Nga Albert Vataj
Për të dhënë më të mirë dhe për t’iu kushtuar me mish e me shpirt një vepre, e cila është në shërbim të të gjithëve, më shumë se sa në funksion të lavdinë individuale, mbamendet si një akt sublim i denjë për mirënjohje. Ata që i përkasin këtij sipërmarrjeje, zëri dhe zelli që shndërron në vepër shpirtin dhe përkorjen e tyre, janë njerëz të zakonshëm, me të cilët shkëmbehemi në rrugë, salutohemi në një evente, takohemi në një ditëshmëri rutinore, ulemi për kafe, bisedojmë shkujdesur. Ata janë qytetarë të përkushtuar dhe prindër të devotshëm, kolegë bashkëpunues dhe miq të mirë. Janë krejt të thjeshtë dhe gati të padukshëm në ububushmërinë e çdoorshme të kryeqytetit. Po, njëri prej tyre, të cilin pata nderin ta takoja para pak ditësh dhe të bisedonim për letërsinë dhe jo vetëm, të përplasnim pikëpamje dhe të dakordësoheshim në ide, të përfshiheshim në debate dhe të konkludonim në përputhshmëri, ishte Rexhep Shahu, poet, shkrimtar, botues, redaktues, faqosës, gjithçka që është e themeltë e shprtjes së tij prej veprimtari.
Çdo punë e bërë shumë mirë nga një person i përkushtuar është gjithmonë një burim frymëzimi, dhe ai është një model për një shoqëri ambiciesh, edhe pse e sotmja ka një qasje të ndryshtë në mënyrën se si i kërkon dhe i gjen ato etalone. Gjithsesi unë i kërkoj me përulësi interesit tuaj të më lejojë të rrekem ta shpërfaq këtë identitet dhe integritet, të cilit i pëlqejnë rezultatet e punës më shumë se nderet dhe privilegjet, të cilat për hir të së vërtetësm, kanë qenë dorështrënguar deri aty sa ta lënë normalitetin e mbijetesës së tij në të ardhurat e një kempi.
Megjithatë ai ndeshet me sëmundjen që e përndjek përgjatë gjithë jetës, njëjt në ngulm sa me pasionin për të krijuar, për të promovuar vlera, për të përkatësuar caqet e detyrimit, që kemi ndaj atyre që janë të denjë për mirënjohje. Ai është një kalë pune që tërheq karrocën e detyrës së misionarit në udhën e mbytur nga balta e gurët nën rrota, motin gjithnjë të cergët e shtigjet përherë e më të ngushta. Ka një jetë që përpiqet dhe nuk ndalon. Një Zot e di se për çfarë e bën gjithë këtë, megjithatë ai është gjithnjë i armatosur me një motivim që e sundon trup e shpirt, si një skllav nën vargonjë.
Në një të sotme kur popullata e personazheve është e sunduar nga një numër dominues identitetesh të qasjeve dhe predispozitave nga më të larmishmet, e vështirëson mundësinë për të gjetur atë kontributorin e heshtur të sipërmarrjeve poterisës. Sepse ai, Rexhep Shahu, preferon të bëjë më të mirën e mundshme, pa tentuar që ajo çfarë ka si pasion, të shitet si një akt menaxhimi me pretendime dhe ekzagjerime, siç tashmëria e kapur nga mitomanë e megallomanë e ka bërë realitet, edhe pse atë e gjen kudo më fjalën e tij të zëshme dhe qëndrimin e vendosur. Një vullnet që nuk di të ndalojë por vërsulet si një vërshim për të shkuar aty ku ai i ka vënë vetes qëllim, dhe për të bërë çfarë është domozdoshmërisht e volitshme.
