SOT NE PERVJETORIN E VDEKJES SE DRITERO AGOLLIT
Në cakun e kujtesës, aty ku thirrjet e mallshme, vërshojnë si kuaj të bardhë nga luginat ku prehen mjegullat, dhe majëmalet atjeku retë rroken me qiellin, e me gjallnim harliset pamatshmëritë, me zgjim e përjetim cek çasti. Aty, vjen dritshmëria e shpirtrave nëpër prejkohje dhe ndez një diell, naltëson një përulje endur me madhështi. Sot, vijmë mbushur me vargje e tingëllima, fëshfëritje gjethesh e drithërima, pjesëmarrim në kremten e ringjalljes së poetit prej të vdekurit, rilindjes së shenjtorit të besimit të njerëzores, te fjala ime e vargu juaj.
Beh, ashtu lertësuar e gatitur për sublimitetin e kujës në kujtesë, e fjalës në farën që u hodh, e përjetësimin që korrim çdo stinë. Lëvduam Zotin me dhuratën e fjalës së shpirtit dhe pranuam zëdhënien e përjetësisë te poezia, te ara që mbolli me dhimbje dhe yje poeti, te bima që mbarështoi me dashuri dhe amshim, ai këndim me rrënjë në gjak e kumbimin në zjarr.
Kurrë nuk ishim kur poeti u lind. Por në vdekje shkuam me lot e det, plot. Shkuam e u shenjtëruam prej blatimeve të tij të mbrujtur në fjalë e frymë.
“Dhe erdh ky mort e u pamë”, u hidhëruam, dhe kafen të hidhët na dhanë të ëmbëltonim dhimbjen, të mëlmenim plagët, të shuguronim hyjninë e fjalës.
Erdh “Vdekja e poetit”, elegji e erë, nga poeti Dritero Agolli për vdekjen e poetit, për të tijën ndoshta, për tonën, për gjalljen që njomte buzën në këtë pikë loti dhe ditëpërditshmërinë, që u deh në këtë det. Erdhi dhe mbeti “Vdekja e poetit” si një kumt lajmës amshimi, kah merr udhë fryma që i dha shpirt çdo grimce dhe zë i mëkoi çdo çasti, me rima i ledhatoi gjithë hiret dhe lulet, me melodinë e andjes, e përkundi gjithësinë dhe ëndrrat. Sepse ky ishte poeti, ky është zëri i zëshmërisë së asaj zemre që e mati udhën e përjetimit me rrahje zemre.
“Kur vdes poeti, zemra ta do të dëgjosh vetëm heshtje, të dëgjosh vetëm fëshfërimën e gjetheve, vetëm shushurimën e një përroi, vetëm cicërimën e një zogu. Kur vdes poeti, do të doje të heshtnin fanfarat e sukseseve përgjithësisht të gënjeshtërta, të mekeshin fjalët boshe të lëvdatave, të platitej zhurmëria e kotësisë. Kur vdes poeti, do të doje të mos kishte, së paku për një çast, marramenth makinash e manekinësh, pamje klithëse reklamash të zhveshura nga çdo gjë njerëzore, zukama kafenesh mes vdekjes së punës; të mos shihje mjedise të papastra, dorën e lypjes nëpër trotuare, dijen e librave lëshuar për shitje drejt e përdhe. Kur vdes poeti, do të doje të shihje lule e bar, drurë e hije, natyrë dhe prehje…” këndon ai, dhe pjesëmerr me shpirtjen e tij atëmot e sot, të tregojë botës se sa e hyjshme është kjo prani në jetën tonë, sepse pa poetin bota do të ishte e shterrur prej të themeltit përjetim dhe ndjenjë, mendim e meditim, zëshmëri dhe heshtje bardi.
“Dhe do të doje që shpirti të zhytej në mendime për kuptimin e jetës, vijon Agolli te “Vdekja e poetit”, për vlerën e duarve të punës, për dritën e mendjes, për regëtimën e zemrës.
“Do të doje të bisedoje me shpirtin e poetit përmes gurgullimës së vargjeve dhe fëshfërimës së urtë të të thënave e të pathënave të tij…. thërriste zëri i tij e amshimi kushtron sot. “Dhe të ringrije në mendje atë botë ndjenjash e përjetimesh gjithfarësh të krijuar prej tij, ku ndihet fryma e bekuar e thjeshtësisë, kthjelltësisë, urtësisë.”
