Bekim zotash të zbritur nga qiejt e blatimeve të shenjta, le të bjerë mbi ato frymë që i yshtin prehjes së çastit në ne. Përpihemi prej taftit të një pranie që i thërret heshtjet, i pëshpërit në vesh e ëndje drithërimave të strukura thellë. Që ata zgjime të gjëmimshme fijezash të holla përçimi të dritimit, të kyçin zërat, dhe zjarrit të ndijimit t’i mëkojnë llavë trupash që digjen.
Fatlum janë ato kurme, ato zëra, ato zemra, ato buzë… jemi ne, të prekur nga ky bekim, që kridhen në paqen e një ëndërrimi, që formësohet si një bimë në prehrin e një dëshire të hyjshme për gjallim. E ndjejmë, e shohim, e përjetojmë se si harbon në krahët e epshit, e shpërthen në çdo qelizë, e shumon në çdo ëmbëlsi që rrapëllon, vërshon në gjak e në limfë, kopulon në ëndje e përjetim.
Është e prekshme, reale, tokësore, e sapodalë nga ngjizjet më të përkora të një romantike plot magji, ai çast i mbushur me vërshim dhe prehje, ai gjendje prej ajri që të ngre pezull, ai qiell që të ysht në fluturim, ajo nuk e di se ç’dreqi është, që të shndërron në avull.
Zbret nga fletët e një romani, siç rrëshqet ujshëm vesa nga gjuhëza e një fije bari, dhe… tretet në krahët e ndritshëm të agut, nadjes që lëshohet hareshëm me taftin e pafundësisë. E shkrihet në buzët që i eshk puthja, shkriftohet në kurmin që e tendos prekja, pulit në syrin që e ndez drita e diellt e fillimditës. Aty shkrep i hyjshëm ndijimi, aty lartësohet i qiellt përqafimi.
Po, ato zemra që gjëmojnë drojshëm në kraharor, ajo mendje e dalldisur që harliset livadheve, dehur nga aromat, përkulet e përgjërohet në këmbët e një dëshirimi, rrënjëzon në një lule e harliset në një pemë të përulur në përkorje, çukit si një hënë e pëshpërit si një heshtje, dhe… vjen tek ata, tek ne, tekat ku gjithësia mbrun me zjarr e zalisje, e skuqur prej ndrojtjes, e stepur prej hutimit, e heshtur prej shtrëngatës së prarimit që e zë përfund. Dhe dorëzohet si një Trojë që del nga epika dhe çmendet si një Laur e Petrarkë, që gufon nga lirikat.
Dashurojnë hyjshëm këto dishepuj të dritës së shpirtit, sepse çdo thërrmijë e qenies së tyre është një grimcë prej shpërthimeve në galaksinë e gjithmonshmërisë së gjithësisë, që pikon në prehrin e kësaj andjeje si një yll.
Duarve të tyre që zgjaten në lutjen, e zjarreve që drithërojnë në padurim, kridhet ai moment, derdhen ato trupa, shamaton ajo përplasje, dhe… shpërthen galaksia e epjes së epshme të asaj stuhie mishi, si një yll. E ndrijmë syve që fiken në një stuhi që gatiten për një ngjarje të stuhishme kopulimi.
Pikon prej zemrave e gjëmon kurmeve, s’druhet hutimit e s’pendohet shpengimeve, ky zjarr. Jepen dhe prehen… shndërrohen në çastin që mëkon përjetësinë, duhen dhe druhen.
Të ndjesh hyjshëm, të feksësh dritueshëm, si nën një vetëtimë, t’i blatohesh një kulmim dëshirimesh si një shenjtërie, të jesh qiellor në kopshtin e begative duke shtrirë duart në lutje e pranuar në sublimen e një akti si një adhurim, kështu është të duhemi.
Jetoni shpirtin e botës ju që dëshmoni Hyun, ne që përfalkemi me shpirtjet, ju që epeni përgjërueshëm dalldisjeve tuaja të mbrujtura me dritë e dëshirim, dhe do të shndrini, dhe do të feksim në yllin, në një llamburitje që ndizet syve që shohin dhe derdhen në ju, për të mbirë në çdo kopsht dhe për të çelur në çdo puthje, dëshirë, përjetësi.
Duhemi hyjshëm ti hyjnesh e çasteve prore, sepse duam që diejt që digjen brenda nesh, ta mbushin botën me dritë e drithërima, të prekin gjithkënd me aureolën e shndritshme të shenjtërimit, për ta kthyer qoftë edhe një çast të vetëm, një Parajsë.
Albert Vataj