Fatkeqësisht John Keats ishte jetëshkurtër. Vdiq në moshën 26-vjeçare nga tuberkulozi që e dërrmoi për tre vite radhazi, duke e shuar mish e shpirt, atë ditë shkurti të vitit 1821, sëmundje e cila i kishte marrë jetën edhe nënës së tij, kur ai ishte vetëm 14 vjeç. Ditë dhe netë të gjata agonie duke notuar në djersë dhe duke pështyrë gjak. “Unë e di ngjyrën e atij gjaku! Është e gjakut arterial. Unë nuk mund të mashtrohem me atë ngjyrë të kuqe. Kjo pikë gjaku është urdhër i pamëshirshëm i vdekjes sime. Unë duhet të vdes” Ishin këto fjalët që shënohen me gërma të ngrëna nga dhimbja në syprinën e krisur të atij fundi tragjik. Vepra e tij nuk është voluminoze, por ajo së bashku me letërsinë epistolare që la mbeten nga më të admiruarat në Angli.
Më 30 janar 1818, poeti romantik John Keats shkruan sonetin “When i have a Fear”, (Kur unë kam frikë), një nga skalitjet solemne të lëngimit të një shpirti. Çdo varg dhe çdo metaforë, çdo figurë dhe vibrim përçon trishtueshëm çfarë e sëmbon atë shpirt, çfarë ngulmon ta ndalojë vërshimin e atij vrulli, të fik kundrimin e yjeve të natës të asaj ëndje djaloshare dëngur me flakërim dhe andje që po i shuhet një e nga një nën peshën vdekatare të sëmundjes.
“Kur unë kam frikë” mbetet një nga sonetat më të veçanta të poetit, kjo ngaqë ai në çdo varg të saj ai flet për fundin e paralajmëruar. Dhe kjo melodi më shumë se vibrimi i një trishtimi mbetet copëzat e thyera të thirrjeve që shkulmojnë në ajrin e ftohtë që e shpon tejpërtej në kraharorin që i’a ngre pupth përpjetë kolla. Ai ka frikë dhe një trishtim e sodit pamëshirshëm rëndjen e drojshme të ditëve dhe harbimeve zjarmëtare. Ka frikë për këputjen e udhës, për ndalimin e atij vezullimi rinor që ka nisur t’i shterret. Ai ka frikë dhe frika në vargjet e tij vibron si kordat e një zëri të këputur.
“When i have a Fear”
(Kur unë kam frikë)
-shqipërim-
Kur unë kam frikë se mund të mos jem më
Para penës plot mendime vërshojnë
Dhe pirgu i lartë i librave, në dysheme,
Si depo që mban grurin e shirë pas korrjeve;
Kur hedh vështrimin në faqen e Yjeve të natës,
Simbole gjigantë me re të një romance në qiell,
Mendoj se kurrë nuk do të jem në gjendje të jetoj
Për të prekur hijet e tyre me duart magjike të fatit;
Dhe kur ndjehem, krijesë e dashur për një kohë,
Se kurrë nuk do të mund të vështroj më drejt teje,
Kurrë nuk kam për të shijuar pushtetin e drejtë
Të dashurisë së papasqyruar – dal në breg
Në botën e gjerë, qëndroj i vetëm, dhe mendoj
Derisa dashuria dhe fama në boshllëk fundosen.
John Keats u lind në Londër më 31 tetor 1795. Ai i’u dedikua jetës së shkurtër përsosjes së poezisë mbushur me imazhe të gjalla, ndjenja të thella dhe mendim filozofik. Ishte viti 1818 kur ai shkoi për një shëtitje buzë liqenit. Ajri i lagësht dhe mbieksitimi gjatë këtij udhëtimi nxorën në pah simptomat e para të tuberkulozit, sëmundje që i mori jetën më 23 shkurt 1821, kur ai ishte vetëm 26 vjeç.
John Keats ishte një nga figurat kryesore të brezit të dytë të poetëve romantikë, së bashku me Lord Bajroni dhe Percy Bysshe Shelley, pavarësisht nga veprat e tij që ka qenë në publikim për vetëm katër vite para se të vdiste.
Edhe pse poezitë gjatë jetës së shkurtër u prit mirë nga kritikët, reputacioni pati një hov pas vdekjes. Nga fundi i shekullit të XIX, ai ishte bërë një nga poetët më të dashur të të gjithë poetëve anglezë. Me krijimtarinë e tij, John Keats kishte një ndikim të madh, gjithashtu dhe për gamën e larmishme si poet dhe si shkrimtar. Jorge Luis Borges ndërmendte të ketë shtuar, se takimi i tij i parë me punën e Keats ishte përvoja më e rëndësishme letrare e jetës së tij.
Poezia e John Keats karakterizohet nga imazhet sensuale, më së shumti në serinë e odes. Kjo është tipike e poetëve romantikë, pasi ata kanë për qëllim të nxjerrin në pah emocionet ekstreme përmes theksi të reflektimit të natyrores në vargje. Sot poezitë dhe letrat e tij janë nga më të populloret dhe më të analizuarat në letërsinë angleze.
Albert Vataj