Lindja, sjellja në jetë e një fëmije është akti më sublim që arrin të mbulojë me dritën më të shdritshme që kanë parë jeta në sytë e një nëne.
Mijëra diej shpërthejnë në një çast të vetëm. Pafundësi galaktikash shpërfaqen në këtë ceremonial madhështor, ku botëve e qytetërimeve u flitet me sytë e përlotur të nënës, lëvizjet e shkujdesura dhe të qarat hymnizuese të fëmijës.
Pas mundimeve dhe lodhjes, pas frikës dhe dhimbjeve që skajin caqet e tejmë, një grua provon të shtrijë duart e drobitura dhe të marrë foshnjën, të marrë fitoren e kësaj beteje ngadhënjyese.
E merr në duart krijesën që është ngjizur dhe rritur brenda shtatit të saj, dhe duke e mbuluar me puthje dhe të qara, të qarat e tij, e lejon të prehet në paqen e kraharorit, në gjëmimin e asaj zemre që për 9 muaj ka dëgjuar një zemër brenda të sajës dhe sot dëgjon një jetë në jetë e përjetësisë.
Dhe minutat e mëdha të këtij pragu pritjeje zgjatojnë në shkrepëtima sysh dhe gazmimi.
E mbulon nëna fëmijën me vështrimet e syve të skuqur, e ledh me gishtat që i dridhen dhe qan. Ajo tashmë ka botën në kraharor, ka nënën në shpirt, ka hyjneshën në altarin e detyrës së lartë që merr këtë ditë, ditën e krijimit të botës.
(Teksa rilexoj çfarë kam shkruar, mendoj se nuk ka mundësi, jo, nuk mund ta besoj se i shkrova unë këto fjalë, nuk jam unë, është një frymë e hyjshme që zbret në fjalën time. Dhe kjo është ajo çfarë unë besoj)
Albert Vataj