Miq, ju drejtohem me përkorjen e një përulësie dhe me më të lartin motivim, që i bëhet arsye takimit të çdoditshëm me ju, të më lejoni t’u përcjell falënderimet më të përzemërta për mbështetjen e vazhdueshme, në vijimësinë e atij komunikimi, që duke na bërë miq, i bashkon qëllimet tona kah sublimimi i vlerave të së bukurës që na shpërblen, të së madhërishmes që na lartëson, të… të çdo çasti komunikimi që e shenjtëron shansin që teknologjia na ofron begatueshëm.
Atë pasion komunikimi, për vlera dhe veçanti që ushqeva prej bujarisë suaj, dhe mu mundësua, si më i lartësuari nderim që ju bëtë shpirtjes sim për të bukurën, ma keni vënë fisnikërisht si përgjegjësi të detyrës për të shërbyer përkushtueshëm në promovim të atij bekimi që shpirtrat e bukur të botëve na e ofruan.
Nuk ju kam premtuar se do të bëj çudira, jo, thjeshtë “Bëj gjëra të vogla me dashuri të madhe”. Koha me të cilën ju më dedikoheni është gjithçka që pranoj me përulësi dhe përgjegjësi, sepse prej të gjithave, matshmëria e predispozitës është pulsi që shënon të gjallët e asaj magjie që bashkëndajmë.
Unë nuk kam pranuar asnjëherë të jem përveçse njëri prej jush, që numëron hapat çdoditshmërisë me rrahje zemre dhe ndalon aty ku një prehër i mundëson një prehje qiellore. Në këtë qasje komunikimi, jo gjithçka rrëmben triumfin e lavdishëm të një fitoreje, dhe jo gjithkush e ushqen me shpirtje adhurimi atë që zgjedhim si fjalë dhe frymë, si lartësim sublimiteti krijues dhe gjithëgjasshmëri çfarë na rrëmben. Sepse uniteti ynë identitar dominon përmes një beteje legjitimiteti të së drejtës për të kërkuar dhe marrë çdonjëri, njohje dhe respekt, përkundër diktimeve që imponon angazhimi dhe diktateve të mendësive që nënshtrojnë ngulmet për gjithëpranimin si frymë.
Zgjodhëm vullnetlirë të jemi dhe të mbetemi miq, përkundër betejave të humbura me meskinitetet dhe mendësitë që grryejnë anijet tona të së madhërishmes. Pendestarët të shkojnë në rrëfimtore e ti tregojnë vetes se ajo që ne meritojmë është jo ajo që të tjerët zgjedhin, sepse kjo është zgjedh ku ne lejojmë të nënshtrojmë shpirtin tonë të blatuar të hirshmes së krijimit.
E pranova me përulësi dhe përkorje, nderin që ju më bëtë të lexoni mendimin time përmes këtij ligjërimi, përmes këtyre fjalëve e kësaj qasjeje, sepse lejova që ju të ishit kremte në këtë të mundshme.
Albert Vataj
(Foto: Vetëfotografim në një moment fajtor vetëmjaftueshmërie, 21 nëntor 2022)