Shumë përralla kanë një njerkë të keqe, e cila është e vendosur të shkatërrojë jetën e njerkut të saj dhe jo vetëm kaq, të vendosi pozita dominuese përmes pushtetit frikës. Por cilat janë rrënjët e këtij trilli shekullor, sundimit të kësaj të keqeje të makthshme të botës që synonte fëmijët?
Çfarë ju vjen në mendje kur përfytyroni një përrallë? Ndoshta Hirushja duke fshirë vatrën me lecka të copëtuara; Hansel dhe Gretel, ndjekin thërrimet e bukës nëpër një pyll të errët; ose Borëbardha, me fytyrën e saj të zbehtë vdekjeprurëse, qëndron e shtrirë e palëvizur brenda një arkivol qelqi duke pritur puthjen e princit për t’u zgjuar.
Këto imazhe janë ngulitur në vetëdijen tonë kolektive, sepse ata mbeten të ishin me një vend dominant në konsumin që gatuhej për fëmijët. Por përveçse ndajnë rrënjë të ngjashme folklorike dhe të riimagjinuara nga Disney, ata të gjithë shfaqin të njëjtin gra shpirtzeza, njerka të ligë që nuk ndalojnë para asgjëje për të përmbushur planet dhe synimet e tyre ogurzeza, që fatmirësisht fantazia e magjisë së përrallës ka ruajtur gjithnjë një përfundim të keq për ta, duke bërë që e mira të triumfojë.
Njerkat e liga kanë përhumbur faqet e librave të përrallave për shekuj me radhë, duke kërkuar rënien e heroinës trima. Por kush është kjo kurorë e keqe dhe nga erdhi ajo? Dhe çfarë mendojmë për të si një arketip të ditëve moderne?
“Bërthama është e njëjtë dhe pa kohë, sepse është real ky rivalitet toksik midis dy grave pretenduese të një zotërimi, shpesh e njëjtë, si më të vjetrën ashtu edhe një më të renë,” shprehet, Maria Tatar, një ekspert i folklorit gjerman në Universitetin e Harvardit.
Kur je ne Romë
Një origjinë e mundshme e trillit të njerkës së keqe, këtij imazhi që sundoi dhe përfaqësoi të keqen, daton në Romën e lashtë, dhe në një figurë ikonike të historisë,në veçanti: Livia Drusilla, perandoresha e parë romake. Livia ishte gruaja e dytë e perandorit Cezar Augustus, i cili u ngjit në pushtet pasi Julius Cezari, ra pre e një komploti në vitin 44 para Krishtit.
Sipas historianit italian Augusto Fraschetti, në kohën kur Livia dhe Augustus u martuan, ajo ishte tashmë nënë e një djali të quajtur Tiberius. Augusti kishte vajzën e tij nga një martesë e mëparshme, e cila kishte lindur dy djem: Gaius Caesar dhe Lucius Cezar. Njëri prej tyre ishte vendosur të pasonte Augustin si perandor, por kishte një problem: të dy vdiqën.
Thashethemet për lojëra të ndyra shpejt filluan të qarkullonin dhe zjarret e dyshimeve u ndezën përsëri vite më vonë, kur Agrippa Postumus, nipi i Augustit, një tjetër trashëgimtar i mundshëm i fronit, u dëbua dhe u vra. Përfundimisht, djali i Livia-s, Tiberius, në vend të një pasardhësi të drejtpërdrejtë nga gjaku të Augustit, u bë sundimtar. E gjithë kjo u duk e dyshimtë, disa qytetarëve romakë, edhe duke pasur parasysh faktin se, pa ndihmën e mjekësisë moderne, njerëzit kishin më shumë gjasa të vdisnin të rinj në atë kohë.
Në Romën e lashtë, politika mbretëronte me dorë të hekurt. Rrjedhimisht ishte një ide jo fort e mirë për të kritikuar hapur ata që ishin në pushtet, veçanërisht perandorin. Por kishte mënyra të tjera, më delikate për të shprehur pakënaqësinë e dikujt për një vendim politik, dhe dyshimi me gjasë shënjestroi Livian për shkak të gjinisë së saj.
