Unë dhe fëmija tek unë!
Edhe sot pas më shumë se gjysmë shekulli, ky fëmijë, më tregon se sa shumë vite kanë kaluar dhe sa pak që kam ndryshuar, se sa jam rritur dhe se sa të pamundur e ka patur ai të largohet nga unë dhe unë të ndahem prej tij.
Kemi rendur së bashku, diku ai përpara meje e unë pas. Kemi pritur njëri-tjetrin dhe përcjellë jemi sa e sa herë, për t’u ritakuar, për t’i qëndruar pranë njëri-tjetrit, për të mos lejuar ndarjen të na hyjë në mes, as vitet të na bëjnë të huaj për njeri-tjetrin.
Jam rrëzuar jo pak herë dhe ai më ka dhënë dorën të ngrihem dhe unë të rritem bashkë me të. Kam qarë dhe kam qeshur, gabuar dhe bërë faj kemi të dy. Kemi kërkuar falje dhe sërish skuqemi kur bëjmë çfarë s’duhet bërë, kur ai më shpie te shkujdesja e unë kthehem te kokëulja. Jemi parë sa herë, shpesh nuk jemi njohur, por sërish jemi ritakuar, duke kërkuar falje për braktisjen dhe ndjes për largësinë që na ndau.
Zemra e vogël, sa shumë je rritur për të mbetur po ai, sot ndoshta me një buzëqeshje më të ngurtësuar, por me të njëjtin shpirt, plot qiell dhe ëndrra.
Kurrë nuk pata dëshirë të rritesha, dhe ti më mësove se si të mbetesha fëmijë, se do të isha më i lumtur me ty, se si do të mund të trishtohesha më bukur në atë shpirt dhe të dashuroja më hyjshëm me atë zemër, të shikoja më dritshëm me ato sy dhe të ndjeja më prusht me atë prekje.
Faleminderit vetja ime që mbete fëmijë, edhe ty të falenderoj pafund që më qëndrove pranë, gjithmonë, edhe atëherë kur të gjithë më braktisën dhe ti nuk më le vetëm, ishe dhe mbete me mua atë ditë e sot, sot që kemi shumë që na duan dhe fare pak që na kuptojnë. Ti fëmija tek unë, rri siç ke ndenjur me mua edhe ketu e mbas, se jeta ka ende per të na sfiduar dhe ne do të kemi sërish nevojë për njëri-tjetrin.
Albert Vataj