj, nga një prej penave që ka dëshmuar për integritet dhe vlerë.
“Labirinteve të fjalës” është jo vetëm një nga titujt më të ri në stendën e botimeve, por edhe një nga qasjet më të ndryshta për të komunikuar me lexuesin, me atë kategori të apasionuarish të librit, i cili arrin të njohë një tjetër kulmim të tekstshkrimit, të shpërfaq një tjetër mënyrë të ngritjes së urave të komunikimit mes atyre që duna vlerat dhe duhet t’i binden një autoriteti suprem të njohjes së këtyre kapaciteteve.
Për profesor, Zija Vukaj udhëtimi nëpër labirintet e fjalës, nuk ka qenë një sipërmarrje dhe aq pa sfida. Përkundër një lexuesi që nuk lexon, ai guxon, ai del nga katedra e akademikut dhe me një shpirt të etur për dritë, e gjen ecjen përpara në këtë udhë të pështjellimtë. Dhe i gjithë ky ngulmim, kulmon me një fuqi të jashtëzakonshme komunikimi dhe kurajë intelektuale qëndrimi.
Më shumë se fjala, është mendimi ai që të shpie te gjetjet, zgjidhjet, përjetimet, tek ajo natyrshmëri, për të cilën lexuesi, saora, përmendet dhe kupton se pikërisht kjo i ka munguar, kjo e plotëson tablonë dhe i jep një dritëpamësi më të plotë shumë dilemave dhe mëdyshjeve.
Vukaj në “Labirinteve të fjalës” zgjedh të ndërtojë me lexuesin një marrëdhënie më të kohëshme, qoftë edhe kur ai i rikthehet trajtesave të shtjelluara në një ngulm të mëhershëm autorësh dhe qëllimsishë. Kësisoj, Vukaj zgjedh të çel siparin e këtij komunikimi me ese-n “Lahuta”. Lahuta dhe eposi- binjakë të një arti të hershëm dhe të një kulture të lashtë në Shqipërinë e veriut. Ai ndalon në folklorin shqiptar, këtë entitet madhor, jo duke sfiduar kontributin e gjuhëtarëve, etnografëve, muzikologëve, historianëve, kritikëve të artit dhe të letërsisë, gjithashtu, por duke ndaluar te lahuta si pjesa më e rëndësishme e folklorit letrar, eposit tonë të kreshnikëve. Ndërsa thellon shtjellimin kësisoj, ai fokuson te mbijetesa dhe marrëdhënia e tekstit dhe muzikës për të lindur këngën, që e pavdekësoi populli në memori. Eposi i Kreshnikëve, si cikël këngësh epike heroike legjendare, që këndohen me lahutë dhe radhitet ndër shtyllat më të rëndësishme artistike të kulturës shpirtërore të shqiptarëve, rivjen në këtë trajtesë shteruese në rafshin e epizmit, frymës heroike dhe legjendaritetit.
Për të vijuar ky rrugëtim “Labirinteve të fjalës” të Zija Vukaj me “Kalimera poetike – Basri Çapriqi”, një vështrim kritik dhe sqimatar të një përmbledhje antologjike, ngjizur, shestuar dhe vënë në jetë prej
një periudhe më shumë se një çerek shekulli. Ky manifestim letrar, ky takim i artistëve të artit të fjalës, pasarela e më shumë se një gjenerate, rroket përmes një shtjellimi sa profesional aq dhe të shpirtshëm, sa stolisës aq dhe përfaqësuese. Për të mos qenë më pak se një odeon i manifestimit
të zërave të artistëve të të gjitha zhanreve. Kësisoj, Vukaj është vlerësues dhe gjykator për atë punë të motivuar nga vullneti për ta ngritur këtë memorial letrar, nga përzgjedhja e autorëve, nga
larmia e individualiteteve, nga shumëllojshmëria tematike, nga variacionet stilistike, nga procedimet e ndryshme, nga origjinaliteti i përzgjedhjes së fuqisë transmetuese të verbit poetik ndër autorë të ndryshëm, si dhe nga bashkëjetesa brenda së njëjtës “çati” letrare e krijuesve të brezave të ndryshëm, të stileve, mendësive, vendkohëve të ndryshme.
Vukaj sjell te “Apostazia e Migjenit” lirikun tragjik në një këndvështrim të shtjelluar përciptas, ose të keqinterpretuar, e pse jo edhe të shpërdorur, konkretit marrëdhënia e Migjenit me Zotin, me besimin. Pra një poet që nuk ka nguruar që përmes vargut të tregojë gishtin akuzues ndoshta ndaj kastës religjioze, më vendosmërisht se sa ndaj besimit.
