Felix Mendelssohn (3 shkurt 1809 deri më 4 nëntor 1847) kishte një kujtesë të habitshme. Në një takim muzikantësh me autoritet, Listi solli një pjesë të re nga kompozimet e tij dhe e interpretoi në piano aq bukur sa që i la të gjithë të pranishmit të habitur. Interpretimi dhe kompozimi ishte mjaft i ndërlikuar. Pas kësaj prove asnjë nga muzikantët e pranishëm nuk donte të luante ndonjë pjesë në piano. Mendelsoni u ngrit qetë-qetë dhe midis habisë së të pranishmëve u ul në piano. Ai, luajti atë pjesë të vështirë që kishte luajtur Listi, të cilën e përsëriti me përsosmëri. Çdo notë e mbajti mend në mënyrë të habitshme. Ai imitoi edhe gjestet e Listit, i cili qeshi me përzemërsi për atë shfaqje të pabesueshme.