Nga Albert Vataj
Kënga “Duje” me teksti nga Erjona Rushiti, muzikë, Enis Mullaj, interpretuar nga Albina dhe familja Kelmendi, do të jetë gjithëshqiptaria që do të përfaqësojë Shqipërinë në skenën gjigante të Eurovizion 2023, event i cili për shkak të luftës, nga Ukraina do të zhvendos mikpritjen e kremtes së këngës evropiane në Mbretërinë e Bashkuar.
Edhe pse nuk u shpall fituese e Fest 61, Albina dhe Familja Kelmendi do të përfaqësojnë Shqipërinë në Eurovision 2023. Ajo ka marrë votat maksimale nga publiku, duke qenë e preferuara e shqiptarëve për të dërguar “logon” e Shqipërisë në skenën e madhe të këngës së Evropës, për të përfaqësuar shpirtin krijues dhe virtuozitetin interpretues shqiptar në një sfidë të dinjitetshme konkurrimi.
Kënga “Duje” fitoi zemrat e publikut, ndërsa Albina dhe Familja Kelmendi fituan edhe çmimin e dytë të Festivalit të Këngës në RTSH me vlerësimin e jurisë profesioniste, ndërsa Elsa Lila është fituesja e çmimit të parë të Festivalit të 61 të Këngës në RTSH.
Nga risitë e këtij eventi ishte se këtë vit Festivali i Këngës në RTSH vendosi që për herë të parë kënga përfaqësuese në Eurovision të zgjidhej 100% nga votat e publikut. Dhe është publiku, ai është më i drejt, është publiku ai që është më i rreptë dhe më i paanshëm në gjykim, është pikërisht ai që guxon të tregojë, se kush meriton të përfaqësojë kulturën dhe traditën tonë të këngës në përballjen e diversiteteve dhe identiteteve krijuese.
Nga gjithë ajo madhështi e festës së këngës, ajo që fitoi është vlera, ajo që do të na përfaqësojë në Eurovizion 2023 është një këngë thellësisht shqiptare, është një interpretim dhe një performancë, një tekst dhe një muzikë, është një tërësi komponentësh estetik që do të ngjitet shqip për të përfaqësuar Shqipërinë e Madhe.
Më në fund, pas shumë gjykimesh dhe paragjykimesh, akuzash dhe kritikash që shenjestruan për ditë më radhë zhvillimin e këtij eventi, gjykatoret e “shfajësuan” në total “mëkatimin” e organizatorëve.
Me rëndësi mbetet që “Duje” dhe familja Kelmendi do të dinë ta vlerësojnë këtë privilegj dhe ta meritojnë atë që ka vendosur publiku dhe pranuar unanimisht nga organizatorët. Kjo pikë kthese sjell jo vetëm një ndryshim se si gjykohet arti, kënga, por edhe një vlerësim që i bëhet publikut, sepse në fund të fundit është ai sovrani në këtë ballafaqim komunikues, është ai që di të tregohet i urtë në gjykim dhe sqimatar në vlerësim.
Shqipëria mori pjesë në Festivalin Evropian të Këngës në vitin 2004 në Stamboll të Turqisë. Shqipëria u prezantua me këngëtaren Anjeza Shahini dhe këngën Imazhi Yt që u punua në Anglisht “Image Of You”. Shqipëria mori vendin e 4-të në Gjysmë-Finale dhe Vendin e 7-të në Finale me 106 Pikë. Kjo i mundësoi Shqipërisë finale Automatike në vitin e ardhshëm. Vitin 2005 këngëtarja Ledina Çelo ri-prezantoi Shqipërinë në Eurovizion me këngën Nesër Shkoj ose “Tomorroë i Go”. Shqipëria mori vendin e 16-të në Finale me 53 Pikë.
Dhe vijoi sfida shqiptare në Eurovizion; më 2005 me Ledina Çelo dhe “Tomorrow i Go”, më 2006 me Luiz Ejlli, “Zjarr e ftohtë”, më 2007 me Frederik Ndocin dhe këngën “Hear My Plea”, më 2008 me Olta Boka dhe këngën “Zemrën e lamë peng”. Për të vazhduar në këtë ballafaqim sfidues më 2009 me Kejsi Tola dhe “Carry Me in Your Dreams”, më 2010 me Juliana Pasha dhe “It’s All About You”, më 2011 me Aurela Gaçe dhe “Feel the Passion”, më 2012 me Rona Nishliu dhe befasinë “Suus”, më 2013 me Adrian Lulgjuraj & Bledar Sejko dhe kënga “Identitet”, më 2014 me Hersi dhe “One Night’s Anger”.
Vit pas viti ambicia shqiptare sa erdhi dhe u bë më pretenduese dhe publiku shqiptar u bë gjithnjë e më shumë pjesë e kësaj ambicieje që vijoi; më 2015 me Elhaida Danin dhe “I’m Alive”, më 2016 me Eneda Tarifa dhe “Fairytale”, më 2017 me Lindita Halimi dhe “World”, më 2018 Eugent Bushpepa dhe “Mall”, më 2019 me Jonida Maliqi dhe “Ktheju tokës”, më 2020 me Arilena Ara dhe “Fall From The Sky”, më 2021 me Anxhela Peristeri dhe këngën “Karma” më 2022 me Ronela Hajati dhe shumëdebatuaren “Secret”, … dhe më 2023 me Albina dhe familjen Kelmendi, shkojmë në Britani me këngën “Duje” të preferuar nga publiku dhe të pranuar si përfaqësuesja e Shqipërisë.
Pavarësisht logjikës gjeopolitike të gjykimit, Shqipëria është përfaqësuar dhe do të përfaqësohet në këtë skenë sfidash të kurajshme të këngës dhe kulturës evropiane, me vlera të vërteta, me më të mirën e traditës shqiptare.