Në pozitat e profesorit ai ka një përgjigjja të vagullt, pak rrëshqitëse, duke thënë se askush nuk e di pastërtisht nëse ishte apo nuk ishte besimtar, dhe “shfajëson” poetin, që studio teologji për të mos u bërë kurrë bari i grigjës, duke qenë i mendimit se, të gjithë i kanë pak të ndërlikuara marrëdhëniet me Zotin dhe me besimin në tërësi. Por Vukaj nuk mjaftohet me kaq, për ta zgjeruar argumentin dhe për t’i dhënë karakterin e përgjithshëm, aspekti i marrëdhënies së Migjenit me Zotin, ai pohon se qenë mjaft problematik, ndoshta më shumë për lexuesin e Migjenit se sa për vetë atë.
Dhe është e vërtetë, se lexuesit mesatar dhe bashkë me lexuesin edhe mendimit kritik tradicional, me naivitetin, skematizmin, zhdanovizmin dhe cektësinë e tij Migjeni, o i ka përvëluar gishtat, o i ka
rrëshqitur duarsh, mjafton të kujtojmë “diellin alegorik”. Vukaj sjell në kujtesë gjithashtu ndikimin niçean që pati Migjeni. Ndikimin e Niçes në mënyrën e të menduarit tek Migjeni e dallojmë lehtësisht tek figuracioni poetik dhe veshja gjuhësore me sintagma të regjistrit biblik, të përdorura
nganjëherë edhe si tituj: “Moll’ e ndalueme”, “Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Zoti të dhashtë”, “Idhuj pa krena”, “Blasfemi”, “Rezignata” ose shprehje, si: “hokus-pokus”, “Zoti që kujdeset edhe për zogjtë e qiellit…”, si dhe një arsenal të tërë të fushës leksikore të fesë. Dhe në përgjithësi gjithë
elementët e këtij arsenali, mbushur me kryqe, minare, paçavra ndër tempuj, hoxhallarë, murgesha që çojnë dashni me shenjtënt, sorra të smuta, trumcakë e prifën shikohen me përbuzje, ironi e përçmim.
Mos vallë ky aversion ndaj sendeve, objekteve dhe personazheve aksesorë të teatrit fetar është edhe aversion ndaj Zotit, divorci me Zotin, apostazia deri në heterodoksi e Migjenit? Pyet hipotetikisht Vukaj. Dhe këtu na del si refren sërish thënia e Niçes: “pa dashuri për njerëzit, por me dashuri për Zotin”.
“Syrgjyn gjallë e syrgjyn vdekur” është një tjetër mëkim i shpirtshëm në rrugëtimin e “Labirinteve të fjalës” të Zija Vukaj, i cili në këtë kontakt komunikues ai ndalon te kujtesa që flet me zërin e heshtur të vdekjes. Nis në Rrëmaj dhe vijon në udhën ndërmendjes së Ndre Zadejës, në mirënjohjen dhe kujtesën e atyre që ikin për të mbetur detyresë për vlerësim nga gjeneratat.
Vukaj rihap të shumëdebatuarën “Termi socrealizëm”, duke hedhur një vështrim ndryshe dhe duke u rrekur ta trajtojë më shumë se përmes një frymë kritike dhe ironike, si një paralelezëm. Ai është i mendimit se sintagma e neveritshme realizëm socialist u bë gijotina e çdo vepre të krijuar asokohe. U gabua duke i ndëshkuar me anatemë ndoshta edhe ato vepra që nuk i lidhte asgjë më socrealizmin në të gjithë pikëpamjet. Për profesorin ka një pikëpyetje në rafshin e linçimit të socrealizimit romanet historike, të Sabri Godos “Skënderbeu” dhe “Ali Pashë Tepelena”, “Lumi i vdekur” etj të Jakov Xoxes, “Hasta la vista”, “Nata e Ustikës, “Qyteti i fundit”; shumë romaneve të Kadaresë, “Vraje tradhtinë”, “Midis dy kohëve” “Shqipja e kreshtave tona”, “Tanush Martini” etj., të Skënder Drinit, shumë tregimeve të Naum priftit, Faik Ballancës etj., shumë poezive të Fatos Arapit, Dritëro Agollit,
Kadaresë, Xhevahir Spahiut, apo dramave historike të Fadil Krajës, si “Gjaku i arbrit” e shumë të tjera, që i përkasin erës së socrealizimit dhe i goditi fshikulli.
Dhe vazhdon Zija Vukaj “Labirinteve të fjalës” me “Ç’bezdi recensionet”, “Përkthimi i një kryevepre apo përkthim kryevepër”, “Ardhësit- Këngët e Ali Binakut”, “Lule acari”, “Djali i kumbarës”, për të vijuar me fejtonin “Keqkuptimi”.
