Nga Albert Vataj
Sod, n’se ka diçka qi mundet me ken rrefren i nji kange t’përvujtun trishtimi, asht gjallimi i frymës ikanake. Njaq flitet për t’ikunen “natën pa han”, sa mundesh me dyshu n’se edhe ti je nga ata qi s’mendon tjetërqysh, veç se si me ik “nga syt kambët”. Ikin e gaditen për me ik, ç’do dit qi faj Zoti. E prap shum’ po mbesin njiktu, edhe un’ bashk me ta, tue u kaferdis n’hallet e dertet hekakeqe t’ktij vendi.
Ikën dhe po ikin, don i madhi Zot e marrin Shqipnin me vedi, gjithmon n’se nuk i bahet barr, e n’se nuk e pshtjellon edhe atje; ku mundet me pas gjithçka, por nuk i pret askush, ku u nepet tan ç’ka duen, por pa mujt me marr ç’ka i ban me ndi, ku mundet me ndërtue t’tashmen e t’ardhmen, por pa guxue me kërku qi toka ku shkel mundet me ken mëmëdheu i tyne.
Ani, tankush don me ik, e mara ju prift, vullneti i t’mirës i shkoftë përmbas, ç’ka andërr ka pas i’u baft realitet, mretnoft n’shpirtin e tyne hyjnia e tana dëshirave, u baft izëm vullneti i Zotit, si n’qiell edhe n’t’mundshmen e tyne.
Ani, un’ e kam sos me nej n’Shqypni shqiptar dhe i rrokun thekshëm prej një pasioni kuqezi n’zemër.
Për shumkën kur sheh flamurin tonë kombëtar nuk ndin t’jet i kapun pre ndonji ndjesie t’hovshme, t’jet i përshkuem prej nji zjarmie qi e prush s’brendshmi. Kjo mund t’ket lidhje me shterrimin qi ka ndodh prej nji distancimi gjithnji e ma përjashtues i asaj fryme, qi, t’ue mos mujt me gufue ma n’njat gjoks, ku përplasen ernat e stuhitë e kujtesës, vegjelisë dhe përjetimit, asht fikun si nji vegim, jo kurrë si një dritë. M’bahet se kjo me gjas ndodh te njata, t’cillt kurr nuk kanë lejue t’ndez n’shpirt ndonji dritë e vetëdijes kombëtare, t’valvit n’përfytyrime idilike nacionale ndonji flamur kuqezi me shqypen dykrenare n’mes. Flamuri për ta mundet me ken nji copë bez e ngjyme kuqezi, e kurrgja tjetër.
Ndoshta shum’ n’ne kanë shpresu shum’ ma shum’ se ç’ka mujti me i dhan ky flamur, ky identitet kombëtar, kjo shyptari, ku truall, kjo tokë, ky plis. T’zhgënjyem ka ma shum’ se t’ngazëllyem prej kësaj përkatësie. Janë pikërisht njikjo far shqiptarit, qi tue ken n’njikto pozita përjashtuese, lypin me gjet përligjjen e njasaj, qi simbas tune po e vret ditë e përditë shqiptarin tek’ta.
N’kryeradh t’njiksaj armiqsije bajn fajtor politikën, e pse jo, e cilla n’nji mnyr a n’nji tjetër, me dashje apo pa hiri, po përpiqet qi t’u shngjyros këtë përcaktues t’identitetit ton kombëtar, po kërkojn me e vdek edhe at far shqiptarie tek ato shqiptar, qi dita-ditës po kërkojnë me ik prej këtij vendi, me lyp e me gjet dikund nëpër botë, tokën e premtueme, tokë e cilla s’mujti me ju ba toka ku ata lindën.
Ndoshta kan t’drejt?! Siç kanë t’drejt me kërkue e me gjet nji vend ma t’mir për fëmijët e vet, pse nuk paskan t’drejt mos me leju kurrqysh me u’a lan kyt flamur, kyt tok’, këtë amanet, me ba me ta ç’ka t’duen njata, t’cillt tue e kthye Shqipnin n’tok ikanakësh, po bajn t’mujtun qi këtë truall burrash t’zashëm t’ia lan me u kthye n’çifligun e turlilloj maskarai, pushti, gjakprishuni e perversi, n’kjoft ky edhe ma i pari i t’parve.
Ndoshta tue zgjedh mos me ik, na nuk kena me mujt me u’a heq prej thonjve t’ndyt e dhamve t’skërmitun, kurmin e këtij trualli, por ama kena me ja ba gjithnji e ma t’pamujtn arritjes së njiksaj zezone.
Na jena t’pafuqishëm me e ba zap fuqinë e tyne. Tash për tash e kena t’pamujtun qi pushteti i t’keqes qi ata përfaqsojnë dhe zotnojnë, me u nënshtrue prej vullnetit tonë kombëtar, por asht besimi n’ne njaj qi ka me mujt me u shndrru nji dit lume, n’nji uragan, e gjithçka ka me ken sërish ç’ka na e lan amanet t’part.
