Nga Albert Vataj
Nëse ju po kërkonit një mënyrë për të pasuruar fjalorin tuaj përmes një loje fjalësh, është një mendje brilante që guxon ta bëjë këtë, dhe t’u ftojë në këtë magjepsje të shqipes. Ai është Dhori Thanasi, vepruesi i një traktati gjuhësor, i cili shkel të gjitha ligjet dhe kanunet linguistike, shkallmon çdo dogmë dhe sfidon çdo normë. Dhe ai e bën këtë, për të mundësuar diçka që nuk ka mundur asnjë derimsot. Kjo “Vezë Kolombi” e Dhori Thanasit nuk pretendon se ka bërë çudinë, sepse ai e di, se sot, e zeza mbi të bardhë, nuk ka arsye të befasojë me ndonjë gjë, përveçse me habi të tilla.
“Lojë fjalësh për të gjitha moshat” është një libër që sjell në begatimin shpirtërorë të bukurisë së fjalës dhe larushisë së shqipshkrimit, në një zhdërvjelltësi dhe çlirim konvencional, duke kërkuar te të gjithë interes në trajtesën e një loje. Larg nga metodat akademike dhe stilistika e ngurtë e shkencës së etimologjisë dhe linguistikës, Dhori Thanasi kërkon dhe gjen një mënyrë shumë origjinale të farkëtojë fjalën në të gjithë trajtat e larmishmërisë shprehëse.
Ideja për atë ç’ka ky libër përmban është një shtegtim i gjatë ndër vite, qysh atëherë kur as mund ta mendoja se do të studioja gjuhë shqipe, kumton në kryekreje e këtij libri autori. Një libër që ka udhëtuar kaq gjatë për të dalë në dritë tash dhe për të zgjatur duart me shpërblimin e hyjnisë së shqipes, drejt nesh si drejt një përgjërimi.
Një ide e shkrepur si një trill i pesëdhjetë viteve të shkuara, ka shërbyer si një tharm që ai të ngjizte një fjalorth nëpërmjet akrobasisë së shqipes. Vit pas viti dhe dekadë pas dekade u mbars kjo lëndë në dëshirimin e Dhori Thanasit, për të kulmuar te kjo e drejtë për të rrokur përgjithmonshmërinë. Mes gjithë atyre titujve që popullojnë sot libraritë, “Lojë fjalësh për të gjitha moshat”, bën diferencën, për një ser komponentësh, por më së shumti për fjalën shqipe që sjell, për mënyrën se si ai zgjedh ta pasurojë leksikun tonë.
Si në një minierë ndihesha në morinë e fjalëve dhe lehtësimën e “të lozurit” me to, ku çdo çast isha i befasuar kur zbuloja “gurë nga më të çmuarit”, mëton ai. Çdo herë që qëmtoja në të “gurët” zbukuroheshin edhe më shumë, ndritnin më me dritë dhe bëheshin edhe më të çmuar… dhe kjo s’kishte fund, ishte magjia që të japin fjalët e kësaj gjuhe atëherë kur takohesh me to, veçanërisht kur i ndesh për herë të parë e të bëjnë për vete me një tingëllim aq natyror sa nuk ndihesh sikur je mes fjalëve të një fjalori, por jashtë, diku mes një pylli fëshfëritës e cicërues, majë një mali me erë e fresk a buzë deti, liqeni ose lumi që shushuritin ty dhe bregun; kudo ku natyra gjallon.
Ndodhte si me zhytësit e perlave që aq herë sa zhyten aq herë kanë mundësi të nxjerrin në breg perla; aq herë sa shfletoja e “zhytesha” në pafundësinë e thellësive të fjalëve, disa prej të cilave prej kohësh ishin rënduar nga një “gjumë” i gjatë i thellë e disa dremisnin gjysmë zgjuar, aq “margaritarë” të veçantë zbuloja e së bashku nisnim një shteg të ri njohjeje.
“Lojë fjalësh për të gjitha moshat” është një përpjekje e ngulmët për të përmbushur jo dhe aq një amanet, se sa për të dëgjuar zërin e fëmijës dhe ëndjen e dijes, që zëfilli te një mësuese shembull, për t’u shndërruar në një tekst për të gjithë, në një shpalim lojcak fjalësh, në një akrobaci e zhdërvjellët e mëtimit plot sqimë të gërmëzimit që trajtëzohet në fjalë, në shprehi, në kontakt, në komunikim, në një atyshmëri që dëshmon përmbi krejt, sa e bukur është gjuha jonë, sa e larmishme dhe lajkatare është fjala shqipe, se si ajo teksa e përdredhon të ledh me muzikalitet dhe shprehi.
Ky libër nuk merr përsipër të përfaqësohet si një fjalor, as si një shfletim lojërash, por ka guximin të tregojë se prej të gjitha mënyrave që e kthen shqipen në një qasje për ta adhuruar është trilli lojcak i një fëmije të thinjur që përmendet pas pesë dekadave, dhe tregon me vepër se magjia e fjalës shqipe mbetet një pëshpëritje e kahmotshme që kërkon vullnet të formësohet, kërkon puls të vërshojë uturishëm me limfën, kërkon shpirtje që këtë trupëzim gërmëzimesh ta shndërrojë në një monument të shqipes. Kam bindjen se Dhori Thanasi me “Lojë fjalësh për të gjitha moshat” ka kurorëzuar pretendimet e tij për një vend vlerësimi te studiuesit dhe hulumtuesit e gjuhës shqipe. Fjalët që ai krijon përmes lojës, janë fjalët që flasin përmes një dëshire për të kënduar në një gjuhë perëndie, e cila për fatin e keq po shpërdorohet. Megjithatë në një dëshirim të lojës me fjalën, do të dëshironim të gjithë të ishim pjesë, ku i dihet, të tjera fjalë do të merrnin jetë dhe të tjera shprehi do të mbruheshin në këtë lojë.