Nga Albert Vataj
Tregimtaria është një nevojë e sinqertë e një zemre dhe mendjeje të farkëtuara në zejen e andjes kumtuese, për të qëmtuar të mundshmen e komunikimit, e cila i qaset shërbesës të së njerëzishmes përmes fjalës dhe shpërfaqjes së stolisur me shpirtje estetike. E këtij ngulmi është sprova letrare e Edmira Xhaferit, e cila ka mirësinë dhe kurajën t’i shtrijë lutjet përgjëruese kah një lexues që përmes interesit për librin e saj, të pranojë zemrën që ajo i blaton hyjnisë së komunikimit, krijimit, zërit që thërret shpirtshëm.
Libri “Shilarësja” e Edmira Xhaferit është një përpjekje fillimore e hapit të parë që ajo hedh në një botë magjike, në një realitet të lartësuar në krijim, në atë dritëpërshkueshmëri që vepron në universalen e marrëdhënies së njeriut me shpirtin. Ajo e hedh këtë hap të ndrojtur në një taban ku kërkon të hedh themelet e ngrehinës së idilikës së një zemre që troket e drithëron.
Kolovitja ledhatare në “Shilarësen” e Edmira Xhaferit është një ndijim i prusht që zgjohet heraheras, jo dhe aq për të na kthyer pas në vitet e fëmijërisë, se sa për ta bartur apatinë tonë në një qasje fluturimtare, në një ngulm për ta çliruar brishtësinë dhe njerëzoren tonë nga burgu i çdoditshmërisë; së grackave dhe luftimeve, maktheve dhe angështisë. Vetëm të kolovitesh në një shilarëse, vetëm atëherë e kupton se ju nuk po tundeni, por po fluturoni kah një prehje e çastshme, ku ky ledhatim na kredh. Njëjt rreket të na tundojë “Shilarësja” e Edmira Xhaferit, e cila përmes një cikli tregimesh, e merr harrimin tonë të rutinës, duke na kthyer pas, e shtytur tutje, kah krahë të ajrit na marrin e prehra prej frymë i bëhen prehje kllapitje sonë.
Dikur, nëpër ëndrra shihja bukuritë, ndjeja prekjet dhe dëshirat, kuptoja ndjenjat… Në ëndrra luaja me shilarësen më të bukur në botë, përkundesha nën kujdesin dhe merakun e prindërve, duke ndjerë gjithë qenien time tek lumturohej pafund… cek ajo.
“Shilarësja” e Edmira Xhaferit është një shilarëse më mban të lidhur fort me kujtimet e gjyshes time dhe me përrallat që ajo më tregonte mbrëmjeve të gjata, përpara se të më zinte gjumi, kumton autorja. Ajo tregon fatlumturinë e saj të jetë lindur dhe rritur në një shtëpi me një oborr të madh e të mbuluar me pemë, njëra prej të cilave, tek ajo më e madhja, babai i saj kishte vënë një shilarëse, e cila gjendet aty edhe sot. Xhaferi ngulmon se është e vetmja që më dëgjon në heshtje dhe i di të gjitha sekretet e mia, të thëna ose jo. Sapo fillova të ecja, hapat e vrullshëm i mbaja aty. Sa e sa herë jam mbajtur fort aty edhe kur kam humbur ekuilibrin. Shilarësja ishte dhurata më e bukur që më kishin bërë ndonjëherë.
Kjo tregon se ajo ka mbetur pas në fëmijërinë e saj dhe çdo gjë që jeta i sjell, janë në simbiozë të kësaj kolovitjeje, që, e mbetur sërish aty, nuk e lë atë të largohet, nuk i’a lejon asaj t’i kthejë shpinën vajzës së atyre kohjeve llamburitëse.
Më shumë se sa realja, tek ajo është ëndërrtarja që grish. Sepse është e pamundur që në jetën e një gruaje të mos jetë e varur në ditshmërinë e saj, një orë që mat kohën e ëndrrave. Dhe është e sotmja që ajo shfleton, është ndijimi dhe përjetimi ku ajo përfshihet, që cytet në këtë tik-tak.