Mes gjithë atyre emrave dhe personaliteteve që bombardojnë interesimin tonë të çdoditshëm si një shi toksik, atyre që vijnë nga asgjëja dhe guxojnë të meritojnë gjithçkanë, në një sundim të zotëruar padrejtësisht, atyre që gjithçka bëjnë është një faturë e shtrenjtë që e paguan xhepi ynë i grisur. Mes kësaj batërdie hileqarësh e dallkaukësh, manipulatorësh e abuzuesish, servilësh dhe sehirxhinjsh dashakeq, kësaj realeje shpresëhumbur, që ka bërë njerëzit ta konsiderojnë këtë vend si një “Tokë të djegur”, gjallojnë ca tipa të jashtëkohshëm, një tip Uni allasoj, që nuk do t’ia dijë për kohën së cilës i përket dhe armikun që ka përballë, ai zgjohet me bindjen se është i zgjedhur dhe detyra e tij është vetë jeta e tij. Ky tipi që shkon e vjen në këtë sotshmëri refuzuese për idhujtarë e dishepuj, nuk i ka shpëtuar vëmendjes time, siç lartfolëm për të, po është ai, Rexhep Shahu që beson në diçka të vlertë dhe i ka kushtuar jetën e vet, si një blatim të shenjtë.
Veçantia e këtij integriteti qëndron se gjithçka që ai bën është i udhëprirë nga ndjenja e përgjegjësisë për të bërë sa më shumë të jetë e mundur në shërbim të një kauze të drejtë.
Emri i Rexhep Shahut është nënshkrimi i një kolane të vëllimshme pune, përkushtimi dhe kontributi i cili konsiston në pasionin që ai derdh në themelet e kësaj ngrehinë që kapardiset imponueshëm. Që nga pena e tij majëmprehtë poetike, te publicistika, çdoditshmëria e zëshprehjes së aktualitetit, te parmenda e rëndë e lëvrimit të një toke të ashpër ku ai hedh farën e mirë të vlerave tona krijuese.
Ajo që e bën punën dhe përpjekjet e tij titanike të fisme, është se ai, nga gjithë kjo, ai vetëm jep shpirtin dhe devotshmërinë e një misionari vetëmohues, pa kërkuar shpërblim monetar dhe pa pranuar ndere dhe privilegje.
Edhe pse letërsia shqiptare dhe libri shqip është në një kohë braktisjeje asgjësuese ai, Rexhep Shahu “predikon” besimin e tij duke mos u ndalur para asgjëje as nga shëndeti që ka vite që e persekuton as nga pengesat dhe ndalimet e llojllojshme, me të cilat ai ndeshet ngadhënjyeshëm, sepse ai i shërben një kauze dhe di se triumfatorët ofrohen sakrifikues për atë që besojnë.
Për veprimtarin e veprave dhe vlerave Rexhep Shahu çdo ditë është një arenë dhe çdo betejë që duhet fituar i mbetet të sfidojë me tik-taku i një zemre aritmike.
Më kanë magjepsur gjithmonë mjaftueshmëria e kohës që disa përkushtues të zellshëm kanë në zotërim për të bërë kaq shumë. Rexhep Shahu është njëri prej atyre që kanë dhënë gjithçka nga vetja asaj që sot është një vepër dhe nesër do të jetë një trashëgimi e letrave shqipe, një thesar.
Ku nuk është ai që të tregojë se sa e rëndë është barra që atij i duhet të mbajë;
- Ai është në lëmin krijues një poet pretendimesh të meritshme, një bard që mëkon një shpirtje farkëtuar forcave përjetuese, të tilla që mëtojnë përmes artit të fjalës dhe virtuozitetin e vargëzimit, se poezia gjallon tek ajo pene si magjepsje.
- Ai është te apologjia e “Rrugës së Kombit”, një zë i gjëmimshëm i të drejtës për të lartësuar në akt historik, këtë urëbashkim të Kosovës me Shqipërinë, këtë shkallmim të mureve ndarës, të një toke dhe qielli të mohuar, fashitjen e atyre kufijve ideologjik dhe trupëzimin me ëmën pas një ndarje e gjymtimi nga padrejtësitë e historisë.
