“Dante Aligeri takohet me Beatriçen”, te peneli i Henry Holiday e bukura Beatriçe beh e veshur me mëndafshin e argjenttë e dritur me një hir hyjnie; tabloja e Raffaelle Gianetti e nxjerr këtë hir gruaje nga solemniteti mondan duke e ndezur në ëndje dhe tundim; Beatriçja në pikturën e Raffaello Sorbi del prej një teatralitet i errët në një mëkim drite dhe delikatese dhe shpërfaqet e hirshme; ndërsa magjistari i penelit Salvatore Postiglione e pjell atë nga imagjinata duke e treguar më shumë si një përfytyrim idilik se sa si një dehje e stolisur me tejdukshmëri dhe dritë.
Këto janë disa nga jetësimet artistike të këtij momenti kulmor në jetën e poetit të Komedisë Hyjnore. Periudhat e mëhershme e kanë veshur më me solemnitet religjioz, duke i shtuar edhe nuancat e romantizmit, spikatur në vargjet monumentale, me të cilat vetë poeti ka përjetësuar këtë moment. Një dashuri e pamundur, që mbeti aq flakatare sa arriti të çonte zjarrin e dashurisë së pastër deri thellë në botën imagjinative të rrathëve të gjithmonshmërisë.
Vetëm si e tillë kjo dashuri do të mundte t’i sfidonte kohërave dhe harrimit. Ajo mbeti e përkorë që kur hodhi thërmijat e para të vezullimit hyjnor, kur dy të dalldisurit e qiellit të Kupidit u takuan, për të ndezur zjarre të kujametshme në ritakimin e movonshëm, zjarr i cili djeg dhe ngroh edhe sot pas kaq qindvjeçarësh.
Dante dhe Beatriçe i mëkuan botës përmasat e thellësisë së atij qielli ku fërgëllon krahët dashuria e tyre eterne, se sa e pafund është gjithëprania e këtij bekimi zemrash që trokiten gjëmimshëm në kraharorin e atij besimi, që guxoi t’i mbante të pastër krahët e këtij dëshirimi që ndez diej në shpirtjen e dashurisë që fluturon kohrave dhe ndjenjave, duke larë me qiell dhe dritë vetë hyjninë e pasioneve.
Arti, njëjt si Dante e shndërroi në hyjnore Beatriçen dhe dashurinë. Duke e lartësuar këtë në tempullin ku zemrat e gjeneratave përulen për blatimet qiellore të dashurisë së përjetshme që lind në shpirt për tu shpërblyer me gjithësinë.
Ij edhe ti Beatriçe siç dua të ndihem edhe unë Dante?!
Albert Vataj