“Letërsia si kurth” sjell mendimin e bubullimshëm të Vukajt, si letërsia është kurth i madh. Është arenë e shkëlqyer keqkuptimesh. Miliona të keqkuptuarve u duket si arti më demokratik në botë dhe pikërisht kjo është arsyeja që në këtë det të pafund, që quhet letërsi, i fusin duart e këmbët plot guxim thuajse të gjithë. Lagen e lagen në cekëtinën e këtyre ujërave me kokën mbushur plot iluzione. Në këtë mëtim profesori guxon të thotë disa të vërteta në mënyrën më të vërtetë të mundshme, të cilat lënë koka mënjan për disa, për të tjerë bëhen acarim nervash, dhe pak fare janë ato që duan të shihen dritshëm nën një vështrim kritik dhe të çliruar nga konvencionet apo oportunitetet.
Vukaj në këtë shtjellim që i ngjan një shtjellë cinizmi ai i kundërvihet pllaçuritësve të baltës së mitomanisë, duke ironizuar më të ashtuquajturit “letrarë të lindur”, që sipas tij nuk
zgjohen kurrë nga kjo ëndërr mizore që ua ha jetën tinëzisht dhe gjenden si pa e kuptuar në fundin e jetës së tyre të çuar dëm. Por bilanci i tyre me letërsinë gjen ngushëllim në dhjetëra vëllime me fletë të nxira që nuk i ka lexuar as nuk do t’i lexojë askush dhe siç thonë të vjetrit “nuk i duhen dreqit një lek”. Por deti i gjerë i letërsisë ka edhe thellësitë e veta të pafund, të cilat janë habitati i notarëve të vërtetë që janë të zotë të përshkojnë humnerat e oqeaneve të këtij arti sublim, duke zhdukur
keqkuptimin mbi karakterin e cekët dhe “demokratik” të artit të fjalës. Për të mos u mjaftuar me kaq Zija Vukaj vijon me “Sot nuk jemi në Epokën e Letërsisë”, intervistë për revistën “Koha javore”, ku ai nis të shtjellojë mbi veprimtarinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Shkodrës, të cilën ai drejton, për tu ndalur radhë-radhë tek gjithë problematika e letërsisë dhe jo vetëm.
“Labirinteve të fjalës” shkon më tej me “Kohët e Anikës”, “Në paradhomën e poetit Mjeda”, “Fuqia e artit të fjalës”, “Romani “Papijon” i autorit Henri Sharrier”, “Unë dhe poeti”, kushtim për poetin, Dodë Kaçaj”. Dhe zgjaton e zgjaton ky udhërrëfim “Labirinteve të fjalës”, për të ofruar gjithnjë e ngulmueshëm një mënyrë krejt të veçantë të komunikimit estetik, fuqisë shprehëse, thellësisë së mendimit dhe aftësisë së tekstit për të vendosur marrëdhënie kohë-interesim, por edhe dritëpamësi-vetëdijësim. Ajo që e përshkon si një fill lidhës gjithë këtë lëm kumtues është krijimi i një qëndrimi profesional dhe kritik që profesor Zija Vukaj kërkon të materilizojë si një qëllimësi për të vendosur rolin e intelektualit në skalionin e betejës së vlerës dhe veprave.
Duke heshtur ai që duhet të flasë, dhe duke bërë kompromise ai që duhet të reagojë, para një masakre krijimi dhe denigrimi, keqkuptimesh dhe përçudnimi të lëmit krijues, ne jemi bashkëfajtor dhe gjeneratat nuk do ta tolerojnë atë heshtje apo glorifikim fals që popullon sot mendimin kritik.
Më mirë se profesor Vukaj, askush nuk do të mund të thoshte disa të vërteta kaq vërtetësish, në një përmbledhje me ese, përsiatje dhe fejtone, të cilat të grupuara në “Labirinteve të fjalës”, i vijnë lexuesit si një material i plotë i një qëndrimi të zëshëm. Tamam në këtë kohë që, ata që duhet të flasin heshtin, dhe ata që duhet të heshtin dalin me teori dhe teza, tregojnë veprën para se të dëshmojnë se cilët janë dhe kush është roli i krijimit në një nevojë për komunikim dhe marrëdhënie.
“Labirinteve të fjalës”, Zija Vukaj ka hedhur dritë dhe përvijuar me një udhëprirje, e cila mund të mos i ketë thënë të gjitha, mund të mos ketë treguar të gjitha plagët prej së cilës ka vuajtur dhe po vuan letërsia dhe qasja krijuese, por ama ka guxuar dhe ky është fillimi i dëgjesës së një zëri që ngrihet.