Arkeologët kanë zbuluar “gurin më të vjetër në botë”, një bllok guri ranor me gravurë të shkarravitur në sipërfaqen e tij të sheshtë.
Guri i lashtë, të cilin arkeologët e zbuluan në Norvegji, mund të përmbajë shembullin më të hershëm të “fjalëve të regjistruara me shkrim në Skandinavi”. Ata bënë gjetjen në fund të vitit 2021 ndërsa gërmonin një varrezë në Tyrifjorden, një qytet në perëndim të Oslos. Datimi radiokarbon i sendeve të mbledhura në vend, duke përfshirë kockat e djegura dhe qymyrin, përcaktoi se guri me gjasë ishte gdhendur diku midis viteve 1 dhe 250 pas Krishtit, sipas një deklarate.
Me përmasa 31 me 32 centimetra, guri i thjeshtë ka mbishkrime të shumta që përmbajnë rune, shkronja që lidhen me alfabetin gjermanik. Tetë runa në pjesën e përparme të gurit, lexojnë “idiberug”, të cilat studiuesit mendojnë se mund t’i referohen një personi ose familjeje të caktuar. Megjithatë, ekspertët janë ende duke deshifruar shumë nga gravurat, pasi disa nuk duket se “kanë kuptim gjuhësor”, sipas Associated Press.
“Pa dyshim, ne do të marrim njohuri të vlefshme për historinë e hershme të shkrimit runik,” tha për Associated Press, Kristel Zilmer, një runolog dhe profesor në Muzeun e Historisë Kulturore, i cili është pjesë e Universitetit të Oslos.
“Ky zbulim do të na japë shumë njohuri rreth përdorimit të runave në epokën e hershme të hekurit,” tha Zilmer për Associated Press. “Kjo mund të jetë një nga përpjekjet e para për të përdorur runat në Norvegji dhe Skandinavi në gur.”
Guri Svingerud do të ekspozohet për një muaj duke filluar nga 21 janari në Muzeun e Historisë Kulturore në Oslo.
Nga Jennifer Nalewicki
Përgatiti: Albert Vataj