Gjithçka që mishëron atë, Maria Magdalena, është e sintetizuar në këtë pikturë të Peter Paul Rubens, 1602. Ajo ishte një nga ndjekësit më të hershëm të Jezusit të Nazaretit. Sipas Biblës, ajo udhëtoi me të, dëshmoi kryqëzimin e tij dhe ishte një nga njerëzit e parë që mësoi për Ringjalljen.
Peter Paul Rubens e ka jetësuar në një mënyrë kaq domethënëse dhe e përplotësuar me të gjithë ansamblin e debatueshëm të mjegullës dyshuese dhe të vërtetës së strukur poshtë cohës së hollë të ndalimit që mbulon atë. Duke e shtjelluar detajimin e këtij komunikimi, alegorisë dhe shprehis, atë çfarë Ruben guxon të përcjellë, përkundër çdo sanksionimi dhe privimi i kanuneve kishtare, Maria Magdalena zë një vend të konsiderueshëm në këtë tablo. Por jo vetëm aq. Trajtesa erotike e personazhit që simbolizon Maria Magdalenën, është thellësia e njerëzores që përmes joshjes sjell femrën, përmes pikëllimit demonstron dhimbjen. Flokët e saj të artë e të pëdredhuar, gjoksi i kolmë e portreti i rrezellitur nën të njëjten dritë të hyjshme që bie, duke larë Jezusin të tërin dhe Magdalenën gjithashtu, ndërsa personazhet e tjera u prek vetëm fytyrën, tregon rëndësinë që Rubens i dedikon kësaj gruaje, që përmes elementeve shprehës artistik vjen po kaq e hyjat sa vetë hyjnia e Jezusit dhe zbritjes nga kryqi.
Plani human merr një rëndësi përcaktuese në këtë detaj të tablosë, përtej cytjes biblikes. Rubens sjell në këtë detaj, Maria Magdalenën që sfidoi triumfalisht rrugëtimit të gjatë të ndeshjeve titane; debateve dhe dakordësive, heretizmit dhe hyjnores, përulësisë dhe mospajtimit, gruas së përdalë dhe të përulurës pendestare, gruas që i lan Jezusit këmbët me lot dhe i’a fshinë me flokë, gruas që u akuzua nga mëkatarët për mëkat, dhe gjykimit emblemë të qëllesës me gurë, faljes dhe fatit të gruas.
Peter Paul Rubens, gjeniu i barok evropian, ka pikturuar THE DEPOSITION e tij gjatë qëndrimit të parë në Romë më 1602. Rubens na jep një interpretim të jashtëzakonshëm të temës së mishërimin e natyrës hyjnore dhe njerëzore të Krishtit, pezulluar në mes vdekjes, mundimeve dhe të adhurueshmes vepër të hyjnizimit. Të gjitha nuancat e spektrit të dritës janë të dukshme në tonet e mishit, gjendjes së manifestuar me një delikatesë dhe forcë kumtuese koloriti dhe kushtimi.
Varri në plan të parë, mbi të cilin mbështetet trupi i Krishtit të vdekur, imiton një sarkofag të lashtë me basorelieve; në njërën nga anët e shkurtra janë ilustruar gjeniu i varrimit që qan në altar dhe elementi i flijimit dhe pjesa e njërës prej atyre më të gjata. Kurora me gjemba dhe gozhdët në varr tregojnë gjithashtu sakrificën e Birit të Perëndisë.
Siç dihet dhe siç Rubens e idealizon dhe identifikon si identitet dhe integritet, si përfaqësim dhe domethënie, Maria Magdalena zë vendin simbolik të shembullit të themeltë të Biblës dhe predikimit të Jezusit, faljes. Të katër ungjijtë kanonikë të Dhiatës së Re (Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni) vunë në dukje praninë e Maria Magdalenës në kryqëzimin e Jezusit, por vetëm Ungjilli i Lukës diskutoi rolin e saj në jetën dhe shërbimin e Jezusit, duke e renditur atë në mesin e “disa grave që ishin shëruar të shpirtrave të këqij dhe të dobësive” (Luka 8:1–3).
Sipas Lukës, pasi Jezusi dëboi shtatë demonë prej saj, Maria u bë pjesë e një grupi grash që udhëtuan me të dhe 12 dishepujt e tij, “duke shpallur lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë”. Magdalena nuk është një mbiemër, por identifikoi vendin nga erdhi Maria: Magdala , një qytet në Galile, i vendosur në rajonin më verior të Palestinës së lashtë (tani Izraeli verior).
Maria Magdalena është e hyjt në art dhe në Bibël, mbetet e lartësuar në më të lartin akt pendimi dhe faljeje, sepse është grua e larë në mëshirim hyjnor dhe pavdekësuar në shpirtin e madh të krijimit dhe besimit.
Albert Vataj