Libri me tregime “Shilarësja” i Edmira Xhaferit është një ftesë modeste për të rrëfyer te çdonjëri atë çfarë ka pararendur në ditëpasditshmërinë e saj. Rrëfimi në këtë kolovitje përshkohet nga një vërshim i urtë liqeni ku pluskojnë yje poetik dhe emocionet e një shpirti të bukur, e një vajzë, nëne, që ka ardhur në këtë botë me misionin e shenjtë të gruas.
Nga tregimi në tregim, autorja ndjek gjithnjë të njëjtat gjurmë, ato që e kthejnë te vetja, te ajo vetvete të cilën kërkon ta kumtojë si një shprehje e sinqertë për komunikim dhe vetë ligjësinë e rrëfimtarisë, si një pasqyrë e realitetit ku mbrumja shpirtërore reflekton.
Tregimtaria e Edmirës drithëron shpesh nga e papritura, nga befasimi, si një puls i ditshmërisë nëpër të cilat ëndja e saj rrëfimtare rend me sy e me shpirt. Gjithqysh autorja në këtë komunikim me lexuesit ka një dëshirim të shfletojë ngjarje dhe episode që skalitin statujën e jetës, si përcaktim i një caku ku ajo përjeton dhe ndjen. Dhe ky vëzhgim kumtues është vetë shpirti i saj, është zemra e saj prej gruaje dhe nëne, që shpaloset nëpër histori dashurish, nëpër shkreptima të drojshme zemre, nëpër gjëmime të potershme shpirti, nëpër befasi të hidhura fati, si për të treguar se ajo është njëra prej të gjithave, është një grua, një femër, një trup dhe një emocion që kërkon të formësojë hyjësinë e vet në çfarë zemra e mat me trokitje.
Ajo flet gjithnjë në veten e parë, duke u vendosur në qendër të çdo kallëzimi, sepse vetëm kësisoj, përmes tregimtarisë, ajo ka kurajën të kumtojë, të shpërfaqë edhe veten, në një qasje për ta skanuar atyshmërinë e ngjarjeve nën një vështrim të dritshëm shpirti.
Tregimet, njëri pas tjetrit, “Gjurmë të kërrusura”, “Parfumi”, “Shilarësja”, “Magji shqiptare”, “Rrëfim për një vajzë që njoh”, “Përtej dhimbjes”, “Morfi”, “Valixhja me fustanin e bardhë”, “Shkarravinat”, “Një tjetër prag”, “Bruna”, “Sirianët”, “Violona e thyer”, deri te “Borëbardha ime”, që mbyll edhe ciklim, janë hapa që fjala dhe shpirti i saj sendërtojnë në një qëllimsi të njerëzishme, duke treguar vetë lojën e jetës, vetë rrugëtimin që fati i udhëprinë personazheve të saj, e pse jo edhe vetë asaj.
Personazhet, Eva, Mondi, Robi, Noa, Megi, Noel, Guri, Feride, Petriti, Bruna, Ada, etj., janë trajtime karakteresh dhe personalitetesh, tipash dhe veçantish, janë secili një përfshirje, përjetim dhe emocion, me të cilët rrëfimtarja formëson shtresa pas shtrese realitetin, atë që është i secilit nga ne dhe secili prej nesh, ndoshta në këto rrugëtime treguese gjënë përbashkësime dhe ngjashmëri.
Edmira Xhaferi përpiqet të jetë sy e veshë e reales që e përshkon ditëçdoditshmërinë e saj. Tregim pas tregimi, ajo takon dhe përfshihet në situata dhe gjendje, përmes të cilave shpërfaq shpirtin e gruas dhe përjeton, vajzës që lumturohet dhe vuan, nënës që sfidon dhe ngadhënjen. Kësisoj “Shilarësja” e Edmira Xhaferit kërkon dhe gjen ëndje perceptimi për të rrokur jetën, për të qenë puls i atij vërshimi limfe, çast i krejt atyre atyshmërive njerëzore, të cilat vijnë ne realitet dhe tregim për të dëshmuar kuptimsinë e themeltë të jetës dhe brishtësinë e ndijimeve ku borkuptimi dhe botëjetimi ynë mbruhet.
Albert Vataj