S’ishte koha për të ikur miku im, sepse kishim ende nevojë për mirësinë tënde, atë të dlirën e atij shpirti që mëkoi përkorje. Na duhej ende ai zë atëror në redaksi, ajo ecje e lehtë i duhej ende Tiranës, Vunoit ajo ëndje kujtimesh do t’i mungojë me këtë ikje të pakohë.
Sfidave të një vullneti të pathyeshëm do t’i mungojë qëndresa jote përballë një sëmundjeje, me të cilën u ndeshe si një Titan, por pa mundur të fitoje mbi të.
Dielli i jugut e deti po ndahen me ty pa lamtumirë dhe ti po ikën pa lënë amanete, veç mall dhe dhimbje le pas.
Çave zemra e plase shpirtra që ndezen me diellin tënd që rreze lëshoi ku mëtoi. Ti vendose të ikësh, por pas le një bashkëshort që ish lartësisht i derdhur në shpirtje, le babushin e shtrenjtë e gjyshin e pashoq.
Ike miku im, kolegu i urtë e njeriu i mirë.
Një jetë nuk t’u mjaftua të jepje më të mirën tënde kudo që përkushtimi dhe pasioni yt lanë gjurmë dhe shënjuan kulmime.
Ti që dite të ishe i mirë me të gjithë, prej të gjithëve guxove të ikje pa marrë lejë.
Le një buzëqeshje të hirshme tek secili dhe një fjalë të ëmbël gjithashtu.
Le atë çfarë zgjodhe të ishe, njeriun e mirë, atë që ikën pa lamtumirë, atë që largohet për të mbetur kujtim, dhimbje dhe mall.
Erdha sot të ndahem me ty, edhe pse s’desha, erdha se nuk mund të lejoja të ikje ashtu vjedhurazi, pa lënë lot dhe trazim në shpirt. Erdha të të them lamtumirë, dhe të të jem mirënjohës për çfarë le tek unë, për atë zemër të bardhë që mëkove dhe atë shpirt që drite, siç do t’i shndrij amshimit.
Qofsh i Parajsës miku dhe kolegu im i mirë!
U shpërbleftë me dritën e hyjshme ai shpirt që driti për 77 vite, driti dhe mëkoi fjalën e mirë dhe vullnetin e paqtë.
Merr udhën e përjetësisë paqësisht miku im, Milto Baka, përjetësia do të gjej prehje për shpirtin tënd dhe shpërblim amshimi paç, edhe pse pak prej atyre që duhet të ndaheshin gjithmonë me ty, gjetën kohë e patën mirësinë të ishin sot në këtë lamtumirë. Ndoshta ishte më e fortë arsyeja e mungimit se e njerëzishmja e respektit që të detyroheshin, për çfarë ishe dhe çfarë dhe me gjithë zemër.
Ani miku im, pusho i qetë në këtë tokë të trazuar, të cilën u përpoqe ta pasuroje me shpirtin rënd të begatuar në dije dhe mirësi.
Z’bëre mirë që ike kaq shpejt, por ne që po qëndrojmë do përpiqemi ta mbajmë në jetë mirësinë që kultivove tek ne, dhe njeriun e mirë, Milto Baka ta ruajmë në kujtime.