- Ai, Rexhep Shahu është te më e larta kreshtë e ambicies së tij, Havzi Nela, rikthimi në jetën e dinjitetshme të njohjes dhe përjetimit, në tashmërinë e mëkimeve të asaj shpirtje që flatroi krahë drite në tokën e kapluar nga terri dhe dimrat, në atë që është ridimensionim i vlerave të këtij zëzjarri që u ndesh me zezonën komuniste, duke patur si armë poezinë, së cilës i blatoi gjithçka të përkorë e të gjithkohë, si një perëndie. Po, ai e bëri dhe e bën përmes një përkushtimi dhe të një zelli të panënshtrueshëm, që ne të kemi sot të plotë një korife të vargëzimit, të kemi kemi frymën e një jete që u fik në litar, se i këndoi me zë qielli lirisë dhe fluturoi më krahë albatrosi stuhive dhe shtërngatave .
- Ai është farë aty ku duhet të kishte hedhur shtat bima e mirënjohjes për jetët që u sakrifikuan. Rexhep Shahu është një vullnet dlirë e i mëkuar në të mirë, për të njohur dhe përkujtuar viktimat e masaktës së Lumës. I Lartësoi ai ata në një obelisk, edhe pse rretherreth dëgjoheshin ende lukunitë e oportunizmit proserb, dora e gjatë e të cilëve u zgjat për të përdhosur këtë in memoriam. Megjithatë ai i bëri qëndresë kësaj lukunie hijenash, duke lartësuar ato shpirtra të rënë atij therori, i ngjiti aq lart sa s’do të mund të ngjitej asnjë dot e ndytë ta zbresë kristalin e shpirtit të tyre në baltën e realitetit, ku vegjeton vulgaritet dhe modernitet.
- Po, ai, Rexhep Shahu është te udha e gjatë, e mundimshme dhe ushqyer me gjak dhe jetë e Kosovës, është e çdoditshme kjo përpjekje e tij për të qenë dhe për të mbetur trup e shpirt në të gjallët e kësaj vitaleje që gjallon nën kërcënim.
Ai është te kjo panoramë shifrore që në një farë kuptimi përbën dhe identitetin e tij: Ka botuar 40 numra të revistës letrare Illz, me rreth 10 mijë faqe e 2500 autorë e përkthyes nga gjithë bota. Për të mos u mjaftuar me kaq, ka në veprimtarinë e tij botimin e revistës kulturore “Dy Drina”, 7 numra, gjithashtu dhe revistën për fëmijë “Kallz”. Për të dhënë një kontribut të vlershëm cilësor te “Bujqësia shqiptare”, të cilën e drejtoi për 7 vite. Janë publikuar dhe bërë të pranishme rreth 3 mijë shkrime në shtyp e Radio ku ai trajton çështje të larmishme me një përgjegjësi profesionale. Pjesë e aktit të tij në përkushtim të atyre vlerave përfaqësuese, janë mbi 300 konferenca shtypi, dalje televizive emisione të ndryshme, ku ai dëshmoi përgjegjshmëri dhe integritet.
Rexhep Shahut nuk mund t’i mohohet edhe një tjetër kontribut, ai i nderimit të shkrimtarëve martire me mbështetjen e humanistit Flamur Hoxha, duke mundësuar në kortezi të kësaj mirënjohje zhvillimin e 9 pelegrinazheve me shkrimtarët dhe personalitetet të fushave të ndryshme. Për të nënvizuar lëmin krijues, autorësinë e tij kanë 20 libra, nga këto 6 me poezi. Ky bilanc mund të mos jetë korrektësisht i saktë, por gjithsesi është padyshim një tregues i asaj pune të jashtëzakonshme që ai ka dhënë dhe jep çdo ditë.
Ai i ka të pakët shokët, por më duhet të besoj atë që thotë Martin Luther King, Jr. se “Pothuajse gjithmonë, pakica e përkushtuar krijuese e kanë bërë botën më të mirë.”
Albert Vataj