Dhe e përshkon kohjen e ikjes dhe mungimit të tij ai ligjërim i thellë e i shpirtshëm…“Kur vdes një poet, domethënë një njeri që na jep mesazhe njerëzore përmes poezisë, ajo që të lëndon më shumë është zhurmëria e pashije dhe në thelb blasfemuese që shoqëron krijuesin në shtegtimin e tij drejt strehës së fundit. Befas për atë, që ikën heshturazi e në vetmi, fillojnë e kujtohen plot bujë të gjitha kategoritë e parisë-elitë të vendit: zyrtarë të lartë të shtetit e artistë-politikanë, miq të mëdhenj të të ndjerit, kryeredaktorë gazetash…” gjëmoi ai vullnet i larë në krojet e kthjellëta të shenjërisë së poetit, aty ku ngrihen altare dhe qiellit i bëhen lutje, kohës i mëkohet ajo dëlirje e shpirtshme, të perëndishmes së botës i blatohet fjala dhe epja.
Dhe thërret e dëgjohet ende edhe sot zëri i Agollit, zëri i poetit, gjëmimi i shpirtit, teksa mëton… “Rendin kush e kush më parë ta thonë fjalën e tyre me peshë, elitare, ta thonë botërisht, pavarësisht se në ato fjalë gjithçka mund të gjesh veç figurës së poetit jo. Të hidhëron kjo zhurmë në një kohë që vdekja kërkon heshtje nderuese…” dëshpërueshëm vijon ai këtë ngulm elegjiak.
Dhe zemrëkrisjen rrëfente, dhimbjen gjithashtu teksa thoshte se …“Të lëndon kjo prirje dyfytyrëshe për vetëdukje, ndërkohë që humbja e një shpirti mendimtar do të duhej të shoqërohej me mendime të thella, me një brengosje të brendshme dhe vlerësim realist, në daç edhe filozofik, por kurrsesi jo propagandistik, vlerësim që të përfshijë dhe paraqesë para lexuesve të çoroditur nga shtypi tregtar atë që kishte më të spikatur kjo dritë e mendimit dhe flakë e ndjenjës së zhveshur nga çdo interes vetjak.”
Dhe rrekej ta shkund fort këtë atëhershmeri nga molepsja, ndërsa shpirt e zemër, zë e gjëmim kumton: “Të nervozon belulizmi i shpëlarë, bajat, mjeran, ky egoizëm i pakufi, që ka mbërthyer shoqërinë tonë dhe që ia than çdo gjethe të gjelbër e çdo gonxhe. Ndërkohë veshi dëgjon e syri lexon vetëm fjalë, fjalë, fjalë. Nuk ka mënyrë më të shëmtuar për të vrarë kujtesën mbi poetin. Të gjendet këtu njëri ndër ato shumë shkaqe, për të cilat poeti u mbyll në veten e vet? Po iki me trishtim i zhgënjyer nga miqtë, E mbylla dhe derën që rrinte e hapur Për lajkatarët, për rrenacakët e smirëzinjtë, Që shtireshin ëngjëj të dashur…” dhe ju dha vdekjes poeti, për të lënë pas një frymë të gjallë të tijën që u hukat; me shpirtje e shenjtërim, pendesë dhe falje se duhet ta duam të sotmen, siç e donte poeti, siç do ta dëshironim ne të gjithë.
Me vdekjen, poeti lyp shpagim për çdo lëndim e plagë. Ai i beson fjalës shpirtin dhe gjithmonshmërinë i’a lë në prehër poetit, si një amanet, si një thirrje e lashtë e thellësive të kohës dhe përkorjes. Ai i flet nga amashimi me fjalën e të gjallëve, me poetikën e poetit sakrifikues, në këmbët e këtij altari ku lutemi e kërkojmë falje, ku premtojmë e përbetohemi, ku, shenjtërisht përulemi dhe lartësojmë qëllimet kah qiell ka pambarim.
Vdiq poeti, por të gjallët e vargjeve dhe fjalëve, tingujve dhe pëshpërimave, rënkimeve dhe plagëve, mbeten të jetshme te vargjet dhe përjetimet. Te pavdekshmëria e poetit dëgjohet ky zë që i jepet këndimit dhe shpirtit.
Albert Vataj