Mund ta keni parë në trajtesa të ndryshme apokalipsin nga piktorë dhe artistë të zhanreve, por kjo ka një veçanti, në mënyrën se si rreket të simbolizojë vdekjen, se si i qaset nënshtrimit përmes elementeve të frikës që mëton.
“Kalorësi i Apokalipsit” ose “Koha” është një pikturë ngjethëse i piktorit spanjoll, Ulpiano Fernández-Checa y Sanz (3 prill 1860 – 5 janar 1916), i njohur si Ulpiano Checa. Ai përdori teknika impresioniste dhe akademike, dhe kryesisht pikturoi tema historike. Në këtë pikturë të vitit 1900, në kohën e pjekurisë artistike dhe famës, ai ka përcjellë me tone të forta trajtimin e një tematike që është sa filozofike aq dhe religjioze. Siç edhe e vëreni Ulpiano Checa ka simbolizuar vdekjen përmes një plaku të moshuar, i cili mbanë në dorë një kosë të përgjakur. Krahët e tij të drobitur nga koha, mosha dhe betejat e pambarimta me të keqen, megjithatë janë të fuqishëm dhe e mbërthejnë si një armë të përbindshme kosën e tij që vjen me vdekjen. Interesant është fakti se plaku është me sy të mbyllur, kali ka sy si prej zjarri. Çfarë ka nënkuptuar piktori me sytë e mbyllur, të vdekjes në këtë rast? Po vdekja është përcjellë ose me sy të zgurdulluar prej zjarri, ose pa sy. Në këtë rast, piktori i ka kopsitur qepallat plakut ndërsa kalëron stuhishëm. Plaku që aludohet të jetë mortja është si një i vdekur që është ngritur nga varri, një banorë i Hadit, i cili gjithashtu ka një mjekër të bardhë që i zgjaton në kraharor.
Nuk dihet nëse “Kalorësi i Apokalipsit” apo “Koha” është pararendëse e fundit të botës apo tmerrit në “Ditët e Fundit të Pompeit”, pikturë të cilën ai e realizoi më vonë, por e njëjtë është fuqia e frikës dhe tmerrit që përcjell.
Por le ta pranojmë se kjo pikturë është një kompozim i apokalipsit në trajtesën fetare, kur dihet se vdekja përgjithësisht është simbolizuar më një burrë më mantel të zi dhe një kosë të përgjakur. Në këtë rast Ulpiano Checa e vendos tmerrin në një sfond gjithashtu të frikshëm. Ai ka miksuar një det të përbindshëm, një natë pus, ndërtesa në flakë.
Në këtë pikturë si edhe në disa të tjera të njohura, si te “Rrëmbimi i Proserpinës”, “Beteja e Vaterlosë”, “Takim fatkeq”, etj., Checa fut në tablo kuaj të zinj dhe të përbindshëm që dukshëm rrëmbejnë si në këtë tablo fokusin e vëmendjes.
Gjithsesi, “Kalorësi i Apokalipsit” ose “Koha” është një tablo me impakt të fuqishëm komunikimi, thellësi renduese dhe shumësi idesh që mund të merren në konsideratë në një qasje për ta deshifruar këtë pikturë, e cila të shtang me peshën e frikës që përcjell dhe të rrëmben në përjetimin e tmerrit që qartësisht trajtohet. Vdekja hipur në një kalë sulmon tërbimshëm për të mos kursyer asgjë, sepse edhe apokalipsi në të gjithë kompozimet si edhe në këtë pikturë, është si vetë ky kalorës që sulmon jetën nëpër natë, pamëshirshëm.
Albert Vataj