“Një nga mënyrat se si mund të kritikosh një mashkull është të kritikosh gratë me të cilat ai ishte i lidhur”, tha për Live Science, Peta Greenfield, një historiane e Romës së lashtë në Universitetin e Sidneit në Australi. Kështu, Livia mund të jetë kthyer në një kokë turku për kritikat ndaj burrit dhe djalit të saj.
Por njeriu përgjegjës për çimentimin e rolit të Livia-s si një nënë (gjyshe) e keqe ishte historiani Tacitus, i cili jetoi rreth viteve 56-120 pas Krishtit.
Në versionin e Tacitit të historisë romake, i cili u shkrua dekada pas vdekjes së Augustit në vitin 14 pas Krishtit, Livia u bë një mjeshtër kukullash mashtruese, e pamëshirshme dhe e uritur për pushtet, e cila nuk ndalej para asgjëje për të siguruar vendin e djalit të saj në fron.
Në atë kohë, vetë-imazhi i Romës ishte i ngulitur në një ndjenjë të rrënjosur thellë të “pasigurisë patriarkale”. Gratë e fuqishme nuk shiheshin me sy të mirë – një trend që depërton deri në ditët e sotme.
Edhe pse Livia mund të jetë njerka e ligë origjinale, ajo ishte larg nga të qenit si e vetmja e kësaj figure të errët të ligësisë dhe pamëshirës për të bërë gjithçka në funksion të përmbushjes së qëllimeve ogurzeza.
Në kulturat anembanë botës, tregimet e rivalitetit toksik femëror janë të shumta. Megjithatë, shpesh specifikat ndryshonin për të përmbushur normat shoqërore të vendit. Në disa rajone të Afrikës dhe Azisë, për shembull, njerka mori formën e një gruaje të dytë të ligë, që torturonte gruan e parë të virtytshme. Dhe në disa pjesë të Evropës, ajo u bë një motër apo vjehërr xheloze.
Kur Jacob dhe Wilhelm Grimm filluan të mbledhin dhe të thjeshtojnë përralla gjermane në fillim të shekullit të 19-të, ata u skandalizuan nga fakti se sa prej tyre përmbanin nëna të liga. “Ata ndryshuan shumë nga nënat dhe vjehrrat në njerka,” shpjegoi Tatar, në një përpjekje për të ruajtur “shenjtërinë e mëmësisë”.
Një tjetër arsye pse njerkat shfaqen dukshëm në përrallat e kësaj epoke është se ato thjesht pasqyronin realitetin. Lindja e fëmijës ishte një ndërmarrje e rrezikshme dhe shumë gra nuk i mbijetuan përvojës. “Numrat janë vërtet shumë tronditës,” nënvizon Tatar. “Rreth gjysma e të gjithë fëmijëve u rritën me një prind biologjik dhe më pas me njerkun ose njerkën”.
Sigurisht, përrallat e vëllezërve Grimm u bënë jashtëzakonisht të njohura dhe shërbyen si bazë për shumë filma të Disney-t, nga “Borëbardha” te “Tangled”. Këta filma, si dhe ata të frymëzuar nga autori danez i shekullit të 19-të, Hans Christian Andersen, na kanë dhënë disa nga gratë shpirtkazëm më ikonike të shfaqur ndonjëherë në ekran – Ursula shtriga e detit nga “Sirena e Vogël”, Maleficent nga “Bukuroshja e Fjetur” dhe Mbretëresha e Keqe nga “Borëbardha”. Por ndërsa shoqëria vazhdon të llogarisë me trajtimin dhe portretizimin e grave, Disney ka filluar të rehabilitojë shumë nga njerkat e liga, ose t’i anashkalojë ato plotësisht, sjellim në vemendje filma e famshëm si “Moana”, “Frozen” dhe lavdishëm i çrregullt “Maleficent”, e cila e pikturon zanan titullare si një figurë të kujdesshme, por të keqkuptuar.
Tatari e sheh këtë ndryshim si pozitiv. “Mos më keqkuptoni,” tha ajo; “Historitë e kohëve të vjetra janë të shenjta për mua në një farë mënyre. Por ne nuk jetojmë më në shekullin e 19-të në Gjermani. Vlerat tona kanë ndryshuar dhe historitë që tregojmë duhet të ndryshojnë gjithashtu.”
Live Science / Joanna Thompson
Përgatiti: Albert Vataj