Nga Albert Vataj
Nëse nuk e dini, Kinetoza është një çrregullim që ndodh kur personi ndihet keq për shkak të lëvizjes në transportin e çdo lloji, anije, tren, avion, makinë.. edhe karusel. Në komunitetin shkencor nuk ka një unanimitet në lidhje me shkaqet e këtij shqetësimi, por teoria më e besuar është ajo, se kinetoza ndodh kur trupi, veshi i mesit dhe sytë dërgojnë sinjale të përziera në tru.
Pyetja që shtrohet është se ata që i zë deti, avioni, treni apo makina, ai i zë leximi? Nëse po, ky çrregullim me çfarë simptomash u shfaqet, apo thjeshtë përzierje, të vjella, trazime në stomak, zbehje, djersë të ftohta, marrje mendsh, frymëmarrje e përshpejtuar, aritmi dhe dhimbje koke?!
Kisha dëgjuar se kjo anomali mund të shfaqet edhe në projeksionet kinematografike 3D, ku shikimi i dërgon trurit sinjale të pakonfirmuar nga një zhvendosje relative e trupit. Ka lidhje kjo mospërputhje e komunikimit edhe në rastin kur leximi bëhet shkak çrregullimesh?! Ndoshta, industria e botimeve, tregtimit dhe leximit të librit, nuk e ka ndjerë edhe këtë ç’terezitje, por ajo duhet të paraprijë në përballimin e përkeqësimit të situatave.
Gjithsesi, nëse më lejohet, mua nuk më zë, anija as avioni, makina as treni, karuseli as projeksioni 3D, por më bën keq ideja se si disa njerëz i zë padurimi, pakohja, painteresimi, papajtueshmëria me diçka që tejkalon të drejtën e tyre për të mos i’u nënshruar një diktati, qoftë ky edhe i leximit, ushqyerjes me diçka tjetër veç plehrave.
Të ngrënit apo të budallalepsurit, zedhi për tu marrë me kotës, zeja e dokrrave e dallavereve, i sjell kësaj kategorie ndonjë përzimdhëk, stomak të trazuar apo humbje të orientimit. Se për rakinë dhe dashurinë nuk po pyes, ata i zë të gjithë, vetëm koha e të bërit esëll ndryshon njëri nga tjetri.
Gjithsesi nga të gjithë kinetozat që e parehatojnë gjendjen e individit sot është leximi, paraprirë nga ai në komunikimin online. Ka individë, të cilët mbi dy fjali, shfaqin shenja shpërqendrimi dhe turfullime, nervozizmi dhe ç’armatosje të tolerancës, apo shpengimi të gjuhës.
Tek rradha e katërt e leximit situata bëhet kritike. Ndoshta ndikimi i ekranit led, suprimon çdo shkakësi tjetër, që shumë prej atyre që janë të kërcënuar, dhe nuk janë të pakët ata, nuk tolerojnë, e shmangin leximin. Ata që shkruajnë gjatë se nuk kanë kohë t’i bien shkurt, duhet të vetëdijësohen se me këto individë simptomatik i kanë punët keq.
Të vetmit që e kanë kuptuar këtë dhe rreken ta shfrytëzojnë si avantazh janë kontraktuesit bankar, ligjbërësit dhe ligjzbatuesit, fletëshpjeguesit e medikamenteve apo përkufizueset e përbërjes së produkteve ushqimore, ku gjithnjë fshihet një kleçkë, për të cilat as se duam t’ia dinë, kryesisht ata që i zë leximi.
Ndërkohë që po kërkoj leje ta mbyll këtë trajtim, dikush është bërë për Hioscina, ilaçi që përdoret shpesh për të kuruar kinetozën, duke bllokuar disa sinjale nervore që nis sistemi vestibolar. Me pak durim dhe disa ushtrime përqëndrimi, ata që i zë leximi, mund t’ia dalin.
Ndjes!