Nga Albert Vataj
Quhet, Fjoralba Pelivani, nxënëse në klasën e 12 të gjimnazit gjuhësor, “Faik Konica”, Korçë. Viganët e pikturës shqiptare sapo e kanë dëgjuar trokitjen e saj. Ajo hesht në këtë pritje, hesht dhe përgjon se mos zëra pipëtijnë apo hapa afrohen, hesht dhe druhet njiherash prej dyshimit se trokitja e saj është në portën e gabuar. Ndërsa pret, ajo e mundon veten me pyetje me mëdyshje, edhe pse atë nuk e kanë sjellë deri këtu hapat e saj, por pasioni, ëndrra e madhe që rreket t’i bëhet pjesë gjithësisë së asaj bote mbrujtur në shpirtra e ngjyra, farkëtuar në dritëhije e tone, yshtur prej një vullneti të lartësuar në qëllim. Ndërsa trokitja ende i oshëtin në vesh dhe ende askush nuk gjegjet, ajo e sfidon pritjen me shpirtje dhe besim, e bindur se herdokurë kjo portë do të çelet dhe hapat e saj do të rendin kah zemra i mat kufinjtë e së mundshmes me trokitje dhe drithërima.
Po, kjo është pëshpërima e një ëndjeje që na sjell tek gjimnazistja që ëndërron, te ai shpirt që kërkon ta shpjerë këtë trup dhe puls në një dimension etern; ku përfytyrimi ribën botët, ku imagjinata thur idilikat e kohjeve që harrimi i ka flakur tej, ku fryma e ngjyrshme shpalon në sy ngulmëtar qiejt ku fluturojnë ëngjej dhe adhurimtarë.
Ajo dëgjon se si brenda vetes; një përrua ngjyre, trajtash dhe gjendjesh, ka nisur të teposhtet potërshëm, kah një lum vërshimtarë e bart për ta derdhur atë në det, atje ku ajo do të ngupet me thellësi dhe pafundësi, përfytyrim dhe përjetim.
Pikturën, Fjoralba Pelivanin, më shumë se e dëshiron, ajo guxon dhe i bloton këtij pasioni shpirtin e saj delikat dhe ambicien e farkëtuar në ëndrra.
Edhe pse duket se askush nuk don t’ia dijë, gjithkah na rrethjen një heshtje vrastare, krejtkund zotërimi i atyre që sundojnë me vetëkënaqësi e ka vënë nën diktat dhe injorim çdo gjurmë drite dhe dëshire, hapi i ëndërrtares ka zënë të dëgjohet, çapi i saj i lehtë, si një prekje e ndrojtur në një syprinë delikate ka behur.
Ajo zgjedh të prek me ngjyra, dhe ndijimi i saj vibron penelatash në një qasje për të zgjuar vërshimin e një zëshmërie shpirti, të derdhur në trajta dhe në gjendje krijuese që marrin jetë në një atyshmëri që përqarkon një formë e shpërthen në një kumtim.
Njëjtë siç ajo kërkon të konturojë unin e vet krijues dhe ajo konsiston në realizimin e një kompozimi me bojëra vaji mbi një gjethe të tharë, siç është katedralja e Korçës, një ndër emblemat e besimit dhe përkatësisë identitare si qytet. Cili ka guxuar ta bëjë këtë, e aq më pak një rishtare e pikturës. Çdo teknikë për fillestar është një sfidë, e aq më tepër kjo qasje, e cila më shumë se realizimi i një natyre të qetë, është një aventurë. Nuk i bie të ladrojë me ngjyrat dhe format, por të bëjë një operacion delikat, kardiopikturim. Dhe dukshëm ajo i’a ka dalë, duke treguar forcë karakteri dhe vendosmëri krijuesi, një lojë e rrezikshme kjo në një betejë sprove.
Që në hapat e parë, Fjoralba Pelivani ka treguar se udhëprihet nga një shpirt sfidues. Piktura mbi dru të staxhionuar, murale, portrete me laps dhe pirografi, pastel dhe bojëra akrilik, krjimi i gjithçkasë së një panorame në një gjethe, janë të gjitha beteja të denja për profesionistë. Do të thoni ju, ç’janë gjithë këto për një vajzë, e cila ambicien e saj i’a beson shpirtit, atij shpirti që tenton të tregojë me vepër dhe vlera se rrugëtimi që e pret në pikturë, do të jetë i gjatë.
Ajo është në hapat e fillimtë, por udha e saj premton blatimin e atij shpirti në tablonë e krenarisë së qytetit të saj. Dhe është barrë e rëndë për supet e njomë. Por një zemër farkëtuar në talent dhe vullnet shpërthem fuqishëm. Penelatat, ngjyrat, trajtat, gjendjet. ajo i ka të ngulitura në të njerëzishmen e saj, hirin, freskinë dhe vetëbesimin, ku ajo ofrohet të sendërtojë tashmërinë krijuese që kërkon te shpirtja si thelbi i pranisë dhe gjithëgjasshmërisë.
Paleta e Fjoralba Pelivanit shquhet për ngjyra të dritshme dhe origjinalitet trajtues. Gjatë aplikimit të asaj që për të është synim, nuk pikasim gabime fillestarësh, gjë e cila mund të vërehet te shumë komponentë pikturik, ku sfodi dhe bollshmëria e ngjyrimit, dritëhija dhe tempoja e koloritit, për shkak të shprëhshmërisë që rreken të shfaqin dhe ndjeshmërisë. Një penel i kultivuar gjarpëron të kanavacat e saj, më dru apo në gjethe, në mur apo mbi letër.
Tradita korçare shquhet si në të gjitha betejat e kumtimit të shpirtit shprehës të së bukurës, në pikturë kësisoj, dhe ajo e di mjaft mirë se e trokitura e saj nuk duhet të jetë e shurdhër, por e gjëmimshme, sepse ajo ka se çfarë të sjellë, beson ne atë se çfarë është në gjendje të japë, se cili është misioni i artistit dhe cilën botë kërkon të sfidojë, Fjoralba Pelivani.
Ajo që këtij shpirti krijues i ka mëkuar zjarrjen e zgjimit, më shumë se kushtrim i talentit është pranimi i përzemërt dhe miklimi adhurues i miqve dhe stafit të shkollës “Faik Konica”, Korçë, institucion arsimor që ka privilegjin te këtë kudo gjurmët e saj prej idesh, ngjyrash dhe përfshirjeje. Kjo mundësi që i është dhënë si një privilegj, Fjoralba Pelivanit, është kanavaca më e bollshme e pranisë dhe inkurajimit ku ajo ka hedhur çapitjet e para të hapave, të cilat, nesër do të jenë shkëndi në yjësinë e konsolidimit të pretendimeve të saj ambicioze.
Nesër ajo do të mund të mos jetë më në ato ambiente, për t’iu dedikuar udhës rritëse të dijes, por brezat e nxënësve që do të vijnë te “Faik Konica” do të gjejnë gjurmë që ajo ka lënë, në klasa e në korridore, gjithkund ajo u rrek të formësonte ëndrrën e vet të madhe me hapa të vegjël por shkëlqimtarë.
Tek e ardhmja, jam i bindur se ajo do të jetë një penel i veçantë në tablonë e madhe, të traditës korçare dhe asaj shqiptare në përgjithësi. Trokitja e saj në portën e madhe të pikturës do të dëgjohet, siç do të jenë të gjurmshme edhe hapat e saj me penel dhe ngjyra.