Nga Albert Vataj
E ujta e retinës së atyre syve që vështrojnë pikëllueshëm i ngjet pellgjeve të trazuara nga rrebeshi i një nate trazimtare moti. Vështrimi i këtyre grave dhe vajzave nuk është rastësor i ujtë, i përhumbur, i shterrur në përmbytjen e një çasti dhimbjeje, i mbrujtur në një lëngëzim që është gati të majiset e të shpërthejë, për t’u zvargur faqeve të metalta, atyre butësive të ndezura në shpirtje pasioni e përjetime të trishtë.
Pse duhej gjithë ky pikëllim në sytë e këtyre portreteve femërore?
Çfarë ka dashur të thotë piktori më shumë se dy shekuj më parë?
A ishte vërtetë kaq e trisht jeta dhe heshtja, pritja dhe përcjellja e këtyre grave?
Pse duhet të ishte e tillë edhe e këtyre vajzave, zemra e të cilave ende nuk kishte se pse të përzhitej zjarreve të dashurive të pamundura dhe trazimeve të helmëta të jetës, ndoshta realitetit rural francez.
Nuk ndaj të njëjtin mendim me përshtypjen filluese dhe yshtëse të kësaj qasje kundrimi dhe arsyetimi estetik dhe shpirtëror. Ndoshta më duhet të rrëmoj më thellë në shpirtin e trazuar, e pse jo edhe të ndjeshëm të piktorit, peneli dhe përfytyrimi i të cilit do ta kishte tepër të vështirë të shikone dritë dhe vezullim të hareshëm në sytë e grave dhe vajzave që pa dhe jetësoi në tablotë tija.
Gjithsesi ai i qau këto portrete të pikëllimta, i qau me sytë e atij shpirtit dhe vibrimin shpues të dritës së penelit. Ai i solli këto gra dhe vajza, ndoshta ashtu siç ishin, siç ata u rrëzuan në vështrimet e tyre në ndenjësen e pozimit apo në shkreptimën e vështrimit hetues të piktorit në ndonjë feksje të shpirtit.
Jean-Baptiste Greuze (21 Gusht 1725 – 4 Mars 1805) ishte një piktor francez i portreteve, skenave të zhanreve dhe pikturës së historisë . Greuze dëshironte të pritej si një piktor historik dhe prodhoi një vepër të cilën ai synonte të shfajësonte të drejtën e tij për të përbuzur kualifikimet e tij si një artist i zhanrit.