T’u mushën sot pesëmbëdhjetë vjet o Padër që na ke lanë dritën e ke shtegtu për te Drita. N’vesh ta kam zanin, n’shpirt ta kam mallin e n’mend ta kam fjalën.
E po du me kallxu sot fratin qëndrestar që kam njoftë. Sa i bukur asht kenë shpirti i rrebtë i malcorit, i dorzum frat! “Frati ka fjalë e vepër, o varza jeme e frati asht skamnor qi begati ka veç skamnort e vet, t’pamujtunit e vet. Ata qi kan veç Zotin n’qill e fratin në krah”.
Përherë kam kujtu se ka romantizëm n’lidhjen dalzotëse FRAT – BASHKARÌ, ose kam kujtu se kjo lidhje u përket veç kohnave epike; kshtu kam kujtu derisa pa njoft At Zef Pllumin, fratin dalzotës të Bathores. E po kallxoj sa kam përjetu:
Na u kujtu dikur qeverija me e “rahatu” Bathoren, demek me e “urbanizu” duke ju shembë njerzve t’atyshem shpijat. Mirepo ato shpija per ta ishin shpirti, se tu i dale shpirti i patën ndertu, me krahë grash e burrash. E ju mbrrin mandata sekushit nëpër shpija që n’filan ditë e n’filan orë kishte me ju zbarku shteti n’prag e me jua përmbys pragjet.
Krejt fillikat përballë rruspave e policisë shtetit, atë ditë nji dorë burrash t’Bathores shkojnë me thirrë Padër Zefin si e mbramja shpresë jete për ta.
E po vjen frati e po i mban vesh. Edhe e shef qe shteti e ka da mendjen me jua shemb jetët, me nji shperfillje mizore për kobin qe po ju lshon mbi kry.
Vjen frati edhe ua vren ftyrat e pikellume. Lotet e grave edhe ngushtën e burrave t’pafuqishëm me kemby me shtetin mujshar, edhe ato i vren frati.
Edhe i pyet banorët e Bathores:
– Lek, a keni lek me ju dhanë ktyne zyrtarve mos me jau prishë shpijat?
– Jo he padër – thonë skamnorët, – ku me i marrë na t’vorfnit njata lek?!
– Po nai mik aty nër zyra që munet me ju ndreqë punë a kini? A njifni kend?
– Jo more pader, si me njoftë – gjegjen gjjndt – na jena shpërngulë prej njoftunive tona…
– Po mir – ju thotë padri i pikun n’shpirt – po gur, gur more a kini?! Kapni gurt tash! Mbroni vedin e shpirtin tuj e shpija e fmij, e mos me shtini ma fort në mkat!
Dhe ashtu ndodhi. Banorët e Bathores e priten dhe e zbrapsën shtetin arrogant, me gurët që ua dha zemra e fratit që qëndroi me ta. Atë ditë qëndruan bashkë përballe padrejtësise shtetnore: Skamnori i Asizit bashkë me Skamnorët e Bathores. Atë ditë Tirana pa një përmase sociale e shpirtnore të harruar. Kush pati sy, e pa! Edhe e drashti, po!
“Padër, ngule n’mendje: kush i kthen shpinën t’vorfnit, i ka kthy shpinën Zotit”.
U mbushën sot 15 vjet që të takoj veç n’zemër e n’arsye, o Frati i Bathores. Vështire e kam me folë siç duhet për ty, se njerzit e vdekshëm e kanë përherë zor me folë për t’pavdekshmit.
Rri me ne të tutë, o Pader! Rri me ne se ndryshe asht kah erret!