Ethja për pushtet, para dhe poshtërsi, ka ba t’mujtun me lëkund shpresat tona, se ky vend mundet nji dit më u ba. Tue mos u mjaftue me njaq, kjo zezonë ka ba t’mujtun me zgjue te tankush, t’drejtën me ba çajre, me çalltis, me gjet ku asht e ku s’asht, nji mënyrë me jetue, një mënyrë me ba prookupi.
Tue e kthye prej ditet-n’dit kyt dreqni n’filozofi, po arrijnë me n’xjerr prej njerzve ma t’keqen e tyne, si aftësi dhe zotnim, anipse tue i shpërfytyru e shnjerëzu, tue i çu prej nji krize shpirtnore në nji shpërbamje identiteti. E njikshtu masanej vjen dita qi flamuri me u ba nji copë bez, qi mundesh me e përdor për ç’ka t’duesh, tue e harru se me njat flamur paraardhësit ton janë krenue tue mos kursy as jetën.
Pra, ata qi lidhën plagët me kyt flamur morën shum’ më pak se ç’mujti me na dhan ai ne, e megjithatë ata e fshehën n’gjoks, e mbajtën nan jastëk, e banën hajmali, e valviten n’dasma e n’morte, mbyluen me te fëmijën dhe t’deknin, e s’prajten kurr k’so jete me mendue ndryshe veç si shqiptar.
Flamuri, simboli jon kombëtar, nuk mundet me ken fajtor për fajin tand. N’se ti ke ba nji zgjedhje t’gabume, njat’her kur t’duhej me ken i urt e i matun, s’ka pse ta shpaguej kyt faj gjaku jot, vorri i t’parve tuej, pragu e oxhaku, djepi e qivuri, kushtrimi e vikama. Kurr nuk mundet me ken von me mendu se asht ma mir, me nej ç’ka fati ka zgjedh me ken dhe ç’ka origjina t’ka ofrue si barrë dhe falenderim.
N’se ikim tan, Shqipnia prap ka me ken, s’ka mujt me e qit faret kurrnji hordhi qi erdhi e shkoj këtij vendi, jo ma do orekse t’babzituna qi shohin gjithqysh si me e shndrru n’para dhe n’pushtet çdo frymëmarrje t’këtij kurmi t’mbetun prej poshtërsive historike e t’telendisun prej flligsisë politike.
Gjithqysh, Zoti u’a baft mar gjithkujt me ba zgjedhjen e duhun, me gjet nji mundsi ma t’mir se sa mundet ky vend me t’dhan. Krejtkund ata shkofshin, marrshin me vete n’se u duhet, njat qi t’part e tyne u’a lan. Gjithkush përpiqet me mbulue me natë, ditën e zezueme t’shqiptarve, thjeshtë asht tue ba t’njëjten gja qi po bajn n’jata qi e duen kyt vend veç për vedi, kur secili n’kyt truall ka hisen e vet.
Edhe un i përkas njatyne shpresvramve dhe zemërplasunve, njatyne qi t’kenmin shqiptar ditë e përditë veç u dhëmb. Syni m’derdhet, shpirti m’vuen e krahnori s’ma xen klithmen, por zhgënjimit i hedhi para shpresën si ballsan, tue besu se s’ka plag qi s’mbyllet e t’keqe qi s’ka cak. Un’ qi kam sos me nej n’kyt vend nuk jam ma shum’ shqiptar ngase asht e ndihet aj, qi ka mujt me gjet atdhe dikund tjetër, apo aj qi po përpiqet me gjet n’ji m’nyr me ik nga syt kambët. Të gjithë kena Shqypnin me vedi, e t’gjithve njaja ka n’ne besimin, se s’muj me u shue n’ftyr t’ksaj toke, e n’gjak t’ktyne shqiptarve, pse dikujt tue i’a marr Zoti ment, po dome e pas krejt për vedi.
Shqypnia, ky flamur, kan ken dhe kan me ken sa ti bjer dielli kësaj toke. Edhe n’se ikim tan’, tue i’a lane ulkonjave dhe hijenave këtë kurm, Shqypni ka me pas, shqiptar qi i dalin zot këtij flamuri e njiksaj toke ka me lind nana. Kush beson se tue ba tokë ikanakësh kët vend ka me mujt me e kthye n’plaçk t’pazareve t’ndyta, thjeshtë shpreson rrejshëm. S’ka me e gëzue kurrkush avenirin e dikujt tjetër, edhe n’se don.
Nuk asht tue ken e leht me kthye besimin njaty ku asht vra shpresa, por n’se m’duhet diçka me besue, p’se s’u dashka me ken pikerisht andrra, e un kam andërr me e ken gjithher i rrokun prej njiktij pasioni kuqezi.
Albert Vataj